Ndërlidhjet

Statutet neutrale mund të çojnë veriun e Kosovës në zgjedhje


Kosovo -- A woman walks over a bridge in the ethnically divided town of Mitrovica, 20Mar2013
Kosovo -- A woman walks over a bridge in the ethnically divided town of Mitrovica, 20Mar2013
Komunat veriore kanë një afat prej 30 ditëve që t’i ndryshojnë statutet e tyre dhe t’i harmonizojnë me legjislacionin e Kosovës.

Në të kundërtën, autoritetet qendrore në Prishtinë i paralajmërojnë këto komuna se mund të ballafaqohen me suspendimin e akteve të tyre apo edhe në masë të fundit me shpalljen e zgjedhjeve të reja për komunale.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka konstatuar shkelje gjatë aprovimit të statuteve të këtyre komunave.

Kryesisht bëhet fjalë për statute, simbole dhe vula që i referohen Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit si përpjekje e veriorëve që të shmangin legjislacionin e Republikës së Kosovës.

Sekretari i Përhershëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se komunave të Leposaviqit dhe Zveçanit tashmë u janë dorëzuar rekomandimet ku janë precizuar shkeljet dhe u janë bërë me dije procedurat dhe afatet ligjore për t’i bërë përmirësimet.

Ndërkaq pritet që njësoj të veprohet edhe me Zubin Potokun dhe Mitrovicën veriore.

“Ne po bëjmë gjithçka që këto statute të sillen në pajtim me ligjin. Besojmë shumë që në kontakte me lidershipet lokale të zgjedhura në këto katër komuna por edhe me komunitetin ndërkombëtar, në rend të parë me BE-në, për arsye se është një pjesë e marrëveshjes që zgjedhjet dhe puna e këtyre komunave mbështeten në ligjet e Kosovës, kjo është pjesë e marrëveshjes”, ka thënë Osmani.

Në rast se katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe nuk përfillin rekomandimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal atëherë, Besnik Osmani thotë se do të vjen në shprehje zbatimi i zgjidhjeve që parashihen me ligj.

“Legjislacioni kosovar ka paraparë një sur veprimesh që i japin autoritet qeverisë, si veprime administrative, por edhe gjykatave nga sektori i drejtësisë që mund të rezulton me vendime përfundimtare qoftë për suspendimin apo edhe anulimin e aktit. Nëse konsiderohet që këto komuna kanë cenuar kushtetutën e Republikës së Kosovës pasi që nuk ndërmarrin veprime të nevojshme për t’i përmirësuar veprimet, mund të ndodhë që të pasohet edhe me zgjedhje të reja”, ka deklaruar Osmani.

Në anën tjetër, përfaqësuesit politik nga veriu, mbrojnë veprimet e tyre duke thënë se statutet, simbolet dhe vulat e këtyre komunave duhet të jenë neutrale në raport me statusin e Kosovës.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore ka thënë se ruajtja e neutralitetit në raport me pavarësinë e Kosovës kishte ndikuar që serbët e veriut të dalin në zgjedhje.

“Ne gjatë hartimit dhe aprovimit të statuteve iu kemi përmbajtur Rezolutës 12 44 dhe Marrëveshjes së Brukselit. Kjo edhe është arsyeja pse serbët kanë dalë në zgjedhje, pra duke iu përmbajtur neutralitetit ndaj statusit të Kosovës”, ka theksuar Bozhoviq.

Përveç statuteve që nuk janë në harmoni me legjislacionin e Kosovës, komunat veriore kanë nxjerrë edhe flamur identik për katër komunat si dhe në vulat e tyre qëndron mbishkrimi, Rezolutë 12 44.

Zyrtari i MAPL-së, Besnik Osmani e ka interpretuar edhe këtë veprim si shkelje ligjore.

“Kundërshtimi ynë është edhe në këtë pikë, për arsye se katër komunat kanë të njëjtin flamur. Kurse me legjislacionin tonë komunat nuk mund të kenë të njëjtin flamur e aq më tepër flamuri i tyre nuk guxon të ngjaj me një flamur të një shteti tjetër, që në këtë rast ngjyrat i ka të flamurit të Republikës së Serbisë”, ka thënë Osmani.

Pas vërejtjeve, rekomandimeve por edhe afateve të përcaktuara ligjore nga ana e qeverisë së Kosovës, tani mbetet të priten veprimet e komunave veriore të cilat për herë të parë morën pjesë në zgjedhjet lokale sipas ligjeve të Kosovës, duke u mbështetur në Marrëveshjen Prishtinë – Beograd të arritur në Bruksel.

Injorimi i kërkesave të autoriteteve qendrore në Prishtinë, mund të çojnë veriun sërish në zgjedhje të reja lokale.
XS
SM
MD
LG