Ndërlidhjet

OKB: Referendumi i Krimesë – i pavlefshëm


Andriy Deshchytsya duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara
Andriy Deshchytsya duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar në favor të rezolutës “Integriteti Territorial i Ukrainës” , duke e shpallur të pavlefshëm referendumin për ndarjen e Krimesë nga Ukraina.

Për këtë rezolutë votuan 100 shtete, 11 ishin kundër, ndërsa 58 vende abstenuan.

Kundër rezolutës votuan Armenia, Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Koreja Veriore, Nikaragua, Rusia, Sudani, Siria, Venezuela dhe Zimbabvea.

Ministri i jashtëm ukrainas, Andriy Deshchytsya, ishte diskutuesi i parë në sesionin e sotëm të Asamblesë së Përrgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai theksoi se marrëveshjet ndërkombëtare të sigurisë janë “komprometuar seriozisht” me aneksimin e papranuar të Krimesë nga ana e Rusisë.

Diskutuesi i dytë ishte ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, i cili i mbrojti aksionet e vendit të tij dhe e kundërshtoi rezolutën, duke e cilësuar si “konfrontuese”.

Për dallim nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ku pesë vende e kanë të drejtën e vetos, kundër rezolutave të miratuara në Asamblenë e Përgjithshme nuk mund të shfrytëzohet vetoja. Por, rezolutat e miratuara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk janë obliguese.
XS
SM
MD
LG