Ndërlidhjet

Arrin në Kosovë materiali zgjedhor i Serbisë


Besim Hoti
Besim Hoti
Policia e Kosovës në veri bën të ditur se materiali zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të zhvillohen të dielën edhe në Kosovë, ka arritur.

Zëvendëskomandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se materiali është pranuar nga OSBE-ja, kurse polica ka përcjellë konvojin e makinave.

“Do të jenë 10 qendra të grumbullimit të këtyre votave në veri të Kosovës. E kam fjalën në katër komunat. Një do të jetë në veri të Mitrovicës, dy do të jenë në Zubin Potok, tri në Zveçan dhe katër të tjera në Leposaviq”, ka thënë Hoti.

Ai ka bërë të ditur se roli i Policisë së Kosovës do të jetë ruajtja e rendit publik, zbatimi i ligjeve dhe ofrimi i asistencës për OSBE-në.

“Policia e Kosovës, nga aspekti qoftë formal juridik, qoftë operacional, do të ofrojë asistencën e nevojshme të kërkuar nga OSBE-ja, me qëllim të grumbullimit të fletëvotimeve për zgjedhjet, të cilat mbahen. Ky është i tërë roli i Policisë se Kosovës që nga orët e hershme të mëngjesit të ditës së nesërme pra: që të ofrojë sigurinë dhe asistencën e nevojshme të kërkuar nga OSBE-ja”, ka thënë Hoti.

Edhe zëdhënësi i OSBE-së, Nikola Gaon, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky mision, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Serbi, do të ndihmojë procesin e votimit në Kosovë.
XS
SM
MD
LG