Ndërlidhjet

Jahjaga e Thaçi, homazhe në Suharekë e Krushë


Ceremonia e rivarrimit
Ceremonia e rivarrimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka vizituar sot Suharekën dhe Krushën e Vogël, për të bërë homazh para trupave të pajetë të 46 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, rivarrimi i të cilëve u bë sot.

Në Suharekë ishin 27 arkivole, kurse në Krushë 19 syresh.

Misioni evropian për sundimin e ligjit njofton se "personat e pagjetur të familjeve Berisha dhe Bytyqi ishin gjetur në vitin 2001 në Batajnicë, Serbi, kurse personat e pagjetur nga Krusha e Vogël ishin gjetur në vitin 2003 në Shirokë, Suharekë, si dhe në vitin 2012 gjatë një operacioni në terren të DML-së në poligonin e qitjes në Lubizhdë në komunën e Prizrenit".

“Varrosja e familjarëve, të cilët pamëshirshëm u masakruan nga forcat ushtarake, paramilitare të okupimit serb, është një rast i rëndë, është një rast i vështirë, është një rast i dhembshëm”, tha presidentja e Kosovës.

Duke kujtuar sakrificën e të gjithë të vrarëve gjatë luftës, zonja Jahjaga ka thënë se “këta martirë të lirisë janë dëshmia më e mirë që ne jemi sot një popull i lirë, një popull sovran dhe një popull i pavarur, duke realizuar edhe idealin e gjeneratave të tëra”.

Në Suharekë dhe Krushë të Vogël ka qëndruar edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili morri pjesë në ceremonitë e rivarrimit.

“Muajt mars, prill dhe maj të vitit 1999, janë muaj në të cilët shumë familje anembanë Kosovës e ndjejnë peshën e krimit dhe gjenocidit serb dhe u prekën rëndë duke humbur një pjesë të anëtarëve të familjes”, ka thënë zoti Thaçi.

“Trupat e hedhur në ujë, sërish u varrosën larg tokës së tyre, në Batajnicë, për t’u zhvarrosur dhe për t’u sjellë pjesë - pjesë në Kosovë prej vitit 2006 e deri më tani”, citohet të ketë thënë kryeministri i Kosovës.

Edhe 15 vjet pas luftës, mbi 1700 persona vazhdojnë të llogariten si të zhdukur që nga periudha e luftës.

Kryeministri i Kosovës është zotuar se “qeveria e Kosovës do ta ngre këtë çështje edhe në Bruksel, dhe nga Parlamenti Evropian do të kërkojë nxjerrjen e një Rezolute të veçantë që ta detyrojë Beogradin që t’i hapë dosjet për personat e pagjetur”.
XS
SM
MD
LG