Ndërlidhjet

Liberalët përafrohen me Listën Srpska


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Fitorja në zgjedhjet lokale e Iniciativës Qytetare Serbe (GIS), në 9 komuna në Kosovë, si dhe thirrjet e liderit të Partisë së Pavarur Liberale (SLS), Slobodan Petroviq ndaj elektoratit të tij që ta mbështesin Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, janë sinjale të qarta të përafrimit të partisë së Pavarur Liberale Serbe me Iniciativën Qytetare Serbe, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.

Rangjel Nojkiq, politikan serb nga Graçanica, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se thirrja e liderit të Partisë së Pavarur Liberale, me të cilën sugjeron serbët se kë duhet ta mbështesin, nuk është aspak befasuese, kur kihet parasysh që në shumicën e rasteve, në nivelin lokal partia e tij dhe Iniciativa Qytetare Serbe kanë bërë koalicione.

“Mendoj se Partia e Pavarur Liberale e ka kuptuar situatën, në të cilën gjendet, dhe seriozitetin e zgjedhjeve parlamentare që do të vijnë. Zgjedhjet e kaluara për ta kanë qenë mjaft komode, në kuptimin që nuk kanë pasur ndonjë konkurrencë domethënëse, sepse Beogradi ka qenë kundër zgjedhjeve dhe nuk ka mbështetur ndonjë listë të caktuar”.

“Situata ka ndryshuar rrënjësisht dhe Beogradi po qëndron prapa një liste dhe këtë do ta bëjë me siguri edhe në zgjedhjet parlamentare. Partia e Pavarur Liberale tashmë e ka vlerësuar se në qoftë se shkojnë në këto zgjedhje të pavarur, atëherë shanset e tyre janë minimale. Në anën tjetër, dëshirojnë të tregojnë se ekziston uniteti ndërmjet serbëve në tërë hapësirën”
, thotë Nojkiq, duke shtuar se e gjithë kjo është renditje logjike e zhvillimeve.

Në anën tjetër, edhe Petar Miletiq, ish-sekretar i Partisë së Pavarur Liberale, i cili muaj më parë ka dhënë dorëheqjen e tij nga kjo parti, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjekti politik, pjesë e të cilit ka qenë, tashmë ka dhënë shenja dhe po përpiqet të përafrohet me Iniciativën Qytetare Serbe.

“Është e qartë se tashmë është arritur deri te një përafrim, duke pasur parasysh që kryetari i Partisë së Pavarur Liberale e ka ftuar anëtarësinë e saj që të votojë për përparimtarët”.

“Se a do të vijë deri te një paraqitje e përbashkët e tyre në zgjedhjet parlamentare, së bashku me Iniciativën Qytetare Serbe, në këtë moment është vështirë të vlerësohet, për shkak se njëherë për njëherë priten zgjedhjet e Serbisë. Pas kësaj do të shohim se a është i mundur ndonjë lloj bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy grupimeve politike”
, thekson Miletiq.

Megjithatë, Nojkiq pret lëvizje dhe ndryshime në skenën politike në përgjithësi, si dhe të partive politike serbe në Kosovë, para dhe pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vend.

Sipas tij, deri më tash, shumicën parlamentare të serbëve në Parlamentin e Kosovës e ka mbajtur Partia e Pavarur Liberale, por tash kjo situatë ka ndryshuar duke dhënë sinjale se ndryshime do të ketë edhe në të ardhmen.

Nojkiq thotë se është më se e besueshme që në zgjedhjet parlamentare të ardhshme, Partia e Pavarur Liberale, e cila aktualisht është partner në koalicionin qeveritar, do të garojë në koalicion me Iniciativën Qytetare Serbe.

“Është shumë e besueshme kjo, duke pasur parasysh që kemi pasur edhe deklaratën e zotit Vulin, i cili e përshëndet vendimin e Partisë së Pavarur Liberale për të mbështetur partinë që ka shumicën".

"Më duket se disi shumë shpesh në retorikën e tyre të zbrazët se Kosova nuk është çështje partiake, por çështje kombëtare dhe se nuk duhet të zgjidhet në nivel partiak, por në nivelin kombëtar. Kështu që, mendoj se edhe nga kjo anë, gjithashtu po arrijnë sinjale të dërguara për Partinë e Pavarur Liberale, në mënyrë që të krijohet një listë e përbashkët
”, vlerëson Nojkiq.

Ai, gjithashtu, thekson se, Partia e pavarur Liberale tashmë e ka të qartë se edhe partneri i saj në koalicionin qeveritar, Partia Demokratike e Kosovës, gjendet në një situatë të paqartë dhe se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të jetë e sigurt se mund të jenë partnerë në koalicion.
XS
SM
MD
LG