Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi i Kosovës të enjten shqyrton ligjin për zgjedhjet


Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi

Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë të enjten Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme pas një procesi reformash të filluar para më gjatë se tre vjetësh.

Në vend të reformave kushtetuese e zgjedhore siç ishin paralajmëruar në pjesën e parë të vitit 2011, si epilog i këtij procesi tani ka mbetur miratimi i ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, por i cili nuk do të ndryshojë asgjë nga sistemi zgjedhor dhe më shumë ka të bëjë me avancimet në zbatimin praktik të tij sa i përket organizimit të zgjedhjeve.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se nuk mund të bëhet fjalë për reforma zgjedhore, nga që Kuvendi në fakt po miraton vetëm një ligj të ri, por pa prekur në sistemin zgjedhor.

“Unë nuk kam qenë pjesë e reformës zgjedhore, por një gjë e di se reformë zgjedhore nuk është. Janë bërë disa ndryshime teknike në ligj dhe mirë nëse janë bërë ato ndryshime për t’i evituar lëshimet që janë bërë në zgjedhjet e vitit 2010”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se projektligji mund të miratohet në leximin e parë të enjten, ngase qeveria ka konstatuar se ai nuk ka implikime buxhetore.

Sidoqoftë, Gashi ka thënë po ashtu se janë dy çështje të projektligjit për të cilat do të vendos kuvendi nëse do të miratohen apo jo, pasi që ato mund të diktojnë nevojën e ndryshimeve kushtetuese.

Fjala është për propozimin që vota për partinë t’i shkojë me automatizëm liderit si dhe çështja e numërimit të votave nëpër qendrat komunale dhe jo në qendrën e numërimit, siç është vepruar deri më tani.

“Duhet të shihet me këto çështje sepse e kemi thënë edhe në grup punues edhe në Komision se janë çështje që mund të kenë edhe implikime kushtetuese, andaj mes dy leximeve mendoj se këto çështje mund të rregullohen”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami ka vlerësuar se kjo reformë po mbetet e kufizuar pasi që nuk kishte mundësi të bëhen ndryshime substanciale të ligjit.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se në krahasim me ligjin aktual, projektligji i ri është pak më i avancuar.

Procesi i reformave në Kosovë fillimisht ishte menduar të përfshinte krijimin e një sistemi gjysmë presidencial, sipas të cilit, presidenti në të ardhmen do të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli.

Po ashtu, parashihej që Kosova të kishte më shumë zona zgjedhore, ishte propozuar të bëheshin ndryshime në pragun zgjedhor si dhe në votën preferenciale.

Megjithatë, këto dhe shumë reforma tjera mbetën vetëm si ide, ngaqë ligji i ri nuk i parasheh asnjë nga këto ndryshime.

Sidoqoftë, me miratimin e këtij ligji, vlerësohet se po krijohen parakushtet që lidershipi i Kosovës të shkojë një hap tutje drejt caktimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas një skenari të cilin e kanë zbuluar vet liderët e dy partive më të mëdha, fillimisht do të shpërbëhej parlamenti dhe më pas në marrëveshje me presidenten Atifete Jahjaga do të caktohej edhe data e zgjedhjeve, që besohet se mund të jetë në muajin maj apo qershor.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG