Ndërlidhjet

Nënshkrimi i Kontratës Kolektive më tepër ka qëllime politike, se sa ekonomike, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Azemi, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar Kontratën Kolektive. Cilat do të jenë përfitimet e sektorit privat nga ky dokument?

JUSUF AZEMI
Nga ky dokument unë nuk pres ndonjë përfitim shtesë, pres ato që kanë qenë më herët. Përfitimi që do të mund të jetë, është mundësia e zbatimit të saj, pasi unë nuk e kam ditur se Kontrata e Përgjithshme Kolektive nuk do të fillojë të zbatohet deri në fillim të vitit të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Dyshoni se kjo kontratë do të ketë fatin e Kontratës së vitit 2005, se cilës i ka skaduar afati pa filluar zbatimin?

JUSUF AZEMI
Unë them se është bërë mirë që është nënshkruar, por megjithatë këtu ka një prapavijë politike, pasi pse të nënshkruhet kur thuhet se ka mungesë të mjeteve buxhetore?!

Prapë po e them se moszbatimin e kontratës, të cilën po themi se është në “fuqi”, fajtore kryesore është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjegjësisht organet qeveritare. Për atë them se ne kërkojmë që Qeveria, me mekanizmin e vet ta luftojë luftën e keqe në sektorin privat. Atë që e kemi në plan të bëjmë, është që të gjithë dokumentacionin dhe gjendjen që është në terren, do ta faturojmë tek Inspektorati i Punës. Dhe, aty do të vërehet përfundimisht nëse ky inspektorat do të jetë i interesuar që ta zbatojë këtë kontratë.

Por, me gjithë faktin kur në këtë kohë është nënshkruar kjo kontratë, për mua më tepër ka qëllime politike, se sa ekonomike, sepse është një dyshim, nëse Qeveria ndërrohet dhe në pushtet vjen një parti tjetër politike, atëherë mund të arsyetohet se kjo kontratë ka një ngarkesë buxhetore dhe nuk ka mundësi zbatimi.

Pse Qeveria u ngut aq shumë? Nëse zgjedhjet janë edhe dy-tre muaj, pse të nënshkruhet në këtë kohë?! E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitin 2005, kur është bërë nënshkrimi i Kontratës Kolektive, do të thotë është nënshkruar dy-tre muaj para se të mbahen zgjedhjet. Për këtë dyshoj se më tepër janë përfitime për pikë politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht periudhës kohore se kur do të hyjë në fuqi Kontrata e Përgjithshme Kolektive, sa besoni se mund të zbatohet nga sektori privat?

JUSUF AZEMI
Kjo do të zbatohet, aq sa sindikata të jetë e fuqishme dhe sa do t’i dalë në ndihmë Inspektorati i Punës dhe Ministria, me mekanizmat e tyre që ky dokument të zbatohet. Nuk mund të jetë vetëm një partner që mund të bëjë zbatimin, qoftë Ministria e Punës, qoftë Sindikata. Por, nëse bashkërisht koordinohen këto dy institucione, atëherë mendoj se do të ketë efektet e veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Azemi, pas rritjes së pagave në sektorin publik, sindikata juaj ka kërkuar rritjen e pagave edhe në sektorin privat. Sa shpresoni se mund të realizohen kërkesat e juaja?

JUSUF AZEMI
Se sa besojmë, jemi ata të cilët me punën tonë ndoshta do t’u imponohemi që t’i rrisin këto paga, edhe pse themi kështu në një farë forme skepticizmi. Kemi disa shenja paralajmëruese sepse në Sindikatën tonë vijnë disa pronarë të kompanive që janë të gatshëm të nënshkruajnë një marrëveshje lidhur me rritjen e pagave të punëtorëve, çka po them se është një sinjal shumë i vogël, po megjithatë e pata një dëshirë shumë të madhe sot kur një pronar i një kompanie, gjegjësisht pronari i kompanisë “Beki company” na ftoi dhe kërkoi që të jemi prezent në rritjen e pagave të punëtorëve të kësaj kompanie. Kjo ishte një simbolikë, dhe tha se do të stimulojë punëtorët, të cilët janë më të mirë, domethënë ishte një sinjal i mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni bërë kërkesat e Sindikatës në Ekzekutiv?

JUSUF AZEMI
Ne, në një takim që e patëm para rreth një jave, ashtu edhe siç kemi thënë, edhe kemi kërkuar nga kryeministri dhe rektori i Universitetit, i cili ka të bëjë me disa kompani, për punëtorët në fakultete; kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe të gjitha organeve relevante u kemi kërkuar që të kemi takim me të dhe të bisedojmë për rritjen e pagave të sektorit privat. Faktikisht, atë që e kam thënë, nuk e kam thënë nga euforia dhe ngutja.

