Ndërlidhjet

Sell: Krimeja s'ka asgjë të njejtë me Kosovën


Louis Sell, foto nga arkivi
Louis Sell, foto nga arkivi
Rasti i Kosovës nuk mund të përdoret si argument për zhvillimet në Krime të Ukrainës, duke qenë se asnjë nga zhvillimet që i kanë paraprirë pavarësisë së Kosovës nuk kanë ndodhur në Krime, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish diplomati amerikan, Louis Sell. Zoti Sell ka punuar për vite të tëra në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit në vendet e Bashkimit të dikurshëm Sovjetik, pastaj në Rusi dhe Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, Rusia po e shfrytëzon rastin e Kosovës si arsyetim për veprimet e veta në Krime të Ukrainës. Si e shihni ju këtë argumentim, të qëndrueshëm apo të shtrembëruar?


LOUIS SELL
Mendoj se është tërësisht i shtrembërruar e madje edhe i sajuar. Sinqerisht, analogjia me Kosovën thjesht nuk pi ujë, as në kuptimin ligjor, e as në atë faktik.

Gjëja më e rëndësishme që duhet përmendur këtu është shkalla e persekutimit të popujve në këto dy vende respekitve. Ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë erdhi në vitin 1999, shumë vonë sipas mendimit tim, por vetëm pasi që Kosova iu nënshtrua një dhunë 10 vjeçare nga Milosheviqi, i cili atëbotë rrënoi autonominë e Kosovës në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme në vitin 1989.

Dhe pastaj, më 1999, filloi fushata e spastrimit etnik dhe gjenocidit, për të përndjekur popullatën shumicë shqiptare jashtë Kosovës. Dhe vetëm atëherë, NATO-ja ndërmorri një ndërhyrje të vërtetë humanitare, e cila detyroi forcat serbe të tërhiqeshin. Dhe pasi përfundoi e gjithë kjo, NATO nuk e okupoi, dhe as nuk e aneksoi Kosovën. Në Kosovë u vendos administrata e Kombeve të Bashkuara.

Asnjë nga këto që përmenda nuk ka ndodhur në Krime. Në Krime, popullata ka jetuar në një atmosferë pak a shumë harmonie. Nuk ka pasur shtypje të përmasave të mëdha, dhe as të përmasave të vogla.

Ka pasur disa periudha kur grupe të ndryshme janë trazuar për shkak të marrëdhënieve të caktuara me Ukrainën apo me Rusinë dhe ato shqetësime janë zgjidhur me marrëveshje pikërisht në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

Popullata ruse në Krime nuk ka qenë në asnjë mënyrë e kërcënuar nga ngjarjet në Krime. Çdo pretentim se diçka e këtillë ka ndodhur janë është i rremë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, nëntë vjet pas miratimit të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova shpalli pavarësinë, pasi përmbushi disa kritere ndërkombëtare për ta bërë një gjë të tillë; pasi iu nënshtrua, thënë kushtimisht, një procesi verifikimi. Si e shihni ju përgjigjen e Moskës ndaj gjithë kësaj trysnie ndërkombëtare për të mos ndërhyrë në Krime?


LOUIS SELL
Procesi i Ahtisaarit, në të cilin aluduat këtu, është edhe një dallim thelbësor në mes të Krimesë dhe Kosovës. Pasi ishte stabilizuar situata në Kosovë, pasi ishin krijuar institucionet e vetë-qeverisjes, vetëm atëherë nisi një proces i mbikëqyrur ndërkombëtarisht i negociatave, ku u përfshijnë të gjitha palët.

Asgjë nga këto nuk ka ndodhur në Krime. Kjo është një grabitje e pastër nga ana e Rusisë.

Po të ishte Rusia e interesuar, po të mendonte vërtetë se popullata ruse në Krime është e kërcënuar, atëherë do të mund të angazhohej në një proces ndërmjetësimi, për të cilin edhe ashtu ekziston një bazë e cila quhet Memorandumi i Budapestit, i arritur më 1994 dhe i nënshkruar edhe nga Rusia.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, ju keni një përvojë të pasur në Rusi dhe ish Bashkimin Sovjetik, duke qenë se keni qenë i angazhuar në Departamentin Amerikan të Shtetit. Tani, pavarësisht trysnisë së madhe ndërkombëtare, zoti Putin nuk jep shenja se do të heqë dorë nga planet e tij. Ka gjithashtu shqetësime se kjo çfarë po ndodhë në Krime do të mund të përhapej edhe në vendet tjera të banuara me popullatë ruse. Sa kanë bazë këto shqetësime?


LOUIS SELL
Për sa i përket zotit Putin, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të bëjë ai në të ardhmen, por unë mendoj se ka gjasa të përhapjes. Rusët në fakt kanë nën kontrollin e tyre Krimenë dhe duket se janë të vendosur ta mbajnë pseudo-referendumin e tyre.

Pasi të përfundojë kjo, është e mundshme që të fillojë një proces negociatash; qeveria ukrainase ka thënë se është e gatshme ta bëjë një gjë të këtillë; Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për negociata.

Ka mundësi që të nis një proces negociator për të shqyrtuar statusin e Krimesë – në kuadër të Ukrainës. Në anën tjetër, çdo vend fqinj i Rusisë, duke parë të bëmat e Putinit dhe regjimit të tij në Gjeorgji më 2008 dhe tani çfarë bënë në Krime, pa dyshim që duhet të nisin të mendojnë për ndikimet që mund të pasojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila duhet të jetë përgjigja e komunitetit ndërkombëtar në këtë çështje, pasi të mbahet referendumi në Krime…çfarë tjetër mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare?


LOUIS SELL
Dy gjëra janë të rëndësishme këtu, dy parime: e para, ky është një shembull i një agresioni ndërkombëtar dhe komuniteti ndërkombëtar – për arsye parimesh dhe arsye të veprimeve në të ardhmen – nuk mundet të rrijë anash dhe të jetë vetëm spektator, domethënë nuk mundet të rrijë duarkryq.

Në anën tjetër, është gjithashtu e rëndësishme që kjo situatë të mos dalë nga kontrolli. Askush nuk dëshiron që e gjithë kjo të çojë në një konflikt dhe rruga për ta zgjidhur situatë këtë është fillimi i negociatave me të gjitha palët e përfshira. Ka shumë opsione të mundshme, nëse ka vullnet të mirë te të gjitha palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, është ky fillimi i një epoke të re të Luftës së Ftohtë?


LOUIS SELL
Shpresoj jo. Nuk mendoj se duhet të jetë kështu. Se a do të nis apo jo kjo epokë e re, vërtetë varet shumë nga mënyra se si do të zgjedh Putini të përgjigjet.
XS
SM
MD
LG