Ndërlidhjet

Në fjalimin e Obamës dominoi partneriteti e jo politika


Barack Obama
Barack Obama
Fjalimi i djeshëm i presidentit amerikan, Barack Obama, në Bruksel, ishte i gjatë në inspirim, por i shkurtër në çështje specifike, konsiderojnë analistët.

Sipas tyre, fjalimi i tij për lidhjet transatlantike ka ofruar pak risi në përgjigjen e Perëndimit ndaj inkursionit të Rusisë në Ukrainë, por ka dërguar sinjal të fuqishëm të përkushtimit për partnerët evropianë në mospajtimet e ashpra me Moskën.

Eksperti, James Collins, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi, nën presidentin Bill Clinton, lidhur me fjalimin e zotit Obama, thekson:

“Ky ishte fjalim që thotë se ne jemi një këtë për një periudhë të gjatë dhe se do të marrë kohë”, thotë James Collins.

Ndoshta Obama i ka zhgënjyer ata që kanë pritur shpalljen e sanksioneve të reja kundër Rusisë për shkak të aneksimit të territorit të Krimesë së Ukrainës, derisa në masë të madhe e ka përsëritur qëllimin e administratës së tij për shpalljen e masave të reja ndëshkuese ndaj Moskës, thotë William Tobey, ekspert për çështje të politikës së mbrojtjes dhe kontrollit të armatimit.

“Mendoj se sinjali për Rusinë ishte se kjo do të vazhdoj për një kohë, dhe se Kremlini nuk duhet të mendoj se meqë i ka arritur qëllimet e tij afatshkurtra, nuk do të ketë pasoja afat-gjata dhe rrjedhimisht, ata duhet të mendojnë përsëri”, thotë Tobey, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, në administratat e tre presidentëve të ndryshëm amerikanë.

Temat e gjëra të fjalimit të presidentit Obama, lidhur me partneritetin transatlantik, nuk ishin të reja, dhe nuk kanë pasur ndonjë dallim nga secili president i Shteteve të Bashkuara në 25 vjetët e fundit, konsideron eksperti Tobey.

“Në vlerat e përbashkëta të tyre të mbrojtjes ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në mbrojtjen e tyre të rëndësisë së lirisë dhe rezistimin e tiranisë, për mua, në disa mënyra tingëllonte diçka si Ronald Regani”, thotë Tobey.

Drejtori për Programin për Rusinë dhe Evroazinë në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike me seli në Uashington, Andrew Kuchins, tha se derisa Obama ka mbajtur fjalime oratori “të gjatë dhe të lulëzuar”, atij i ka munguar përmbajtja politike për përgjigjen e Perëndimit ndaj krizës së Ukrainës.

“Në Kiev, unë do të isha ekstremisht i zhgënjyer, dhe në Moskë, pra nëse do të isha në Kremlin, me gjasë do të kisha qeshur vetë me vete”, shprehet Kuchins.

Derisa fjalimin e mbajti para një audience me afro 2 mijë njerëzve kryesisht të rinj, dukej se Obama i shmangej politikës konkrete, duke e theksuar rëndësinë që partneriteti amerikano-evropian të lëvizë përpara, thotë eksperti James Collins dhe thekson:

“Ishte sikur një hedhje kah gjenerata e re”, thotë Collins. (f.bujupi)
XS
SM
MD
LG