Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhjet e shpeshta dëmtojnë ekonominë


Zgjedhjet e shpeshta reflektohen negativisht ndaj proceseve ekonomike në vend, në veçanti kur ato përcillen me mungesë të stabilitetit politik, vlerësojnë ekspertët për çështje ekonomike.

Ata, për dallim nga drejtuesit e institucioneve të cilët nuk presin çrregullim të rrjedhave të deritanishme ekonomike, thonë se përveç harxhimit të parave të buxhetit për promovime të ndryshme, në ngecjet zhvillimore do të reflektohet edhe vakuumi disa mujor nga fushata parazgjedhore, por edhe periudha pas zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re.

Pasojat nga një situatë e tillë do t'i ndjejnë afaristët, thotë Bilall Kasami, profesor i ekonomisë në Universitetin Ballkanik në Shkup.

“Një ndër faktorët që ka në ndikim në ngecjen e zhvillimit ekonomik janë edhe zgjedhjet sepse brenda kësaj viteve të fundit kemi pasur 5-6 cikle zgjedhore që nga ato lokale, parlamentare dhe presidenciale. Pasojat e gjithë kësaj dihen meqë politikat makroekonomike orientohen të them direkt në blerjen e votave ku politika nuk është në shërbim të zhvillimit ekonomik, por përkundrazi rrjedhat ekonomike vihen në funksion, apo interes të fitimit të votave apo të zgjedhjeve“, thotë Kasami.

Ekspertët thonë zgjedhjet janë proces normal sikur të mbaheshin në afatet e parapara, e jo siç ndodhë tani, kur qeverisja aktuale ende nuk ka mbaruar asnjë mandat të plotë, meqë çdo dy vite ka organizuar zgjedhje.

Kjo, sipas Kasamit, nuk reflektohet mirë në sytë e investitorëve të jashtëm të cilët para së gjithash janë të interesuar për stabilitet të qëndrueshëm politik, por edhe për raporte të mira ndëretnike që për momentin duken të tensionuar si pasojë e politikave etnike që udhëhiqen nga partitë.

“Këtu investitorët e jashtëm nuk shohin ndonjë stabilitet afatgjatë duke u nisur edhe nga momentet e zgjedhjeve permanente pasi çdo vit apo çdo dy vjet kemi zgjedhje por edhe në aspekt të problemeve më të gjëra që i ka Maqedonia për çështjen e emrit e që në momente të caktuar vjen në pikëpyetje edhe ekzistenca e shtetit“, thotë Bilall Kasami.

Zoran Vitanov, profesor i ekonomisë dhe ish-zëvendësministër i Ekonomisë, thotë se shqetësues është fakti se zgjedhjet jo vetëm që po ngadalësojnë zhvillimin ekonomik por ato po harxhojnë edhe parat e dedikuara për çështjet më elementare për jetë.

“Ne sikur jemi mësuar që çdo vit të kemi zgjedhje andaj edhe mbetemi pa ushqim, pasi që në vend se paratë e buxhetit të harxhojmë për çështje produktive, ato shpenzohen për nevojat e politikanëve të pushtet".

"Një situatë e tillë në Maqedoni nuk mund edhe gjatë kohë të vazhdojë, duhet të ndërmerren veprime tjera për dalje nga kjo situatë pasi pas zgjedhjeve situata mund të përkeqësohet edhe më shumë në aspektin ekonomik kur të bëhet një bilanc i harxhimeve pa kriter“, thotë Vitanov.

Por, nga Banka Popullore thonë se zgjedhjet nuk do të shkaktojnë turbulenca të theksuara ndaj ekonomisë, madje guvernatori Dimitar Bogov është shprehur optimist për rritje të ekonomisë gjatë vitit 2014.
XS
SM
MD
LG