Ndërlidhjet

Anti-korrupsioni në Maqedoni, dënime vetëm në letër


Macedonia - Macedonian flag on fortress Kale in Skopje - 8Sep2012
Macedonia - Macedonian flag on fortress Kale in Skopje - 8Sep2012
Parlamenti dhe partitë politike në Maqedoni janë dy institucionet të cilat prijnë në listën e institucioneve të cilave më së paku u besohet në vend, theksohet në raportin e organizatës anti-korrupsion "Greco", që punon në kuadër të Këshillit Evropian.

Gjegjësisht, 78% e qytetarëve, gjatë hulumtimit, janë shprehur se nuk iu besojnë partive politike, kurse 69% nuk kanë besim në Parlamentin republikan.

Arif Musa, ish anëtar i Komisionit Shtetëror për anti-korrupsion komenton rekomandimin e Greco-s, gjegjësisht pjesën ku theksohet se "Komisioni Atni-korrupsion në Maqedoni nuk ka iniciuar procedurë për dënimin e funksionarëve shtetërorë ose administratorëve shtetëror të cilët edhe pse janë të obliguar me ligj pranë këtij organi, nuk kanë dorëzuar deklaratë me shkrim të pronës që e posedojnë”.

Musa vlerëson se problemi qëndron në atë se institucionet shtetërore të cilat janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin nuk e kryejnë me përgjegjësi punën e tyre, kështu i hapin dhe rrugë korrupsionit.

“Këtu problemi qëndron në moszbatimin deri në fund dhe konsekuent të ligjit për parandalimin e korrupsionit. Pra Komisioni për parandalimin e korrupsionit duhet të bëj punën për të cilën është i caktuar dhe për të cilën harxhon mjetet buxhetore.
Prioritet i komisionit duhet të jetë zbatimi i ligjit për parandalimin e korrupsionit, dhe jo që gjatë pjesës më të madhe edhe unë kur kam qenë anëtar i këtij komisioni"
.

"Por shoh se edhe tani vazhdohet me të njëjtin avaz duke u përqendruar në çështje të cila janë më periferike, siç është edukimi i administratorëve të pushtetit vendor dhe atij qendror kundrejt asaj që e ka si obligim parësor zbatimin e ligjit”, nënvizon Arif Musa.

Sipas tij, ky komision duhet të kërkojë përgjegjësi për zvarritjen e proceseve nga të gjitha institucionet tjera kompetente të obliguara me ligj të luftojnë korrupsionin duke ngritur procedurë juridike ndaj të gjitha aferave korruptive.

Zbatimi i ligjit dhe marrja e masave, ndëshkimi i atyre institucioneve apo zyrtarëve të cilët nuk e zbatojnë në mënyrë konsekuente ligjin, nga ana e komisionit pothuajse është zero, edhe më parë ishte kështu dhe është vazhduar sipas të njëjtit avaz”, thekson Musa.

Ndryshe, rroga mesatare e një deputeti në Maqedoni është 78 mijë denarëm gjegjësisht rreth 1,277 euro, ndërkohë që deputetët kanë të siguruara dhe mjete shtesë për mëditje gjatë udhëtimeve jashtë Shkupit, mjete materiale për qira për të gjithë ata deputet të cilët vijnë nga qytetet e tjera të Maqedonisë si dhe një varg privilegjesh tjera.

Por këto mjete zakonisht janë të pamjaftueshme për të blerë pasuri të patundshme në vlera marramendëse me të cilat disponojnë shumica e zyrtarëve të lartë të vendit, thekson Ana Janevska Delleva nga organizata joqeveritare Transparencë për Maqedoninë.

“Pse funksionarët nuk e deklarojnë pasurinë e tyre ka të bëjë me faktin se edhe Komisioni Shtetëror pë parandalimin e korrupsionit në një formë është jofunksional, kështu që ata nuk kanë se pse të frikësohen nga dënimet e larta, meqë dënimet realisht figurojnë vetëm në letër dhe pothuajse asnjëherë s'kanë gjetur zbatim në praktikë”, shprehet Delleva.

Sipas saj, për të qenë efikase lufta për parandalimin e korrupsionit, zyrtarët do të duhet të jenë të obliguar që njëkohësisht me deklarimin e pasurisë ata të obligohen të dëshmojnë para organeve kompetente por edhe opinionit në çfarë forme kanë ardhur deri tek pasuria e caktuar.

Ndryshe, Komisioni për Anti-korrupsion para një muaji doli me të dhëna se mbi 50 funksionarë të lartë të cilët janë të obligua me ligj nuk kanë paraqitur të dhënat e sakta se cila është vlera e pasurisë me të cilën ata disponojnë.
XS
SM
MD
LG