Ndërlidhjet

Gaon: Pjesëmarrja në zgjedhje në Kosovë, 34.42 për qind


Kosovë, 16 mars 2014

Kosovë, 16 mars 2014

Në Kosovë, prej 107, 958 votuesve, 34.42 për qind e tyre kanë votuar. Ky është rezultati preliminar i pjesëmarrjes në zgjedhje pas mbylljes së qendrave ku janë mbledhur votat gjatë ditës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Nikola Gaon, zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë.

Ai ka theksuar se tash votat e mbledhura do të kalojnë në Rashkë dhe Vranjë, ku do të kryhet një rinumërimi.

Misioni i OSBE-së në Kosovë, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare serbe edhe në Kosovë kishte hapur dhjetë qendra për grumbullimin e votave.

Këto qendra, me 15 degë, ishin hapur në vendbanimet e banuara me serbë, në jug të lumit Ibër, si dhe në komunat veriore. Banorët serbë që jetojnë në Kosovë, kanë pasur mundësi që të votojnë dhe gjatë ditës sipas zyrtarëve të OSBE-së dhe policisë, nuk janë shënuar incidente.

Mediat në paraditen e sotme raportuan se para qendrës në veri të Mitrovicës, përkatësisht para shkollës teknike “Mihajllo Petroviq – Allas”, është ngritur flamuri i Serbisë, por Gaon ka thënë se “në hyrje të qendrës nuk ka flamur”.

Në këtë proces ishin të angazhuar rreth 400 pjesëtarë të misionit të OSBE-së.

Qytetarët, të cilët kishin dalë për të votuar, u shprehën se nuk presin ndryshime të mëdha për ta:

“Motivi i votimit është shpresa që shteti serb nuk i harron serbët e Kosovës, për këtë arsye dhashë votën dhe ky është obligim qytetar. Listat janë katastrofë, nuk e kisha emrin në listë për votim, kemi thirrur në Beograd për të pyetur për emrat. Është pakënaqësi e madhe, sepse njerëzit nuk kanë gjetur emrat në lista. I porosit të gjithë të shikojnë më shumë Kosovën, njerëzit këtu. 15 vjet kemi pasur presion, por kemi mbetur dhe duhet të na japin mbështetjen morale, të na dëgjojnë se çka mendojmë dhe çka na duhet dhe të na japin mbështetjen financiare”.

Një qytetar tjetër që kishte dalë për të votuar, tha se shpreson që veriu i Kosovës të mbetet pjesë që administrohet nga Serbia:

“Gjithë kam votuar për zgjedhjet e Serbisë, pra për këtë kam dalë edhe sot. Shpresojmë që do të mbesim në Serbi. Shpresojmë të ndryshojnë gjërat për të mirë, por dyshoj”, tha ai.

Ngjashëm u shpreh edhe një banore tjetër e veriut të Mitrovicës. Ajo tha se në atë vend ku jeton, ka mungesë sigurie:

“Kam votuar, sepse janë zgjedhje të Serbisë. Më herët s’kam dalë, sepse jam kundër marrëveshjes së Brukselit. Nuk pres asgjë. Na mungon siguria dhe të jem në Serbi, por s’ka nga ajo asgjë”.

Kurse, zëvendëskomandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë gjatë gjithë kohës ka qenë e qetë dhe pa incidente.

“Policia e Kosovës sikurse edhe në rajonet e tjera edhe në rajonin e veriut ka bërë punën e saj, në bazë të kërkesës së OSBE-së. Gjatë këtij procesi nuk është shënuar asnjë incident i vetëm. Sa i takon ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike Policia e Kosovës ka kryer obligimet e saj në përpikëri”, ka deklaruar Hoti.

Qeveria e Kosovës, më herët, kishte sjell vendim që të gjithë qytetarët me dy nënshtetësi mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe që këtë proces ta mbështesë OSBE-ja përmes “qendrave për grumbullimin e votave”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Serbia nuk ka mundur të organizojë zgjedhje në Kosovë, porse serbët e Kosovës kanë të drejtë të votojnë.

“Me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë në dy nënshtetësi dhe kjo e drejtë duhet të respektohet, pa kurrfarë dallimesh”, kishte thënë Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, në Luginën e Preshevës, Riza Halimi, gjatë ditës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se procesi zgjedhor atje ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur incidente.

Ai ka bërë të ditur se pavarësisht disa kërkesave të disa partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës, që shqiptarët të mos marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, ato u zhvilluan normalisht.

Shqiptarët e Luginës, sipas Halimit, kanë pasur parasysh edhe thirrjet e autoriteteve kosovare që të dalin në votime. Thirrjet e ekzekutivit kosovar dhe vizitat e zyrtarëve të lartë të ambasadave nga Beogradi kanë ndikuar që shqiptarët të dalin në zgjedhje.

“Ma merr mendja se efektin më të madh e kishte edhe deklarata e djeshme e kryeministrit të Kosovës, i cili në mënyrë shumë të qartë dha një përkrahje shumë të qartë për pjesëmarrje aktive të shqiptarëve në procese demokratike dhe në zgjedhjet e sotme në Serbi. Dhe, dalja sot është mbi parashikimet e mia personale që i kam pasur në fillim të kësaj fushate”, ka theksuar Halimi

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka cilësuar si mashtrime deklarimet e zyrtarëve qeveritarë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhjet e saj në Kosovë, porse qytetarëve serbë u mundësohet votimi nëpërmjet pikave grumbulluese që i organizon OSBE-ja.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se qytetarëve duhet t'iu thuhet e vërteta.

“Po thuhet: Serbia s'po organizon zgjedhje, po grumbullon vota. A mund të grumbullohen votat pa zgjedhje? Çka t'i themi këtij mashtrimi të radhës?, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Zgjedhjet e përgjithshme serbe janë mbajtur edhe më parë në Kosovë, por dallimi i vetëm këtë radhë është në numrin e vendvotimeve dhe emërimin e tyre që në vend të qendrave të votimit, sivjet flitet për qendra grumbullimi.

Sido që të jetë, opozita në Prishtinë konsideron se mbajtja e këtyre zgjedhjeve në Kosovë, paraqet shkelje të sovranitetit të shtetit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG