Ndërlidhjet

logo-print

Përgjigjja e Malajzisë për aeroplanin vë në dukje sëmundjen e qeverisë


Nëse jeni hutuar nga njoftimi i së hënës për aeroplanin e zhdukur të Malajzisë, nuk është çudi, shkruan gazeta Washington Post.

Kryeministri Najib Razak ka thënë se fluturimi “ka përfunduar” në jug të Oqeanit Indian, ndërsa, sipas kompanisë ajrore shtetërore, duhet pranuar se aeroplani ka rënë në oqean, larg destinacionit të tij, Pekinit.

Të dyja njoftimet, kanë qenë të paqarta dhe asnjëri nuk ka treguar pse apo si.

Washington Post thotë se që nga momenti i zhdukjes së aeroplanit, Qeveria e Malajzisë ka qenë e ngathët në njoftimin e familjarëve.

Ajo është vonuar me orë të tëra duke mos thënë asgjë pas zhdukjes së aeroplanit, ndërsa në ditët e ardhshme, informacionet që ka shpërndarë, kanë qenë konfliktuale, të gabuara ose çorientuese.

Një fatkeqësi e tillë bizare do të ishte e vështirë për çdo qeveri dhe konfuzioni e pasiguria janë të pritshme.

Por, Qeveria e Malajzisë ka treguar shenja të një sëmundjeje më të rëndë, e cila vjen nga një gjysmë shekulli i sundimit pa sfidë apo transparencë.

Gazeta shkruan se kur kryeministri ka paralajmëruar konferencën, zëdhënësi i tij u ka thënë gazetarëve se nuk do të ketë pyetje.

Kur edhe Qeveria e Kinës, e cila nuk mbështet transparencën, ankohet, duke kërkuar informacione më të plota dhe me të sakta nga Malajzia, mund të kuptohet se sa i thellë është problemi.

Malajzia, e cila udhëhiqet nga koalicioni i njëjtë qeveritar që nga pavarësia, ka gëzuar rritje të fortë ekonomike. Ka pasur shpresa para zgjedhjeve të vitit të kaluar se nëse votimet do të jenë të lira dhe të drejta, vendi do të jetë në rrugë drejt një demokracie më konkurruese.

Koalicioni i zotit Najib ka fituar shumicën e vendeve në Parlament, ndërsa opozita e udhëhequr nga Anvar Ibrahim ka fituar shumicën popullore dhe ka kontestuar rezultatet.

Është e qartë se ka rritje të pakënaqësisë popullore me korrupsionin, autoritarizmin dhe favorizimin etnik të fuqive sunduese, shkruan gazeta.

Sipas saj, është veçanërisht shqetësuese se qeveria ka rinovuar ndjekjen e zotit Anvar, të motivuar politikisht, nën dyshimet për sodomi, vetëm për ta mënjanuar nga politika.

Më 7 mars, ai është dënuar me pesë vjet burgim nga një gjykatë, duke hedhur poshtë një vendim për lirim të vitit 2012.

Akuzat për sodomi janë të turpshme dhe arkaike dhe, siç thotë, Graeme Reid, nga Human Rights Watch, nëse mbahen, ato mund ta mbajnë zotin Anvar për dhjetë vjet larg politikës. Malajzia nuk duhet ta tolerojë këtë manipulim, shkruan Washington Post.

Po sipas gazetës, është e nxituar të thuhet se çfarë ka ndodhur me aeroplanin. Por, nuk është shumë herët për udhëheqësit e Malajzisë që të nxjerrin mësim nga performanca e lëkundshme e tyre, javëve të fundit, dhe të angazhohen për më shumë transparencë dhe ndershmëri.

Alternativa e tyre nuk bën punë, shkruan gazeta Washington Post.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG