Ndërlidhjet

logo-print

Luftë sanksionesh ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë

  • RFE /RL

Edhe dymbëdhjetë rusë dhe pro-rusë do të pësojnë sanksione nga ana e Bashkimit Evropian pas vendosjes së aneksimit të Krimesë.

Emrat e atyre që janë në shënjestër, pritet që të bëhen publike më vonë gjatë ditës.

Se ka sanksione të reja e ka bërë me dije sot presidenti frances, Francois Hollande, para nisjes së takimit të krerëve dhe shefave të qeverive të shteteve të Bashkimit Evropian, i cili po mbahet në Bruksel dhe temë diskutimi e ka situatën në Ukrainë.

Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, tha ndërkaq se sanksionet ndaj Rusisë nuk parashihen të jenë “si hakmarrje” por po bëhen me qëllim të ndalimit të veprimeve ruse në Ukrainë.

“Ne po shohim se sanksionet që tashmë janë vendosur janë duke pasur efekt në klimën e investimeve në Rusi”, ka thënë ai.

Me publikimin e 12 emrave të rinj nga ana e BE-së, numri i të sanksionuarve nga blloku i shteteve të BE-së, do të arrijë në 33.

Të enjten presidenti amerikan, Barak Obama, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara kishin vendosur sanksione shtesë ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë.

Masat shtesë, kishin në cak zyrtarët e lartë të Rusisë dhe individët me ndikim të madh në qeveri, por edhe një bankë që ofron mbështetje financiare për lidershipin në Rusi.

Me sanksionet e reja, janë sanksionuar edhe 20 zyrtarë të lartë rus, duke përfshirë edhe shefin e kabinetit të presidentit rus, Vladimir Putin, njëherësh bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Sergei Ivanov.

Gjatë paraqitjes së tij, Obama tha se e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që mund të çojë në sanksionimin e sektorëve kyç të ekonomisë ruse, nëse një hap i tillë vlerësohet të jetë i domosdoshëm.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se 20 persona janë vënë në shënjestër si rezultat i sanksioneve të reja.

E, si hakmarrje ndaj sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, Rusia, mbrëmjen e së enjtes vendosi sanksione për nëntë ligjvënës dhe zyrtarë amerikanë.

Ministria e Jashtme ruse, njoftoi se, zyrtarët amerikanë të cilët nga tash e kanë të ndaluar të hyjnë në Rusi, janë senatorët Robert Menendez, Mary Landrieu, John McCain, Daniel Coats, drejtuesin e shumicës në senat Harry Reid, kryetarin e Dhomës së përfaqësuesve Xhon Bohner, si dhe ndihmësit presidencialë Caroline Atkinson, Daniel Pfeiffer edhe Benjamin Rodosit.

Ministria e Jashtme ruse, tha se “nuk ka dyshim që Moska do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme pas çdo lëvizjeje armiqësore që bëhet nga ShBA-ja”.

Vënia e sanksioneve nga SHBA-ja, të premten ka shtyrë një miliarder rus që t’i shesë aksionet e tij që i kishte në kompaninë e naftës “Gunvor”.

Miliarderi rus, Gennady Timchenko, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, pjesën e tij të aksioneve, ia ka shitur një kompanie të Qipros.

Timchenko është njëri nga 20 zyrtarët dhe biznesmenët që shihen si persona të afërt me presidentin Putin, e të cilët u përballën me sanksione nga Thesari amerikan, gjatë ditës së enjte.
XS
SM
MD
LG