Ndërlidhjet

G7 pezullon bashkëpunimin me Moskën

  • RFE /RL

Pamje nga takimi i G7-ës

Pamje nga takimi i G7-ës

Udhëheqësit e Grupit 7, i cili përbëhet nga shtatë fuqi të mëdha industriale, kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në G8, në kuadër të të cilit bën pjesë edhe Rusia, duke shprehur mbështetjen e tyre për qeverinë ukrainase dhe duke tërhequr vërejtjen për “pasoja thelbësore” për veprimet e Moskës.

Kjo do të thotë se samiti i G8-ës, i paraparë të mbahet në Soçi në muajin qershor, është anuluar.

Liderët e Kanadasë, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, janë pajtuar që samitin e planifikuar të mbahet në Soçi ta bartin në Bruksel.

Liderët e G7-ës kanë lëshuar deklaratën pas takimit të mbrëmshëm në Hagë.

G7-ta ka dënuar, siç është shprehur, përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të aneksuar Krimenë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Ndërkohë, në Kiev të Ukrainës, sot arrin komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele.

Me autoritetet e Ukrainës, ai pritet të diskutojë zbatimin e pjesës politike të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në.

Ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka nënshkruar pjesën politike të MSA-së me liderët evropianë, më 21 mars në Bruksel.

Nënshkrimi i këtij kapitulli është vlerësuar si një lëvizje simbolike në kohën e tensioneve ndërkombëtare rreth aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.
XS
SM
MD
LG