Ndërlidhjet

Kuçi, Zhbogar e Borchardt diskutojnë për mandatin e EULEX-it


Ilustrim
Ilustrim
Përfundimi i mandatit të misionit EULEX, tranzicioni dhe transferimi e kompetencave tek institucionet vendore, ka qenë temë e diskutimit në mes takimit që sot në Prishtinë ka zhvilluar zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, shefi i zyres së BE-së në Kosovë Sameul Zhbogar si dhe shefi i EULEX-it Bern Borchardt.

Sipas një kumtese të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, Kuçi ka ritheksuar nevojën për definim të çështjeve që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it, në mënyrë që të përgatiten të gjitha ndryshimet legjislative që kërkohen me qëllim të realizimit të tranzicionit, respektivisht transferimit të kompetencave nga misioni i EULEX-it tek institucionet vendore.

“Palët u pajtuan që është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Brukselit lidhur me mandatin e EULEX-it, në mënyrë që sa më parë të fillojnë përgatitjet e nevojshme për fazën tranzicionale”, thuhet mes të tjerash në njoftim.

Gjatë takimit, bëhet me dije se është diskutuar edhe rreth aspekteve procedurale të këtij procesi, përkatësisht për arritjen e një marrëveshje përmes shkëbimit të letrave mes Prishtinës dhe Brukselit, respektivisht ratifikimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i marrëveshjes në fjalë dhe amendamentimi i ligjeve përkatëse që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it.
XS
SM
MD
LG