Ndërlidhjet

Williamson i vendosur: Hetime të paanshme e të pavarura

  • RFE /RL

John Clint Williamson

John Clint Williamson

Prokurori i ekipit hetues të EULEX-it, John Clint Williamson, i cili punon në hetimin e akuzave për trafikim organesh në Kosovë, dhe shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, janë takuar sot me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Zëdhënësi i Williamsonit, Joao Sousa, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se gjatë takimit, Williamson ka përsëritur vendosmërinë e tij për hetime të paanshme dhe të pavarura, të cilat do të zbulojnë të vërtetën e akuzave që përmban raporti i Këshillit të Evropës.

Sousa ka theksuar se mandati i ekipit hetues të EULEX-it është që të hetojë dhe, nëse vërtetohen akuzat, të ndjekë penalisht individët që janë përgjegjës për krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt.

“Williamson ka thënë se është në dijeni për spekulimet për të ardhmen e ekipit hetues. Megjithatë, ai ka vënë në dukje se puna hetimore vazhdon ende dhe se është heret të paragjykohet rezultati”, ka thënë Sousa.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë pas takimit se Qeveria është e interesuar që të ndihmojë drejtësinë dhe të vërtetën, si dhe të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë, gjithnjë duke respektuar juridiksionin e vendit, por edhe duke ruajtur, siç ka thënë ai, imazhin e luftës së drejtë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Williamson ka takuar edhe përfaqësuesin special të UNMIK-ut, Farid Zarif, përfaqësuesin special të BE-së, Samuel Zhbogar, dhe shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt.

Përndryshe, në Kosovë po diskutohet për formimin e një tribunali ndërkombëtar për Kosovën pas 14 qershorit, kur edhe pritet transformimi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Një tribunal i tillë me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë dhe me seli jashtë Kosovës do të merrte përsipër hetimin e krimeve të luftës në periudhën 1998-1999, si dhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve dhe vrasjeve të dëshmitarëve gjatë periudhës 2000-2001.

Amerikani John Clint Williamson është emëruar kryeprokuror i ekipit hetues të EULEX-it në gusht të vitit 2011. Vitin e kaluar, ai ka thënë se pret që hetimet për trafikim organesh në Kosovë të përfundojnë deri në fund të 2014-ës. (v.tela)
XS
SM
MD
LG