Ndërlidhjet

WP: Kosova, periudha më e tensionuar në raportet Lindje - Perëndim*


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Në fjalimin e tij të së martës, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjashtë herë iu referua Kosovës, dhe në mënyrë bizare e quajti pavarësinë e saj si precedent për aneksimin rus të Krimesë, shkruan në fillim të artikullit të tij, Strobe Talbott, ish-zëvendës sekretar i shtetit i Shteteve të Bashkuara, dhe konstaton se në fakt, këto dy episode mund të jenë shumë më dalluese.

Nuk ka dyshim se fiksimi i Putinit në Kosovë është për shkak se ndarja e saj nga Serbia nxitë fobi ruse të fshehur thellë dhe ndjenjën e poshtërimit nga ana e Perëndimit, në vitet e 1990-ta.

Përkundër përfundimit të Luftës së Ftohtë, Putini dhe shumë bashkatdhetarë të tij i qëndrojnë besnik pikëpamjes se NATO-ja mbetet fundamentalisht kërcënim për Rusinë.

Intervenimi i aleancës në Luftën Civile në Bosnjë e konfirmoi këtë frikësim, pasi caqe kryesore ishin serbët e Bosnjës, të cilët po i “pastronin etnikisht” dhe masakronin Myslimanët e Bosnjës, shkruan Strobe Talbott në të përditshmen Washington Post.

Për shumë rusë ishte me rëndësi që, serbët, po ashtu, Sllavë Ortodoksë, të mos shiheshin si kryerësit e aktit të parë të gjenocidit në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore, por si të afërm fetarë dhe gjuhësor, që e mbrojnë komunitetin e tyre, dhe si viktimë e NATO-s.

Në vitin 1999, presidenti diktatorial serb, Sllobodan Millosheviq, i frustruar nga paaftësia e tij për ta zgjeruar vendin e tij në hapësirat e banuara serbe të Bosnjës, e ktheu tërbimin e tij në provincën jugore të Serbisë, në Kosovë, shkruan Talbott në Washington Post.

Aq sa rusët e shikojnë Ukrainën se djep të civilizimit të tyre, serbët e shohin Kosovën si tokë të shenjtë, e krijuar nga gjaku i paraardhësve të tyre, që kishin pësuar disfatë nga invaduesit otomanë, derisa pasardhësit e tyre myslimanë, që flasin shqip, e përbëjnë shumicën në Kosovën moderne.

Pasi diplomacia dështoi që ta ndalë fushatën e Millosheviqit për zhvendosjen e kosovarëve jashtë fshatrave të tyre dhe duke i vrarë mijëra prej tyre gjatë procesit, NATO-ja e bombardoi Serbinë për 78 ditë. Deri këtë javë, kjo, në masë të madhe, ishte periudha më e tensionuar në raportet Lindje – Perëndim, prej Luftës së Ftohtë.

Më tutje, Strob Talbott shkruan se gjatë udhëtimeve të tij të shpeshta në atë kohë në Moskë, i ka dëgjuar një mori të rusëve, përfshirë edhe reformues pro-perëndimor, duke vajtuar se fryma e pas Luftës së Ftohtë, nuk do të mbijetonte goditjen e Beogradit nga ana e NATO-s. Disa zyrtarë të nivelit të lartë e akuzuan NATO-n për stërvitje për bombardimin e ardhshëm të Moskës, në mbështetje të secesionistëve në rajonin e trazuar në Çeçeni, të dominuar nga myslimanët. Ky do të ishte, sipas imagjinimit të tyre, precedenti i Kosovës.

Për ta përfunduar krizën, presidenti i Rusisë, Boris Yeltsin, e dërgoi përfaqësuesin e tij, Viktor Chernomirdin, në Beograd, për t’i bërë presion Millosheviqit, për t’i tërhequr trupat e tij nga Kosova dhe për ta pranuar një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare, që do të përfshinte edhe njësitë ruse nën komandën e Shteteve të Bashkuara, kështu që formalisht nuk do të ishte pjesë e NATO-s.

