Ndërlidhjet

logo-print

FT: Si nxiten luftërat nga tekstet shkollore të historisë?


Ilustrim

Ilustrim

Kur liderët politikë e fillojnë rishkrimin e së kaluarës, ju duhet të frikësoheni për të ardhmen, shkruan në fillim të artikullit në të përditshmen londineze Financial Times, për të shpjeguar se në Rusi, Hungari, Japoni dhe Kinë, përpjekjet aktuale të sponsorizuara politike për ndryshim të teksteve shkollore të historisë, ishin shenja alarmuese të rritjes së nacionalizimit.

Në muajin janar, Vladimir Putin e kryesoi një takim të projektuar për prodhimin e librit të ri të standardizuar të historisë për shkolla. Presidenti rus është ankuar se shumë tekste shkollore të tashme janë “mbeturinë ideologjike” dhe “e denigrojnë rolin e popullit sovjetik në betejën me fashizmin”.

Atij nuk i pëlqen sugjerimi se vendet e Evropës Lindore ishin okupuar nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1945.

Vizioni i tij i preferuar i historisë është ai se Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) i ka shpëtuar këto vende nga fashizmi, shkruan Financial Times.

Rëndësia politike e këtij kontesti historik është bërë i qartë në krizën për Ukrainën.

Moska vazhdimisht është përpjekur ta paraqes me ngjyra të zeza qeverinë e re të Ukrainës, duke e cilësuar si “fashiste” dhe duke argumentuar se liderët e saj janë pasardhës ideologjikë të ukrainasve, që luftuan së bashku me nazistët kundër Bashkimit Sovjetik të Stalinit.

Ky version i zhvillimeve tash në mënyrë energjike po promovohet në mediat ruse.

Duket ironike që Rusia e zotit Putin ka raporte të ngrohta me Hungarinë, qeveria e një vendi në ish-bllokun sovjetik, që me të drejtë mund të akuzohet për miratimin e qasjes dykuptimëshe për historinë e së djathtës.

Qeveria konservatore e Hungarisë, e udhëhequr nga Viktor Orban, duket se po e inkurajon rehabilitimin e personit Miklos Horthy, lider autoritar hungarez dhe anti-semit i viteve ndërmjet dy luftërave.

Disa shtatore të personit Horthy janë ngritur në gjithë Hungarinë, ndërsa në kryeqytetin Budapest është ngritur një pllakë.

Poashtu, po zhvillohen përpjekje për rishkrimin e teksteve shkollore të historisë për të theksuar tone më tepër “patriotike”.

Sikur me Rusinë, edhe fqinjët e Hungarisë kanë arsye të jenë të shqetësuar nga ky shpërthim i revizionizmit historik

Një nga arsyet se disa të djathtë të këtij vendi shikojnë me ngrohtësi ndaj Horthyt është se ai besonte në “Hungarinë e Madhe”, e cila një ditë do t’i rikthente territoret, të cilat ky vend i ka humbur pas Luftës së Parë Botërore. Kjo është një çështje që mbetet e shijshme për nacionalistët modernë hungarezë.

Këto përpjekje për rishkrim të librave shkollorë të historisë janë çështje për shqetësim edhe në Azi.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka sugjeruar se disa tekste shkollore kanë miratuar pikëpamje shumë “mazohiste” për historinë e vendit.

Ky sugjerim i ka tmerruar qeveritë e Kinës dhe Koresë Jugore, që edhe para ardhjes së zotit Abe në krye të qeverisë, për një kohë të gjatë janë ankuar se tekstet shkollore në Japoni, nuk i kanë parasysh krimet siç është masakra në Nanjing, në vitin 1937, ose përdorimi i skllavërisë seksuale nga ushtria perandorake japoneze.

Por, edhe Kina nuk është e pafajshme lidhur me abuzimet e historisë për qëllime nacionaliste.

Presidenti Xi Jinping i ka shpallur planet e veta për “ripërtëritje të kombit kinez” gjatë një fjalimi në Muzeun Kombëtar të Historisë në Pekin, që aktualisht ishte rikonstruktuar.

Në këtë ndërtesë i kushtohet hapësirë e madhe invazionit të Kinës nga ana e Japonisë në vitet e 1930-ta, dhe të krimeve të imperialistëve të jashtëm britanikë, francezë e të tjerë, që “i ishin vërsulur Kinës sikur bletët”.

Por, ky muze, sikur edhe librat shkollorë nga të cilët mësojnë fëmijët kinezë, është krejtësisht i heshtur për shumë miliona njerëz, që u vranë nën sundimin e Partisë Komuniste, qoftë me urinë e shkaktuar nga “kërcimi i madh përpara” ose gjatë revolucionit kulturor të Mao Zedongut, shkruan Financial Times.

Portreti i Maos ende gjendet në Sheshin Tiananmen.

Bile, edhe Britania ka përjetuar kundërthënie lidhur me mësimin e historisë në shkolla, shkruan Financial Times.

Sekretari i arsimit, Michael Gove, ka provokuar kritika të ashpra nga disa historianë eminentë, duke sugjeruar se fëmijëve po u jepet një pikëpamje tepër negative e Luftës së Parë Botërore.

Zoti Gove argumenton se ata duhet të mësohen se ishte mbrojtje e arsyeshme e lirisë dhe jo vetëm gjakderdhje e kotë.

E gjithë kjo ilustron se asgjë nuk është e pazakonshme në përpjekjet e liderëve politikë, përfshirë zotin Putin ose zotin Abe, për ndikim në mënyrën se si mësohen dhe mbahen mend historitë e vendeve të tyre.

Por, siç po shohim në Rusinë e ditëve të sotme, opinioni në kthetrat e versionit nacionalist të historisë mund të jetë gjë e rrezikshme, shkruan në fund të një artikulli të gjatë e përditshmja londineze, Financial Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG