Ndërlidhjet

Pas veteranëve, zgjidhet fati i viktimave të luftës


Ilustrim

Ilustrim

Kur të zgjidhet përfundimisht çështja e veteranëve të luftës, mund të pritet hapja e debatit për zgjidhjen e kauzës për rehabilitimin e viktimave që mbijetuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, vlerëson një aktiviste e të drejtave të grave.

Igballe Rogova, që drejton Rrjetin e Grave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se projekt-ligji që do të trajtojë këtë kategori të shoqërisë, ka hasur në pengesa financiare, për shkak të kostos që do të bartë.

Sipas saj, kjo është pengesa kryesore e ecjes para të këtij legjislacioni që i ofron mbrojtje ligjore të mbijetuarve të luftës.

“Projekt ligji është duke u punuar, me sugjerimet për buxhetin, sepse është kërkuar buxhet më i lartë, dhe brengosjen e tyre për shkak të numrit që është paraqitur në projekt-ligjin, që është 20 mijë gra”, thotë Rogova.

Të enjten, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë, projekt-ligjin e veteranëve të UÇK-së, i cili rregullon mbrojtjen ligjore dhe të drejtat e kësaj kategorie.

Gratë dhe burrat të cilët mbijetuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, janë të përfshirë në një projekt-ligj tjetër, i cili rregullon çështjen e viktimave civile të luftës.

Rogova shpjegon, se mbulimi financiar i kësaj kategorie ka bërë që kjo të jetë pengesë për ecjen tutje të kësaj kauze, e cila prej pas luftës është konsideruar si temë e panevojshme për t’u rregulluar me ligj.

Pas luftës janë marr shumë aktiviste për të drejtat e grave, kanë punuar me gratë e mbijetuara që kanë qenë mbijetuara të dhunës seksuale. Gjithashtu edhe organizatat ndërkombëtare. Me kalkulimet, ku kanë qenë kampet, me intervistat që janë dhënë, është ardhur në këtë numër [20,000 viktima të dhunimit]”, thotë ajo.

Sipas saj, fillimisht ishte menduar një pension prej 300 euro për viktimat e dhunimit, mirëpo kjo tani është ulur në një shumë, që ajo e cilëson si të mjerueshme.

“Është zvogëluar buxheti, nga 300 që ka qenë kërkesa në 100 euro, beneficion material, sikurse janë edhe për të tjerat, viktimat e luftës. Mirëpo mendoj se ka stagnuar pak procesi derisa të përfundojë çështja e veteranëve të luftës, sepse ajo është një çështje krejt në veti”, shpjegon Rogova.

Behxhet Shala, që drejton Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë, se viktimat e dhunës seksuale, po mbesin viktima të të fortëve.

Avokati i të drejtave të njeriut, mendoi se kompensimi financiar i këtyre viktimave, duhet të jetë i dinjitetshëm.

“Këtu flitet për një shumë minimale 300 euro. Por ne mendojmë se shuma që për këto gra shuma duhet të jetë më e madhe. Sepse vuajtja e tyre, dhe pasojat që i bartin sot, janë pakrahasimisht më të rënda se të viktimave të tjera. Domethënë, përderisa viktimat e tjera e kanë një vuajtje fizike, e cila ndoshta me kohë shërohet, këto e kanë përveç vuajtjes fizike, e kanë edhe një traumë shpirtërore, e cila është e përjetshme, dhe ndoshta asnjëherë nuk përballohet”, thotë ai.

Shala mendon se rehabilitimi i këtyre viktimave, duhet të bëhet fillimisht nga aspekti financiar, kjo për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, e cila sadopak do t’i bënte të pavarura financiarisht këto viktima.

E përse nuk ka zgjidhje për këtë kategori, ai shprehet se ato nuk paraqesin rrezik për askend, andaj edhe shteti nuk po merret me këto viktima.

“Kategoritë e tjera, e kanë zgjidhur problemin shumë më lehtë, sepse ato kategori kanë pasur potencial që ta destabilizojnë situatën. Kanë pasur potencial para zgjedhjeve ta kushtëzojnë, ta kërcënojnë jo me votë, jo me prishje të stabilitetit të sigurisë, të stabilitetit të brendshëm. Ndërkaq, këto femra e dhunuara, kanë qenë të tërhequra, dhe ato asnjëherë nuk janë imponuar vet. Deri vonë, ka munguar një zë i cili do t’i përfaqësonte vuajtjet e tyre, dhe do t’i merrte në mbrojtje”, vlerëson ai.

Kuvendi i Kosovës pritet të debatojë për këtë temë të enjten, pasi kryesia e kuvendit miratoi të hënën rendin e ditës për këtë seancë.
XS
SM
MD
LG