Ndërlidhjet

Kosova s’duhet të financojë gërmimet në Rashkë


Një aksion i ndërmarrë në Prishtinë për personat e pagjetur, më 26 prill 2013

Një aksion i ndërmarrë në Prishtinë për personat e pagjetur, më 26 prill 2013

“Unë i kam tetë anëtarë të familjes të vrarë. Pesë janë identifikuar, nëse iu besohet këtyre institucioneve. Tri kanë mbetur të pagjetur. Më kanë vrarë babanë, vëllanë, kunata dhe pesë fëmijët e vëllait. Prej moshës 15 vjeçare, deri në më të voglin 4 vjeçarin”, rrëfen Shaban Ramadani nga Fushë-Kosova.

Burri në të pesëdhjetat, po mban shpresat se nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës do të gjejë tre familjarët e zhdukur, të cilëve u kanë humbur gjurmët para 15 vjetësh.

“Familja ime është vrarë më 1 maj të vitit 1999. Njerëzit janë marrë nëpër shtëpia. Janë vrarë, janë transferuar në Serbi, janë varrosur atje. Ata meritojnë të pushojnë në tokën e Kosovës...kështu që jemi në një pozitë të pritjes. Dhe pritja e ka dënimin e vet për secilin familjar. Dhimbja është tepër e rëndë. Vetëm ata që kanë viktima mund të na kuptojnë”, thotë ai.

Dhjetëra shqiptarë të Kosovës dyshohet që pasi janë vrarë nga serbët gjatë luftës në vitin 1999, janë hedhur në Rudnicë të Rashkës, që gjendet përtej kufirit verior, në Serbi.

Më 13 dhjetor, të vitit të kaluar, është konfirmuar dyshimi se në këtë vend, janë hedhur trupat e pajetë të shqiptarëve, kurse ekipet mjeko ligjore, serbe e shqiptare, gjetën mbetjet e të paktën gjashtë viktimave të luftës.

Vazhdimi i punëve në këtë varrezë masive, ka mbetur peng për shkak të implikimeve buxhetore rreth gërmimeve, pasi pala serbe kërkon afro 300 mijë euro, ku përfshihet edhe rrënimi dhe kompensimi i një ndërtese nën të cilën dyshohet se gjenden trupat e shqiptarëve.

“Ju po e shihni se çfarë zvarritje po bëhet me Rashkën. E tmerrshme. Nuk është ndërtuar godina aty rastësisht. Por edhe Rashka të tjera kemi në Kosovë që mbulohen me shqiptar”, thotë Ramadani.

Autoritetet e Kosovës refuzojnë qasjen e Beogradit, ndërsa kërkojnë sqarime rreth planit të veprimit që ka prezantuar pala serbe, ku përfshihet edhe kompensimi i dëmit.

Haki Kasumi, bashkërendues i Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës tha se familjet e të pagjeturve janë kundër çfarëdo financimi për Rashkën.

“Për punën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, unë në emër të gjithë familjarëve të goditur të Kosovës, dhe në mënyrë të veçantë në emër të familjarëve shqiptar, them se qeveria e Kosovës assesi nuk do të duhej as të mendoj për të participuar në këtë projekt, i cili në bazë të njohurive tona, edhe ashtu është i fryrë. 300 mijë euro për një gropë, të cilën e kanë krijuar vet ata, dhe për një ndërtesë të improvizuar me qëllim të fshehjes së krimit”, ka thënë Kosumi.

Dilema morale e ngritur që me paratë e taksapaguesve të Kosovës, të paguhen Serbia si kompensim për punën në Rashkë, del të jetë e pakapshme për familjet e viktimave të luftës.

Kryetari i komisioni komunal për krime lufte në Fushë-Kosovë Ahmet Grajçevci, i cili që prej pasluftës ndjek të vërtetën për viktimat e kësaj qyteze, thotë se është e tmerrshme që t’i paguhet, siç u shpreh “kriminelit për krimin që e ka bërë vet, dhe ka tentuar që ta fsheh vet”.

Në komunën e Fushë-Kosovës kanë qenë mbi 130 persona të zhdukur. Përmes analizës së ADN-së janë gjetur mbi 56 shqiptarë, dhe 10 ashkali.

Edhe 15 persona mbesin të pagjetur në këtë qytezë, kurse sipas Grajçevcit që të gjithë janë fëmijë, që në kohën e luftës kishin 4 vjet e deri më 18 vjet.

“Nuk e besoj se do të lejojë Kosova që të paguhet për krimin e dikujt tjetër, në vend se Serbia të paguaj për të gjitha krimet dhe të shpallet shtet gjenocidial për krimet e bëra në Kosovë. Kjo është e papranueshme, edhe për mua si udhëheqës, por edhe për të gjithë familjarët në Kosovë”, thotë ai.

Të mërkurën, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është zotuar se do ta ngrit çështjen e të pagjeturve edhe në tryezën negociatore në Bruksel, ndërsa nga Parlamenti Evropian ka thënë se “do të kërkojë nxjerrjen e një Rezolute të veçantë që ta detyrojë Beogradin që t’i hapë dosjet për personat e pagjetur”.

Por Shaban Ramadani thotë se institucionet nuk po bëjnë sa duhet për çështjen e të pagjeturve.

“Dhe sot, po të më pyesësh se çfarë ka bërë shteti për ata, e jo për mua, për ata të zhdukurit, unë them asgjë nuk ka bërë. Shteti jonë, institucionet tona, kanë pritur që bashkësia ndërkombëtare me ardh e me na i zgjidh problemet tona me Serbinë”, thotë ai.

Ramadani madje thotë se për shkak të kësaj qasjeje të mangët, në arenën ndërkombëtare po kuptohet ndryshe lufta në Kosovë.

“Kush ishte viktima në Kosovë? Për fat të keq, populli i Kosovës i pësoi të gjitha këto. Dhe sot, letrën e viktimës në bashkësinë ndërkombëtare, në institucionet ndërkombëtare, po na i merr Serbia, si një viktimë e cila bënë pazarllëqe të turpshme, me viktimat me eshtrat e njerëzve tanë. Nuk kanë shkuar për të luajtur futboll shqiptarët në Serbi. Kanë shkuar të vrarë, e të pavrarë, të gjallë e të plagosur, nëpër kamione”, thotë ai me shumë emocione.

“Dhe sot Serbia të kërkoj kompensim për t’i hapur Rashkat, Batajnicat, dhe varrezat tjera. Kompensim prej viktimës. Kështu është loja e maces me miun. Maca e zë miun, dhe e liron. E kafshon. Edhe luan, edhe bënë çka të dojë. Në këtë rast, ne jemi më të vogël se miu”, përfundon Shaban Ramadani.

Prokuroria serbe për krime të luftës, pretendon se në Rashkë janë hedh të paktën 250 viktima të luftës në Kosovë.

Sipas prokurorisë së Serbisë, trupat e shqiptarëve janë transportuar në këtë vend gjatë largimit të forcave serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999, dhe se këtë aksion e kanë ndërmarr njësitë speciale policore serbe.

Në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta të zhdukur që nga viti 1999.
XS
SM
MD
LG