Në qershor të vitit 1999, shkruan mëtutje Talbott, e kishte kryesuar një ekip të Departamentit të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit, për t’i koordinuar planet finale për operacion. Pak pas aterimit, ne ndjemë probleme, shkruan Talbott, për shkak se Chernomirdin ishte politikisht i izoluar. Shoqëruesi i tij ushtarak, gjenerali Leonid Ivashov, ishte praktikisht kundër marrëveshjes për vendosjen e përbashkët Rusi-NATO.

Na ishte thënë se Yeltsin ishte “pa qejf”, fjalë që shoqërohej me pamjen e njohur që përkthehej: i dehur. Zyrtarët civilë, me të cilët u takuam, ishin dukshëm nervozë për mundësinë e grushtshtetit ushtarak.

Një përjashtim ishte Putini, të cilin Talbott e kishte takuar për të parën herë. Si shef i një këshilli të Kremlinit për siguri, ai ishte në shkallën e njerëzve që do të ngjitet shpejtë në presidencë.

Në takimin tonë, ai ia doli që të duket i relaksuar dhe i kujdesshëm. Ai në mënyrë të mprehtë, por të pagabueshme, e distancoi vetveten nga Chernomirdini.

Ishin theksuar emocionet e tij. Për asnjë arsye tjetër, por vetëm për të më treguar se ai e kishte lexuar dosjen time të KGB-së, ai i përmendi emrat e dy poetëve rusë, që i kisha studiuar në kolegj, e përshkruan Strobe Talbott, takimin e tij të parë me Putinin.

Por, ngjarjet u zhvilluan ashtu që gjenerali Ivashov kishte publikuar kërcënim për Pentagoinin, duke thënë se ushtria e Rusisë mund të shkëputet prej NATO-s dhe të vendoset në Kosovë sipas mënyrës së saj.

Brenda disa orëve, disa njësi të vogla ruse, që e monitoronin armëpushimin në Bosnjë, kaluan nëpër Serbinë Jugore në Kosovë, të përshëndetur si shpëtimtarë nga serbët gjatë rrugës së tyre.

Ministria e jashtme e Rusisë e publikoi një mohim e pastaj një deklaratë të dobët, se si operacioni i jopërgjegjës ishte një aksident.

Kontingjenti rus u vendos në një aeroport afër kryeqytetit të Kosovës, derisa forca shumëkombëshe e NATO-s depërtonte nga Maqedonia. Ajo që së pari dukej se ishte ulurimë farsë e miut, u shndërrua në situatë të rrezikshme, ku dukej se ushtria ruse mund të dërgoj nëpërmjet ajrit përforcime dhe të shkaktoj luftë, shkruan Talbott në Washington Post.

Por, përsëri në skenë me kohë doli Yeltsini për ta ulur krizën dhe e ktheu marrëveshjen fillestare.

Jo më herët se pas nëntë viteve Kosova e shpalli pavarësinë e saj. Kuptohet, ajo nuk është aneksuar nga Shqipëria.

Roli i Putinit në evitimin e momentit të fundit të ndeshjes ushtarake, para 15 vitesh, mbetet mister, por qëndrimi i tij ishte i qartë atëherë dhe është i rëndësishëm sot. Gjatë vakuumit të rrezikshëm të autoritetit në Moskë - kur partneriteti ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit ishte në pikën kritike; kur forcat e armatosura ruse ishin të ushqyera se duhet të bëjnë mirë me NATO-n, i morën çështjet në duart e veta dhe u përpoqën të vrapojnë për t’i ndihmuar partnerët sllavë – pasardhësi i caktuar i Yeltsinit dukej se i gëzohej këtij momenti, shkruan në fund të artikullit të tij në Washington Post, ish-zëvendës sekretari amerikan i shtetit, Strobe Talbott.

Përgatiti Fatmir Bujupi
*Titulli është i redaksisë
XS
SM
MD
LG