Ndërlidhjet

Mbijetesa e prodhimtarisë, me probleme në zhvillim


Ilustrim
Ilustrim
Angazhimi joserioz i autoriteteve të Kosovës për sektorin e prodhimtarisë në vend, ka bërë që këta të fundit të mos jenë produktivë dhe të kenë mjaft probleme në zhvillimin e veprimtarisë së tyre.

Politikat jo të mira fiskale, si dhe qasja e kufizuar në financa, nga njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të sektorit të prodhimeve bujqësore, vlerësohet të jenë barriera kyçe që kanë prodhuesit vendorë.

Ambienti i pafavorshëm biznesor në Kosovë, njëkohësisht siç thonë ata, ka bërë që të shuhen shumë biznese.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, mesatarisht në vit, shuhen mbi 1000 biznese në Kosovë. Ndërkaq, në MTI janë të regjistruara rreth 150 mijë biznese.

Milazim Abazi, njohës i çështjeve ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se sektorit të prodhimtarisë nuk i është dhënë prioritet nga Qeveria e Kosovës. Sipas tij, deri më tani janë dëgjuar nga autoritetet kompetente vetëm fjale dhe premtime, të cilat asnjëherë nuk po konkretizohen me veprime.

“Deri më tani prodhimi vendor ka qenë i pambështetur dhe i pambrojtur. I pambrojtur pasi që prodhimi vendor ka qenë i shantazhuar nga joformaliteti, nga produktet që vijnë nga jashtë, ka qenë i shantazhuar me qasje të vështirë në financa dhe kamata shumë të larta, dhe çdoherë është duke u përkeqësuar raporti në mes importit dhe prodhimit vendor”, konsideron Abazi.

Produktet, të cilat prodhohen në Kosovë, vazhdojnë të sfidohen nga produktet e shteteve tjera.

Pavarësisht cilësisë së duhur dhe me standarde evropiane, produktet vendore ende nuk e kanë fituar në masë të madhe besimin e konsumatorëve, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Importi në Kosovë kalon shifrën prej 2 miliardë eurosh në vit, derisa kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët, rreth 200 milionë euro.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, konsideron se gjendja e përgjithshme e prodhimtarisë në Kosovë, në të gjitha kulturat bujqësore, është e vështirë dhe nuk ka rezultate të duhura.

Ai shton se Kosova, vazhdon të importojë produkte bujqësore deri në 80 për qind.

“Kosova mbetet e varur nga importi, duke filluar nga 70 deri 80 për qind furnizohemi nga produktet e huaja. Këto janë argumente që tregojnë se në bujqësinë kosovare gjendja është e rëndë. Përveç në sektorin e qumështit gjendja është pak më e mirë, ka filluar të përmirësohet ky sektor. Sidoqoftë, Kosova nuk mund t’i plotësojë nevojat më shumë se 30 për qind me prodhime vendore”, shton Tahiri.

Qeveria e Kosovës, sipas ekspertëve të ekonomisë, duhet të bëjë reforma të theksuara në përmirësimin e kushteve biznesore, pasi që në të kundërtën sektori i prodhimtarisë do ta ketë të vështirë të mbijetojë.

Ndryshe, Ministria e Financave tashmë ka ndërmarrë disa reforma fiskale, të cilat pritet të zbatohen gjatë këtij viti. Megjithatë, zbatimin e këtyre reformave po e pengon mosmiratimi i Ligjit për Lirime Doganore.

Me miratimin e këtij ligji, pritet të lirohet një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para dhe makinerisë nga taksa doganore prej 10 për qind.

Lista e lirimeve doganore të propozuara, kryesisht ka të bëjë me produkte që përdoren si lëndë e parë në prodhim në industritë përpunuese, si ajo ushqimore, e letrës, tekstilit, metaleve e të tjera.
XS
SM
MD
LG