Ndërlidhjet

Mbrojtje ligjore për personat e dhunuar gjatë luftës


Ilustrim
Ilustrim
Kuvendi i Kosovës me 69 vota për, 9 kundër dhe 1 abstenim ka miratuar në shqyrtimin e dytë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e "Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre".

Prej sot e tutje, ligji mban emrin "Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre".

Për t'u njohur më shumë me beneficionet që do t'i gëzojë kjo kategori ose jo,klikoni këtu.

Miratimi i këtyre ndryshimeve në ligj pason një debat të zhvilluar për krijimin e kushteve për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e viktimave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, tha para miratimit të ligjit se kategoria e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës kërkon një përkrahje institucionale dhe të shoqërisë.

“Edhe ajo kategori si edhe kategoritë e tjera që kanë pësuar nga lufta, duhet ta kenë një jetë të dinjitetshme dhe duhet të kenë përkujdesjen e shoqërisë dhe institucioneve të shtetit”, deklaroi Krasniqi.

Deputetja Time Kadriaj, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ndryshimet në ligjin i cili u miratua i dedikohen kryesisht kategorisë së personave të dhunuar seksualisht në luftë.

“Kjo kategori do të marrë benificione materiale po do të këtë dhe benificione të tjera si në shëndetësi apo punësim dhe benificione tjera. Do të thotë, krejt ajo çka u votua sot janë amendamente që i dedikohen kësaj kategorie”, tha Kadriaj.

Ndërkohë, deputetja Rada Trajkoviq ka thënë se përkundër rezervave dhe mospërkrahjes ndaj të gjitha favoreve që iu bëhen ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ka një tjetër qëndrim në lidhje me gratë e dhunuara seksualisht.

“Pas luftës, të gjithat mund t’i rindërtojmë, edhe shtëpitë e rrënuara, edhe infrastrukturën e shkatërruar, mund t’i bëjmë shumë gjëra duke sanuar atë që ka ndodhur, por pasojat e dhunimeve janë me të vërtetë të përhershme te të gjitha ato gra të cilat i janë nënshtruar një akti të tillë të njerëzve të papërgjegjshëm”, ka thënë Trajkoviq dhe ka kërkuar trajtimin e drejtë të kësaj kategorie.

Intervistë me Nazlie Balaj

Intervistë me Nazlie Balajn, për dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kurse, aktivistja e të drejtave të grave Nazlie Balaj pas miratimit të këtij projektligji tha për Radion Evropa e Lirë se është shumë e rëndësishme që është miratuar ligji dhe tash, siç tha ajo, duhet të shihet zbatimi i tij në praktikë.

“Është përmbushur kërkesa që këto gra të jene të mbrojtura, të jenë të përfshira në drejtësinë e Kosovës".

"Edhe pse kjo vonesë 14 vjeçare, mirëpo, kërkesa e shoqërisë në tërësi ka qenë dhe është që të sjellim drejtësi për këto gra. Për proceset e mëtutjeshme mbi implementimin dhe për format e analizës mbi këtë kategori besoj që mbetet te akterët kryesor, të cilët do të merren drejtpërdrejtë me çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës”
, tha Balaj.

Amnesty International kishte kërkuar të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës të garantojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke miratuar ndryshimet në ligj.

“Dhunimi dhe krimet tjera të dhunës seksuale të kryera gjatë konfliktit në Kosovë janë të barabarta me krime lufte”, ka vlerësuar përmes një komunikate për shtyp, Amnesty International, për të shtuar se miratimi i ligjit të enjten është një hap përpara drejt arritjes së drejtësisë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka krijuar më 7 mars një Këshill Kombëtar për të mbijetuar e dhunimeve gjatë luftës.

“Dhunimi dhe krimet tjera të dhunës seksuale të kryera gjatë konfliktit në Kosovë janë të barabarta me krime lufte”, ka vlerësuar përmes një komunikate për shtyp, Amnesty International, për të shtuar se miratimi i ligjit të enjten është një hap përpara drejt arritjes së drejtësisë.

Çështja e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është përballur me një mur heshtjeje deri tash. Aktivistë të të drejtave të njeriut shpesojnë se korniza ligjore do të ndihmojë në vendosjen e drejtësisë për këtë kategori të viktimave të luftës.
XS
SM
MD
LG