Ndërlidhjet

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë miratuar një deklaratë të fuqishme që dënon aksionet e Rusisë në Krime, por kanë zgjedhur masa të kufizuara ndëshkuese për vetëm 21 politikanë rusë dhe krimeanë, të akuzuar për minimin ose kërcënimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Atyre u janë vendosur kufizime udhëtimi dhe u janë ngrirë asetet.

Po ashtu të hënën, ka hyrë në fuqi një urdhër ekzekutiv i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili u ngrin asetet shtatë zyrtarëve rusë, përfshirë kryetaren e Këshillit të Federatës, Valentina Matviyenko, zëvendëskryeministrin Dmitry Rogozin, ndihmësat e presidentit rus, Vladislav Surkov dhe Sergei Glaziyev dhe tre ligjvënës rusë.

Më herët, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ngjashme ndaj udhëheqësve separatisë të Krimesë, Sergei Aksyonov dhe Vladimir Konstantinov, si dhe ndaj presidentit të përmbysur të Ukrainës, Viktor Yanukovych, dhe ish-shefit të stafit të tij, Viktor Medvedchuk.

Sanksionet e BE-së janë shumë më të kufizuara sesa ato që raportonin disa media. Një draft-listë me rreth 120 deri në 130 emra, përfshirë drejtues të kompanive shtetërore ruse, si Rosneft dhe Gazprom, ka rrjedhur në publik dhe është thënë se po shqyrtohet.

Jan Techau, drejtor i Institutit Carnegie Europe në Bruksel, thotë rrethi i parë i sanksioneve dhe lista që ka rrjedhur janë paralajmërime për Rusinë se lista mund të zgjerohet shpejt.

“Aspekti më interesant është se ka pasur një listë origjinale me 120 njerëz. Kjo ka qenë lista e vërtetë, sepse ka qenë e plotë, ka përfshirë gati secilin, përveç zotit Putin. Rusët tani e dinë se këta njerëz janë në shqyrtim dhe ky është mesazh i rëndësishëm”, thotë Techau.

Në komentet e tij për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm i Çekisë, Lubomir Zaoralek, po ashtu thotë se zgjerimi i listës së sanksioneve mund të ndodhë shpejt.

“Këtë e shoh si listë fillestare të emrave. Nuk do të thosha se lista nuk mund të zgjerohet, madje edhe gjatë takimit të ardhshëm të këshillit”, thotë Zaoralek.

Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, ka shkruar në Twitter se zyrtarët e Bashimit Evropian “janë duke diskutuar gatishmërinë për masa të mëtejshme kundër Rusisë, nëse nuk ka shtensionim të situatës”.

Përveç sanksioneve, kryetarët e qeverive të Bashkimit Evropian, në samitin e 20 dhe 21 marsit, pritet të shqyrtojnë anulimin e një samiti Rusi-BE, i paraparë të mbahet në muajin maj në Soçi.

Analisti Techau thotë se ky është një tjetër sinjal se presioni mund të intensifikohet.

“Ka një gjë interesante në samitin BE-Rusi, i cili është format i rregullt. BE-ja mban dy samite në vit me Rusinë. Është i vetmi vend me të cilin i mban. Kjo është shenjë shumë e qartë e izolimit të mëtejshëm diplomatik”, thotë Techau, duke shtuar se BE-ja është duke lëvizur çuditërisht shpejt.(v.tela)
XS
SM
MD
LG