Do të presim deri javën tjetër. Punëtorët, tash, nëse mund të shkojmë te zyra jonë, është një numër shumë i madh i punëtorëve që duan të anëtarësohen në këtë sindikatë dhe kërkojnë të drejtat e veta. Javën tjetër sigurisht se do të ketë lëvizje, për këtë jam shumë i bindur, për përmirësimin e kushteve të këtyre punëtorëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Thoni që javën e ardhshme do të ketë lëvizje, nëse jo, në çfarë formash do t’i shprehni pakënaqësitë?

JUSUF AZEMI
Ne jemi pothuajse në çdo moment në terren dhe nga terreni erdha këtu. Sigurisht se nuk do të ndërmarrim ndonjë fushatë të përgjithshme në nivel të Kosovës, por tek ato kompani, te të cilat vërejmë se janë joserioze ndaj punëtorëve. Domethënë, do t’i ndajmë kompanitë veç e veç, një nga një dhe me këtë dëshirojmë të sensibilizojmë aty ku kompanitë nuk i kryejnë obligimet e tyre ndaj punëtorëve, e në anën tjetër duam ta njoftojmë edhe Qeverinë dhe institucionet tona se vërtet kishte dalje bombastike për rritjen e pagave në sektorin publik, kurse sektori privat, e kam thënë dhe prapë po e them, po konsiderohen si një fuqi punëtore e dorës së tretë apo të katërt.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekzekutivi nuk ka mundësi që t’i rrisë pagat në sektorin privat, por ku, sipas jush ka hapësirë që të ndërhyjë ekzekutivi, në mënyrë që të përmirësohet gjendja në këtë sektor?

JUSUF AZEMI
Nuk do të thotë që vetëm paratë janë ato që bëjnë përfundimin e marrëveshjeve. Ekzekutivi e ka mundësinë më të madhe që të bëhet implementimi i kësaj kërkese të cilën e kemi kërkuar, sepse Qeveria do të thotë prerazi duhet të kërkojë nga Inspektorati i punës, që aty ku sheh parregullsi, duhet të intervenojë dhe me vetë faktin kur intervenon, deshe s’deshe rritja e pagave duhet të bëhet patjetër.

Keq e kanë kuptuar edhe shumë kompani ose punëdhënës pagën minimale. Paga minimale nënkupton ato kompani, të cilat janë në falimentim e sipër. Nuk mund të thuash se pagë minimale merr një punëtor 130 euro. Jo, kjo është vetëm për kompanitë në falimentim e sipër, kurse tek ato të cilat kanë një qëndrueshmëri, atëherë nuk mund të thirret në pagë minimale, sepse nuk e lejon ligji.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka kompani që ende paguajnë punëtorët nën vlerën e pagës minimale dhe pse deri më tani sindikata nuk ka kërkuar rritjen e kësaj page?

JUSUF AZEMI
Jo, rritjen e pagës minimale ne e kemi kërkuar gjithherë. Kjo ka qenë një kërkesë e jona e përhershme, po megjithatë kemi kërkuar aq sa punëtorët na kanë shtyrë që ne ta bëjmë këtë. Është shumë e vërtetë që sektori privat nuk ka qenë i organizuar aq sa është dashur, domethënë nuk ishte çështja se sindikata s’ka qenë e gatshme, por që të jetë sindikata e fuqishme, duhet t’i ketë anëtarët prapa.

Tash me këto lëvizje që po bëhen, punëtorët janë vetëdijesuar edhe po them, se po kemi një presion jashtëzakonisht të madh që brenda dite ndoshta duhet vizituar 7-8 ndërmarrje, t’u tërhiqet vërejtja së pari në aspekt kolegial e zyrtar, që të përmirësohen këto kushte. Përndryshe, kërkesat tona për rritjen e pagave në sektorin privat, kanë qenë qysh me kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Azemi, frikësoheni se me kërkesën për rritjen e pagave në sektorin privat, pronarët e kompanive të ndryshme do të shkurtojnë numrin e punëtorëve?

JUSUF AZEMI
Nëse pronarët e kompanive duan një punë efektive dhe të qëndrueshme, mendoj se edhe paga e punëtorit duhet të jetë e qëndrueshme. Ta marrim një shembull, ku mund ta kryejë një punë me vullnet, me dëshirë ose me një efekt shumë të madh një punëtor, i cili pret në fund të muajit 130 euro?!

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç pagave të ulëta që kanë punëtorët në këtë sektor, me çfarë problemesh tjera ballafaqohen?

JUSUF AZEMI
Mos ta stërmadhoj po megjithatë gjithçka çka i bie në mend ose sindikalistit ose punëtorit, po aplikohet te punëtorët e sektorit privat. Duke u nisur nga orari i stërzgjatur, mosdhënia e pagës, merreni me mend kemi kompani në Prishtinë që për 6 muaj ia ka dhënë vetëm 2 paga punëtorit; nuk paguhet trusti, nuk paguhen kontributet, nuk paguhet puna shtesë, nuk i ka mjetet e sigurisë në punë, nuk ka kontratë pune, domethënë gjithçka çka njeriut i bie në mend për të keq, punëtorët tonë janë duke e bartur në shpinën e vet barrë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG