Ndërlidhjet

Ka vdekur të enjten në mëngjes, edhe pacienti i infektuar me virusin H1N1, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj.

Gjashtë pacientë vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, në këtë klinikë, nga infeksioni i traktit të poshtëm respirator, që shkaktohet nga virusi H1N1, i njohur dikur si “gripi i derrit”.

“Ka vdekur, sot diku rreth 4.30, njëri prej dy pacientëve që ka qenë në respirator”, tha Dreshaj për Radion Evropa e Lirë.

Viktima e sotme, ishte njëri nga dy pacientët me H1N1, që ishin në gjendje kritike nga ky virus.

Pak javë më parë, Kosova ka shënuar viktimën e parë nga gripi H1N1, një grua 57 vjeçe nga komuna e Dragashit.

Në Klinikën Infektive në Prishtinë, 40 pacientë janë konfirmuar si të infektuar me “gripin e derrit”, që nga fillimi i këtij viti.

Mirëpo, drejtori i kësaj klinike, ka thënë se nuk ka vend për panikë, meqë tash e pesë vjet është menaxhuar suksesshëm sezoni i viruseve, dhe se ka barna të mjaftueshme për të trajtuar këto infeksione.
XS
SM
MD
LG