Ndërlidhjet

logo-print

Rusia bllokon ueb-faqet që kritikojnë Kremlinin

  • RFE /RL

“Të dashur përdorues, kërkojmë ndjesë, por qasja në këtë ueb-faqe është e kufizuar”.

Ky është mesazhi me të cilin janë përballur lexuesit rusë më 13 mars, pasi kanë bërë përpjekje të hyjnë në ueb-faqen grani.ru, portal opozitar i lajmeve.

Grani.ru është njëra nga tri ueb-faqet e ndaluara nga autoritetet ruse në bazë të një ligji të ri, i cili, sipas kritikëve, ka për qëllim të heshtë mediat e pavarura e sidomos internetin.

Përveç bllokimit të grani.ru, rregullatori qeveritar i komunikimeve Roskomnadzor ka urdhëruar ofruesit rusë të bllokojnë qasjen edhe në ej.ru, faqen e revistës "Yezhednevny zhurnal", dhe në kasparov.ru, ueb-faqe që udhëhiqet nga figura e opozitës, Garry Kasparov.

Të trija këto faqe kanë kritikuar ashpër politikat e Kremlinit, përfshirë edhe pushtimin e Krimesë së Ukrainës nga trupat ruse.

Blogu i udhëheqësit të opozitës ruse, Aleksei Navalny, është bllokuar po ashtu për një kohë, nën arsyetimin se ai ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, por është zhbllokuar më vonë.

Aleksandr Ryklin është redaktor në revistën "Yezhednevny Zhurnal":

“Këtë herë, autoritetet as nuk na kanë njoftuar. Ato vetëm kanë mbyllur pothuajse të gjitha faqet e internetit që përcjellin opinione të pavarura prej tyre”, thotë Ryklin.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka urdhëruar mbylljen nën akuzat se ueb-faqet kanë bërë thirrje për aktivitete të paligjshme dhe se kanë marrë pjesë në ngjarje masive që kanë shkelur rendin publik.

Ligji i ri kontrovers u mundëson prokurorëve të mbyllin ueb-faqet pa urdhër të gjykatës, nëse vlerësohet se ato kanë publikuar thirrje për pjesëmarrje në protesta masive, të cilat janë planifikuar pa autorizimin e qeverisë.

Yulia Berezovskaya, drejtore e përgjithshme e ueb-faqes grani.ru, thotë se ka pritur probleme të tilla prejse legjislacioni ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

“Grani.ru ka shpallur dhe mbuluar mitingje të ndryshme, të vogla dhe të mëdha. Ne do të vazhdojmë të bëjmë një gjë të tillë. Veprimet e rregullatorit janë të paligjshme dhe jo aktivitetet tona gazetareske”, thotë Berezovskaya.

Grani.ru ka ngritur padi për bllokimin.

Të trija ueb-faqet mund të hapen përmes ofruesve të internetit jashtë Rusisë. Por, për arsye të paqarta, grani.ru është në dispozicion edhe përmes disa ofruesve rusë.

Amnesty International ka dënuar fuqishëm bllokimin e uebv-faqeve, duke thënë se autoritetet ruse kanë nisur një “sulm të shkallës së gjerë” mbi mediat e pavarura.

Grupi për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, ka thënë se bllokimi është “shkelje e qartë e së drejtës për liri të shprehjes”. Sipas Amnesty International, ueb-faqet në fjalë kanë ofruar informacione të pavarura.(v.tela)
XS
SM
MD
LG