Ndërlidhjet

Reformat kushtetuese e zgjedhore që u reduktuan në një ligj


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e së enjtes të marrë vendim për shmangie nga Rregullorja e punës, për të mundësuar futjen në rend dite të Ligjit të “reformuar” për zgjedhjet e përgjithshme.

Procedurat kërkojnë votimin nga dy të tretat e deputetëve për shmangie nga Rregullorja e punës dhe më pas ky ligj, sikurse edhe disa të tjerë, mund të futet me shpejtësi në rend të ditës për lexim dhe aprovim gjatë dy ditëve vijuese.

Me miratimin e këtij ligji do të përmbushej kushti që Kosova të shkojë në zgjedhje me ligj të ri.

Megjithatë, shikuar nga perspektiva e nisjes së reformave, ligji i ri i reformuar, nuk është as për së afërmi në harmoni me ndryshimet që ishin zotuar më 7 prill të vitit 2011, kur Kuvendi kishte aprovuar Rezolutën për reforma zgjedhore e kushtetuese.

Kryeministri Hashim Thaçi (në mes), Isa Mustafa(djathtas) dhe Behxhet Pacolli (majtas)

Kryeministri Hashim Thaçi (në mes), Isa Mustafa(djathtas) dhe Behxhet Pacolli (majtas)

Rezoluta mbështetej në Memorandumin politik ndërmjet Hashim Thaçit (PDK), Isa Mustafës (LDK) dhe Behxhet Pacollit (AKR) të ndërmjetësuar atë kohë nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Christofer Dell.

Ajo marrëveshje kishte si qëllim tejkalimin e ngërçit politik në vend të krijuar pasi që Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit të Kosovës, nuk i kishte përfillur procedurat kushtetuese.

Andaj, marrëveshja konsistonte në mbështetjen e partisë më të madhe opozitare, LDK-së, për zgjedhjen e Atifete Jahjagës në postin e presidentes së vendit dhe krijimin e Qeverisë nën drejtimin e Hashim Thaçit për një mandat jo të plotë kushtetues, përkatësisht deri në përmbylljen e reformave zgjedhore e kushtetuese.

Me anë të Rezolutës, Kuvendi i Kosovës mbështeste zotimet dhe afatet kohore të përmbajtura në Memorandum, të liderëve politikë.

Sipas Rezolutës, Kuvendi do të inicionte ndryshimet Kushtetuese, të cilat do të përcaktonin Kosovën si një vend gjysmë presidencial. Në atë Rezolutë, parashihej që “zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë do të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj nga data, në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi”.

Me këtë Rezolutë, formohej edhe një Komision për ndryshimet kushtetuese. Pika kryesore ishte zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit, si dhe ndryshimi i kompetencave dhe përgjegjësive të këtij institucioni.

Po ashtu, Kuvendi mbështeste dhe zotohej të respektonte edhe afatet e përcaktuara në Memorandumin e liderëve politikë që pas 8 - 12 muajve nga themelimi, një Komision ad-hoc parlamentar do t’i bënte ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që 18 muaj pas, vendi të shkonte në zgjedhje parlamentare.

Aso kohe, parashihej që zgjedhjet të mbaheshin me një sistem të ri zgjedhor. Flitej për krijimin e disa zonave, mbylljen e listave, ndryshimin e votës preferenciale e ndryshime tjera që preknin në esencën e vetë sistemit.

Sipas Rezolutës, Kuvendi më pas themeloi dy komisione parlamentare. Komisionin për ndryshime kushtetuese që drejtohej nga deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, dhe Komisionin për reformën zgjedhore që drejtohej nga deputeti i LDK-së, Haki Demolli.

Muajt e parë të punës së këtyre komisioneve ishin mjaft frytdhënës. Gjithçka ecte sipas marrëveshjes. Mirëpo, sa afrohej afati i përmbylljes së punës, filluan edhe zvarritjet.

Nga Komisioni për reformën zgjedhore, kryetari Haki Demolli kërkoi që për disa pika, të ulen sërish liderët politikë që të vendosin, pasi që nuk mund të arrihej konsensusi në Kuvend.

Ndërkaq, Komisioni për Ndryshime Kushtetuese në fillim të pranverës së vitit 2012 kishte dërguar njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament, të cilat fillimisht i ishin proceduar Gjykatës Kushtetuese.

Mirëpo, më 07 korrik 2012, instanca më e lartë për interpretimin e Kushtetutës kishte interpretuar si shkelje kërkesën që me anë të marrëveshjes politike dhe ndryshimeve kushtetuese t’i shkurtohet mandati presidentes Atifete Jahjaga.

Një interpretim i tillë, bëri të pamundur vazhdimin e reformave Kushtetuese, andaj mbeten në “jetë” vetëm reformat zgjedhore.

Nga interpretimi i Kushtetueses, më shumë ishte prekur LDK-ja, e cila më 29 gusht 2012, vendosi të pezullojë punën e vet në komisionet e formuara.

Haki Demolli

Haki Demolli

“Kemi mbajtur takimin e fundit të Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe ne, dy përfaqësuesit e LDK-së, duke e pasur parasysh mosrespektimin e marrëveshjes trepalëshe, tërhiqemi nga Komisioni deri në momentin kur kjo marrëveshje të zbatohet”, pati deklaruar Demolli.

Largimi i LDK-së dhe skadimi i mandatit të komisioneve të formuara për ndryshimet kushtetuese e ligjore, e bënë reformën si një proces që më shumë rikujtohej nga mediat dhe shoqëria civile sesa nga aktorët politikë.

Por, në fund të vitit 2013, koalicioni qeverisës pëson një deformim, ngaqë po e humbte përkrahjen në Kuvend. Krijimi i një fraksioni brenda PDK-së dhe fillimi i distancimit të një pjese të opozitës që në vazhdimësi e mbështeste ekzekutivin për vendime të caktuara, e rrezikuan seriozisht ekzistencën dhe punën e qeverisë aktuale.

Megjithatë, që të mos vinte deri te bllokada institucionale, në proces ishte përfshirë sërish edhe faktori ndërkombëtar, që mblodhi pozitën dhe opozitën për të diskutuar një rrugëdalje e cila synonte të çonte vendin në zgjedhje, por me miratimin paraprak të disa ndryshimeve ligjore.

Tani, çështja më e ndjeshme ishte ajo e ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë. Dy parti opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, këmbëngulnin se nuk do të pajtohen të bëhen ndryshime kushtetuese për t’iu dhënë mundësinë pakicave të vazhdojnë mandatet e rezervuara edhe për katër vjetët e ardhshëm.

Si kundërpërgjigje, komunitetet pakicë “kërcënuan” shumicën se nuk do të japin votën e tyre të domosdoshme për ndryshimet kushtetuese kur të vijë në rend dite avancimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës, vendet e rezervuara pushojnë nga mandati i ardhshëm, me çka komunitetet mund të humbin të paktën pesë vende në Kuvend. Pas zgjedhjeve të ardhshme, fillon mandati i 20 vendeve të garantuara, të cilat do të ndaheshin 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera.

Sidoqoftë, me termin reformë apo jo, procesi vazhdoi me vendimin për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Puna iu ngarkua Komisionit për Legjislacion.

Me vendimin e fundit, ligji i ri zgjedhor u vendos që të mos prekë në asnjë nen të Kushtetutës. Një nga arsyet pse partitë e shumicës nuk duan të çelin Kushtetutën për ndryshime, ishte pikërisht edhe droja e tyre se komunitetet pakicë mund të insistojnë në vendet e rezervuara.

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kishte arsyetuar këtë si një ndryshim të panevojshëm. Madje, ai kishte preferuar që nëse duhet patjetër të vazhdohen ulëset e rezervuara për pakicat, kjo të bëhet me marrëveshje politike.

“Pasi që është fjala për një mandat, nuk ka asnjë arsye që të ndryshohet Kushtetuta dhe kjo çështje të futet si pjesë e Kushtetutës”, kishte deklaruar Krasniqi.

Paralelisht me zhvillimet rreth Ligjit zgjedhor, partitë politike prezantonin edhe preferencat e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Përderisa AAK-ja kishte nisur një mocion, por i cili i dështoi për rrëzimin e Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, arritën edhe një marrëveshje në lidhje me zgjedhjet.

Ndonëse jo e karakterit të memorandumit të prillit të vitit 2011, marrëveshja Thaçi - Mustafa e vitit 2014 parashihte qershorin si afat optimal për mbajtjen e zgjedhjeve.

Sidoqoftë, me miratimin e Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, do të krijohen parakushtet që zgjedhjet të shpallen edhe para skadimit të mandatit kushtetues të institucioneve. Kjo, për arsye se Qeveria konsiderohet se nuk i ka më 61 votat minimale në Kuvend për të siguruar mbijetesën dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme.

Pavarësisht të gjitha ndryshimeve që ishin propozuara në prill të vitit 2011, krejt çka paraqet si risi është shkurtimi i kohës së fushatës zgjedhore.

Ndërkaq, mbetet që Kosova të mbetet sërish një zonë zgjedhore, listat e hapura me votën preferenciale për 5 apo 10 kandidatë. Pragu zgjedhor, ka mbetur 2.5 për qind për kandidatët e pavarur, 5 për partitë politike dhe 7.5 për koalicionet parazgjedhore.

Kështu që, ndryshimet e propozuara, analistët i kanë cilësuar më shumë të karakterit teknik të organizimit e mbarëvajtjes së zgjedhjeve, sesa të reformimit të sistemin zgjedhor që ishte synuar më 2011.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG