Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhjet e shpeshta kërcënojnë qeverisjen e mirë


Drejtori i Institutit Nacional Demokratik NDI, Kris Henshou në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, konstaton se gjatë dhjetë vjetëve të fundit në Maqedoni janë organizuar 11 cikle zgjedhore.

Sipas tij, kjo ka bërë që partitë politike të veprojnë sikur janë tërë kohën në fushatë zgjedhore dhe shumë pak fokusohen ose i kushtojnë kujdes përforcimit të kapaciteteve institucionale.

“Organizimi i më shumë proceseve zgjedhore në një periudhë të shkurtë kohore në një mënyrë ngushton hapësirën për qeverisje të mirë dhe shpeshherë mund të hetoni se partitë politike në vazhdimësi sillen sikur janë në fushatë zgjedhore”, thekson Henshou.

Ai shpreson që pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, meqë zgjedhjet e ardhshme lokale janë paraparë të mbahen në vitin 2017 krijohet hapësirë për një start të ri për zhvillimet në Maqedoni.

“Mund të kemi një energji të re për procesin integrimit në strukturat euroatlantike dhe të ndahet kohë për qeverisje të mirë gjatë viteve të ardhshme”, shprehet Kris Henshou.

Por, analistët politikë vlerësojnë se për të pasur një qeverisje të mirë, nevojitet vazhdimësi në politikat shtetërore.

Analistja Sonja Stojadinoviq, thekson se zgjedhjet nuk sjellin asgjë të re për Maqedoninë përpos shpenzimeve të shumta nga buxheti i shtetit për organizimin e tyre.

“Po zgjedhjet sjellin vetëm shpenzime enorme të parave nga buxheti vetëm e vetëm që politikanët aktual të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, që të realizojnë interesat e tyre personale dhe ata partiake në dëm të interesave të qytetarëve përfshi këtu dhe në dëm të interesave të vetë shtetit”, thekson Stjadinoviq.

Ajo apostrofon harxhimet e shumta rreth promovimit të politikave të caktuara të cilat nuk sjellin asgjë të mirë për qytetarët, pos që shkatërrojnë ekonominë e brishtë në Maqedoni.

Nga anën tjetër, Mersel Billalli vlerëson se zgjedhjet janë si pasojë e mos zgjidhjes së shumë çështjeve të hapura në vend.

“Zgjedhjet tek ne janë shndërruar në një far sporti nacional nga ana e garniturave që menaxhojnë me fatin apo më mirë thënë fatkeqësinë e popullit dhe shtetit në përgjithësi. Jo rastësisht dhe ekziston mandati, pasi të kenë premtuar dhe kanë marrë mandatin, në fund duhet të japin raport për atë që kanë realizuar".

"Kuptohet, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme vetëm se eliminon premtimet dhe ofron premtime të reja të cilat sërish eliminohen, kuptohet në dëm të interesave të qytetarëve. Këto zgjedhje do të jenë test pikërisht për atë se çfarë Maqedonie dëshiroj të kemi, gjegjësisht vendi do të vazhdojë me politikat bllokuese apo do të fillojë të orientohet kah e ardhmja”, nënvizon Billalli.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka theksuar se janë të pamjaftueshme mjetet e ndara të parapara për zgjedhjet, andaj ka kërkuar nga Qeveria që të ndajë edhe 2,5 milionë euro plotësuese krahas zgjedhjeve presidenciale edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga arka shtetërore për zgjedhjet e sivjetme parlamentare dhe ato të parakohshmet parlamentare, sipas KSH-së do të shpenzohen rreth 8 milionë euro.
XS
SM
MD
LG