Ndërlidhjet

Maqedoni: Qytetarët kërkojnë politikanë të rinj


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Gjatë zgjedhjes së 120 deputetëve të parlamentit të Maqedonisë zbatohet sistemi proporcional zgjedhor me lista të mbyllura në 6 njësi zgjedhore, nisur nga ajo se ky model mundëson transferim të barabartë të votave në mandate të deputetëve, njëherësh edhe përfaqësim të barabartë gjinor.

Por, e keqja qëndron në atë se në bazë të këtij modeli, është lideri i partisë ai që përcakton kandidatët favoritë që do të marrin mandatin e deputetit.

Ndërkohë që partitë politike shqiptare dhe ato maqedonase, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara më 27 prill, bëjnë dhe kalkulimet e fundit të përcaktimit kandidatëve për deputetë, shumica e qytetarëve, në pamundësi për të vendosur se cilët do të jenë deputetët që do t`i përfaqësojnë, të cilën gjë e mundëson sistemi zgjedhor me lista të hapura, nga krerët e partive politike kërkojnë të përcaktohen për kandidatë të rinj, që janë dëshmuar në profesionet e tyre dhe jo kandidatë të dëgjueshëm ndaj urdhrave të partisë.

“Shumica e politikanëve aktual janë të dështuar dhe mendoj se mirë do të ishte që partitë politike të dalin me fytyra të reja, të cilët kanë kryer fakultete të ndryshme në Evropë dhe botë dhe përmes eksperiencës së tyre, këtu të instalojnë dhe ide të reja.
Kjo, sepse idetë e politikanëve të vjetër kanë dëshmuar qartë se asnjëra parti nuk është duke punuar për popullatën, por punon për interesat e veta personale”
, thekson Jakup Reka, biznesmen.

Ndërkaq, Valon Arifaj, administrator, thotë se beson te kuadrot e reja, sepse ata nuk janë pengje të aferave të caktuara korruptive, për të cilat gjithnjë e më shumë informojnë mediat.

“Te partitë politike, gjegjësisht politikanët më të vjetër në profesion, jo në moshë, duket se ka hyrë më thellë interesi personal i tyre dhe duket se i kanë lënë anash interesat kombëtare dhe ato shoqërore”, shprehet Valoni.

Derisa Pero Popovski thotë se u beson politikanëve më të moshuar, ata të cilët tashmë janë pjesë e politikës, sepse beson në përvojë.

“Po mund të mbeten politikanët e vjetër, janë më me përvojë dhe dinë si të menaxhojnë me situata të vështira gjatë drejtimit të shtetit”, konsideron Pero Popovski, pensionist.

Por, ka edhe të tillë që kanë humbur shpresat se deputetët, për të cilët votojnë, do të angazhohen për të ndryshuar gjendjen në funksion të një jete më të mirë në vend.

“Çfarë t`u them, ne jemi të detyruar të jetojmë sot për nesër, pa asnjë perspektivë për të rinjtë, unë jam i detyruar të kujdesem për fëmijët, edhe pse të dy janë të diplomuar, por nuk gjejnë punë. Andaj nuk më interesojnë zgjedhjet, nuk dal për të votuar”, thotë Angelle Damjanovski, mekanik.

Edhe Myrtezan Fazliu, punëtor, pohon se ka humbur tërësisht besimin te politikë-bërësit se do të mund ta ndryshojnë gjendjen e rëndë socio-ekonomike.

“Kur është puna te paraja, krejt janë njëjtë, qofshin maqedonas apo shqiptarë, janë krejt njëjtë, asgjë s’ka prej politikanëve në Maqedoni. Çka kanë bërë ata për ne? Hiç, asgjë, ja shihet realiteti, njerëzit pa punë, ecin kot rrugëve”, thotë Myrtezani.

Ndryshe, Asociacioni qytetar “Most” dhe Instituti Nacional Demokratik – NDI, kanë organizuan një varg debatesh publike me qëllim të promovimit të idesë që deputetët e përbërjes së re parlamentare të zgjidhen me lista të hapura gjegjësisht përmes votimit preferencial, ku votuesi përpos që zgjedh partinë, voton për një ose më shumë kandidatë, për të cilët ka besim se do t’i përfaqësojë me dinjitet interesat e tyre.

Edhe pse kjo ide në masë të madhe gjeti përkrahje te qytetarët, partitë politike më të mëdha në Maqedoni në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, nuk e panë të arsyeshme ta aplikojnë këtë rregullativë, gjegjësisht që zgjedhja e deputetëvë të bëhet përmes listave të hapura.

Analistët politikë theksojnë se në këtë mënyrë partitë politike shprehin fuqinë e lidershipit për t’i zgjedhur në mënyrë pothuajse krejt personale kandidatët për deputet.

Një përçarje e thellë tashmë është evidente në caktimin e kandidatëve për deputetë në njësinë zgjedhore 5 nga PDSH-ja e Menduh Thaçit, e cila listë ashpër u kundërshtua nga dega e kësaj partie në Strugë në krye me kryetarin e zgjedhur në këtë komunë Zijadin Sela.
XS
SM
MD
LG