Ndërlidhjet

logo-print

Ankesat e kushtueshme të konsumatorit në Maqedoni


Ilustrim

Ilustrim

Qytetarët e Maqedonisë janë gjithnjë e më të vetëdijshëm kur kërcënohen të drejtat e tyre si konsumatorë, megjithëse nuk ngrenë procedurë juridike edhe atëherë kur ndihen të zhgënjyer nga cilësia e produkteve ushqimore kundrejt asaj për çka kanë paguar.

Valide Iseni, nënë e dy fëmijëve, teksa bënte pazarin e ditës thotë se kujdeset të blejë në marketet e mëdha, sepse siç thotë ajo, në dyqanet e vogla të lagjeve mund të hasësh në produkte me cilësi të dyshimtë, madje edhe me afat të skaduar.

“Po më e sigurt ndihem ku blej në marke sesa në dyqanet e vogla të lagjeve. Po shoh se në marketet e mëdha zakonisht ka kontrolle. I kam has edhe personalisht duke inspektuar cilësinë e produkteve, kurse në dyqanet e vogla është më rrezik të blesh produkte ushqimore. Mua personalisht më ka ndodh që të gjej më shumë produkte me afat të skaduar”, tregon Valideja.

Ndërkaq, Maja Sasdova rreth 50 vjeçe, thotë se jo rrallë abuzojnë edhe me çmimet e produkteve të caktuara ushqimore.

“Po më ndodh shpesh që në raft të figurojë një çmim, kurse kur duhet të paguash për të në arkë, më kumtohet krejtësisht një vlerë tjetër dhe në fund dalim ne fajtorë si konsumatorë, nëse reagojmë se pse nuk kemi parë mirë, dhe në të kundërtën, nëse nuk e vërejmë dallimin, askush nuk mban përgjegjësi se pse ne jemi dëmtuar”, thotë Sadova.

Ndërsa, Fatime Amiti shitëse në një nga marketet e Shkupit, thotë se janë më të moshuarit ata të cilët mbajnë llogari, si për cilësinë e produktit, ashtu dhe afatin e skadimit.

“Po për çdo ditë mund të them se rritet interesimi i blerësve për të shikuar datën e skadimit dhe përmbajtjen e produkteve që e përbëjnë një produkt ushqimor. Ndërsa, mund të them se janë pleqtë ata që shohin detajet”, thotë Fatimja.

Ndërkohë, kryetarja e organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve në Maqedoni, Marijana Loncar-Vellkovska, thekson se qytetarët janë të pambrojtur në nivelin e duhur, si konsumatorë dhe në aspektin juridik, nuk janë të njoftuar me mekanizmat që mund t`i përdorin kur besojnë se janë dëmtuar.

Loncar, megjithatë, thekson se numri i ankesave të konsumatorëve është në rritje nga viti në vit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas Loncarit, në zyrën për mbrojtjen e konsumatorëve janë parashtruar 2 mijë e 600 ankesa, të cilat kishin të bënin me çështje të caktuara, si problemet me produkte ushqimore, problemet rreth shërbimeve komunale, me telefoninë, rrymën, ngrohjen etj.

“Të gjitha institucionet përkatëse janë të obliguara t`u përgjigjen ankesave të konsumatorëve, madje konsumatorët kanë të drejtë që të ngrenë dhe procedura gjyqësore nëse ndihen të mashtruar gjatë blerjes së produkteve të caktuara. Por, më duhet të theksoj se kur bëhet fjalë për shuma të vogla, vështirë se konsumatorët kanë ndonjë dobi nga dëmshpërblimi, por më shumë përfitim në këto raste kanë avokatët sesa vetë konsumatori, i cili ka kërkuar të dëmshpërblehet”, shpjegon Loncar.

Ajo shton se mbrojtja më e mirë e konsumatorëve është nëse zbatohen ligjet dhe inspektimet e vazhdueshme në markete dhe tregjet e hapura ku shiten produktet ushqimore.

Ndërkohë, Agjencia për Ushqim në Maqedoni, ka bërë të ditur se pas ankesave të blerësve, vitin e kaluar, më 2013, janë shkatërruar rreth 10.483 kilogramë ushqim për shkak të cilësisë jo të sigurt.

“Janë asgjësuar disa prodhime të qumështit, prodhime të mishit të thatë dhe peshk, gjithashtu dhe bukë dhe prodhime të drithërave”, pohon Kata Stojanovska nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoni.

Nga ana tjetër, Maja Jakimovska, avokate, thotë se në Maqedoni në aspektin juridik shumë vështirë realizohet e drejta e konsumatorit, meqë në bazë të ligjeve që rregullojnë mbrojtjen e konsumatorëve, nuk mund të ngrihen padi kolektive, por vetëm individuale.

“Po më duhet të theksoj se proceset gjyqësore në Maqedoni realisht janë të larta. Dhe, nëse ndonjë konsumator dëshiron të ngrejë procedurë juridike si pasojë e asaj se është dëmtuar si konsumator, paraprakisht duhet të përgatitet për harxhimin e mjeteve të caktuara, që kanë të bëjnë me taksat gjyqësore”, sqaron Jakimovska.

Ajo megjithatë u bën thirrje që konsumatorët nuk guxojnë të dezinkurajohen dhe të heqin dorë nga ajo që të ushqehen shëndetshëm, sepse siç thekson Jakimovska, praktika ka dëshmuar se ngritja e zërit të tyre ndikon në vetëdijesimin dhe ngritjen e nivelit të përgjegjësisë kundrejt institucioneve përkatëse.
XS
SM
MD
LG