Ndërlidhjet

logo-print

Ankth dhe pasiguri për të zhdukurit e Maidanit


Kiev...

Kiev...

Faina Taran beson se ajo e ka parë djalin e saj, Ivanin, për herë të fundit në televizion.

Si shumë të tjerë në Ukrainë, Faina, 66 vjeçe, ka përcjellë lajmet më 20 shkurt, gjatë përleshjeve të përgjakshme në Kiev. Rastësisht, kamera ka kapur djalin e saj, 39 vjeç, një aktivist në vijën e parë të fronit.

Dy shokë të tij janë qëlluar dhe Ivani, i plagosur, u është vërsulur oficerëve të policisë speciale Berkut. Ai është zhdukur më pas në përleshje.

Një muaj pas rënies së Viktor Yanukovychit, akstivistët e Euromaidanit vazhdojnë të kërkojnë 183 ukrainas, të cilët kanë humbur në kaosin e betejës dhe revolucionit.

Kjo nënkupton një të vërtetë të pazgjidhur – se numri real i të vrarëve është i paqartë dhe se rrethanat e këtyre zhdukjeve mund të mos zbulohen kurrë.

Faina ka frikë nga më e keqja.

“Nuk kemi as edhe një gurë varri. Kur varrosni dikë, së paku mund të vizitoni varrin. Nuk di ku ta kërkoj dhe çfarë të shpresoj. Nuk e di se çfarë mund të bëj”, thotë Faina.

Kurorat e luleve ende qëndrojnë në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, ashtu si edhe ankthi i pazgjidhur. Shifrat e të vdekurve dhe të zhdukurve kanë zbehur ndjenjat e euforisë pas përmbysjes së Yanukovychit.

Grupi Euromaidan SOS, i cili ka udhëhequr një iniciativë vullnetare për kërkimin e të zhdukurve, thotë se ka regjistruar rreth 700 të zhdukur prejse kanë shpërthyer protestat vitin e kaluar, ndërsa aktualisht llogariten 183.

Zhdukjet janë ende duke u raportuar.

Dhe, kur faktet nuk materializohen, thashethemet flasin për më të keqen. Disa thonë se dhjetëra persona janë djegur për vdekje në ndërtesën e Unionit Tregtar, në Sheshin e Pavarësisë.

Të tjerë dyshojnë se disa aktivistë janë rrëmbyer, vrarë dhe mbetjet e tyre janë djegur.

Nazariy Boyarskiy, aktivist në Euromaidan SOS, thotë se zjarri në ndërtesën e Unionit Tregtar ka marrë pesë jetë dhe shton se nuk ka prova që mbështesin thashethemet e zymta.

Ai bën thirrje për optimizëm të matur për të zhdukurit, duke u thirrur në rastin e aktivistit Dmytro Bulatov, i cili është zhdukur në janar, është supozuar i vdekur nga shumë njerëz, por është rishfaqur i gjallë tetë ditë më vonë, ndonëse i torturuar.

Ekziston po ashtu frika se me përshkallëzimin e konfrontimeve në lindje dhe në jug, zhdukjet mund të shumohen.

Në Krime, të dielën, Kisha Katolike Greke ka raportuar zhdukjen e tre priftërinjve të saj, të cilët janë rishfaqur më vonë. Një tatar i Krimesë është gjetur i vdekur me shenja të torturës.

Boyarskiy thotë se ka katergori të ndryshme të zhdukjeve në Kiev.

Sipas tij, disa janë zhdukur sepse janë arrestuar, të tjerët pasi janë trajtuar në objekte “tinëzare” mjekësore, ndërsa një pjesë e vogël nuk ka të bëjë me kryengritjen në Maidan.

Këtë javë, Faina dhe mbesa e saj 18-vjeçe, Natasha, kanë udhëtuar tri herë nga shtëpia për në qytetin Rivne Oblast, për të dhënë intervista për televizionin lokal. Ato kanë postuar fotografitë e Ivanit në billborde në qendër të Kievit. Faina tani kujdeset për tre fëmijët e Ivanit në fshatin Kvitneve.

“Çdo ditë e çdo natë shpresoj se ai është gjallë dhe se do të kthehet. Ata do të më ndihmojnë për ta gjetur. Unë nuk di”, thotë Faina.(v.tela)
XS
SM
MD
LG