Ndërlidhjet

logo-print

Gjithnjë e më shumë në mesin e të rinjve në Kosovë flitet si dhe ku të gjendet mundësia për studime jashtë vendit.

Por, ata të cilët kanë interes për të përfituar nga bursat e ndryshme që ofrohen nga institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me organizatat e ndryshme ndërkombëtare, nuk e dinë saktë se ku mund t’i gjejnë ato dhe kush i ofron.

Egzon Kelmendi, i cili është nxënës në shkollë të mesme, thotë se ka mosinteresim të të rinjve, por edhe vetë ato institucione që ofrojnë bursa nuk janë duke bërë sa duhet në mënyrë që të rinjtë të përfitojnë.

“Problemi është se bursat (ata që ofrojnë bursa) nuk vijnë në shkollë. Ne, shumicën e bursave i kërkojmë vetë në Facebook ose në linka të ndryshëm. Në shkolla asnjë nga organizatat nuk vijnë në shkolla për të ofruar bursa. Nuk kemi rekomandime. Nëse je i gjindshëm mund të bësh diçka, në të kundërtën mbetesh”, thotë Egzoni.

Leon Gashi nga Prishtina, i cili vijon mësime në Shkollën e mesme “Sami Frashi”, mendon se në mesin e nxënësve që janë duke përfunduar shkollimin e mesëm, nuk ka interesim të madh për të studiuar jashtë vendit.

“Shumë jemi të interesuar. Ne fillim kemi qenë më të interesuar, kemi kërkuar gjithkund, por më vonë humbi interesimi. Edhe pse ende jemi në kërkim të një burse të duhur”, pohon Leoni.

Kurse, Gramos Kafexhiu mendon se për të fituar një bursë ndërkombëtare duhen edhe përgatitjet e nevojshme:

“Kam shikuar disa mundësi për të shkuar në Turqi. Një universitet me emrin ‘Sehi University’, është një universitet i Ministrit të Jashtëm të Turqisë. Ai është një nga universitetet që ka dhënë bursa për të huajt. Po, në fakt, është dashur të kryhen disa proceduara si Toifol me 100 pikë, dhe ne nuk kemi qenë shumë të përgatitur dhe kemi marrë informata vonë, kështu që jemi në kërkim ende, të shohim”.

Kreshnike Berisha ka dëgjuar për bursat, po nuk e di se si dhe ku mund të informohet për to.

“Edi që ka bursa për të rinjtë, po nuk e di se si funksionon kjo çështja e bursave. Për momentin, nuk kam ndonjë interes për të studiuar jashtë vendit”, tregon Kreshnikja.

Kurse, Veron Hasani mendon se nëse një i ri nuk arrin që të gjejë një bursë për të studiuar jashtë vendi, ai mund të gjejë alternativa të tjera për të studiuar nëse ka interesim për t’u shkolluar.

“Për bursa nuk kam pasur informacion edhe aq shumë. Sa kam informata, ndoshta është edhe faji ynë edhe i organizatave të huaja që nuk na njoftojnë saktësisht për bursa. Besoj që shkollimin duhet ndjekur së pari në universitetin tonë, edhe pse ka probleme shumë të mëdha, po më vonë edhe në Tiranë nuk do të ishte keq të shkoja”, shprehet Veroni.

Ardita Rexhaj, e cila studion për Marrëdhënie Ndërkombëtare Zvicër, e që në Kosovë ka ardhur për vizitë, konsideron se të rinjtë kosovarë janë inteligjentë, prandaj, sipas saj, atyre u nevojitet përkrahje në arsimim.

“Në Kosovë ka shumë inteligjentë dhe që kanë dëshirë të studiojnë jashtë për një të ardhme më të mirë, por institucionet nuk janë duke bërë asgjë në këtë drejtim. Shumica e të rinjve që studiojnë jashtë, janë duke studiuar me shpenzime të veta ose me bursa që janë marrë me të njohur, ashtu siç shkojnë të gjitha punët në Kosovë”, thotë Ardita.

Kurse, Kushtrim Lahu, i cili studion në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë:

“Nuk kam pasur asnjë mundësi për ndonjë burës. Po të kisha mundësi do të studioja jashtë vendit”.

Ngjashëm mendon edhe studenti i Fakultetit Juridik, Zija Ademi.

“Kot, pavarësisht asaj se sa je student ose nxënës i mirë, nuk mund të marrësh bursë, sepse e merr ai tjetri që e ka dikë të afërm që e mbikëqyrë atë bursë”, pohon ai.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG