Ndërlidhjet

logo-print

Luarasi: Një në tri gra i nënshtrohet dhunës...


Iris Luarasi

Iris Luarasi

“Në Shqipëri, sipas të dhënave statistikore, një në tri gra i nënshtrohet dhunës. Ndonëse Ligji për dhunën në familje ka hyrë në fuqi që në vitin 2007, ai zbatohet vetëm pjesërisht”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Iris Luarasi, drejtuese e Linjës së Këshillimit për gra e vajza.

RADIO EVROPA E LIRË
Si është situata e dhunës ndaj gruas në Shqipëri?

IRIS LUARASI
Është e ndryshme nga një vend në tjetrin, në kuptimin që kur del nga Tirana, sa më thellë të shkosh në zonat rurale, aq më i madh është niveli i agresivitetit për sa i përket dhunës, dhe aq më e vogël është edhe shkalla e ndërgjegjësimit të grave për t’i thënë stop dhunës. Kjo sepse nëse në Tiranë ose në rrethinat pranë saj, zhvillohen shumë aktivitete dhe media është shumë më afër tyre, për të pasur një fushatë më të madhe ndërgjegjësimi që ka lidhje me dhunën, në zonat rurale, veçanërisht ato që janë larg qyteteve, natyrisht që ndërgjegjësimi nuk është aq i lartë, dhe pjesa e ligjit nuk funksionon ashtu siç duhet të jetë.

Që me miratimin e Ligjit në qershor të 2007-s, sigurisht janë bërë përpjekje për ta implementuar ligjin, (duke qenë se implementimi i ligjeve është plaga më e madhe e shoqërisë,) ndaj edhe pse ne kemi 65 bashki, vetëm në 21 prej tyre është ngritur sistemi i mekanizmit të referimit të viktimave të dhunës në familje. Në 44 të tjera ky mekanizëm nuk ekziston.

RADIO EVROPA E LIRË
Konkretisht, për çfarë këshillon linja juaj?

IRIS LUARASI
Jepet asistencë e ndryshme për të gjitha format e dhunës në familje, duke nisur që nga dhuna fizike, që nga dhuna emocionale, raste të dhunës ekonomike, ashtu edhe për rastet e dhunës seksuale. Ajo që dua të them është se dhuna seksuale në Shqipëri ndodh në mënyrë të vazhdueshme, por njerëzit janë shumë të trembur për ta denoncuar atë, kështu që është risi që kemi parë kohët e fundit përpjekje për ta denoncuar dhunën seksuale.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni pasur ndonjë rast që është zgjidhur, nga ato që kanë ardhur në linjën tuaj?

IRIS LUARASI
Linja e Këshillimit nuk qëndron më vete. Ne bashkëpunojmë me partnerë dhe ka një zinxhir shërbimesh që ofrohen nga partnerët tanë që janë pjesë e rrjetit “Kundër dhunës gjinore dhe trafikimit”.

Linja e Këshillimit është pika hyrëse, ne kemi një linjë telefonike, 0800 40 20, që është falas për viktimat e dhunës në familje, dhe ne jemi pika hyrëse e denoncimit të dhunës; por njerëzit që punojnë në linjën tonë, përveç mbështetjes psiko-emocionale që iu japin viktimave, aktiviteti tjetër që iu ofrohet është referimi në shërbime të tjera, duke identifikuar nevojat që ka vetë viktima.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ankesa keni pasur gjithsej gjatë gjithë punës suaj?

IRIS LUARASI
Linja e Këshillimit është hapur që në vitin 1996, dhe deri tani kemi marrë rreth 90 mijë telefonata të asistuara. Gjatë gjithë këtyre viteve kemi punuar vetëm për të mbështetur e fuqizuar viktimën, por nëse ti nuk punon me atë që e shkakton dhunën, atëherë gjithë kjo punë duket sikur hidhet në erë. Na ndodh shpesh që në zyrë na vijnë edhe burra.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur është krijuar linja (për këshillimin e burrave) dhe sa rezultate po jep kjo linjë?

IRIS LUARASI
Në zyrë na vijnë burra që janë penduar pas ushtrimit të dhunës, janë penduar pasi gruaja iu ka ikur bashkë me fëmijët. Kjo ishte ideja fillestare e këshillimit të burrave, pasi thellë-thellë nuk janë të dhunshëm – po situata iu del nga kontrolli dhe më pas ushtrojnë dhunë ndaj grave e viktimave, dhe për këta lloj njerëzish unë mendoj që ka një shpresë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa burra kanë ardhur për këshillim, e kanë të lehtë burrat shqiptarë të vijnë e të këshillohen për dhunën?

IRIS LUARASI
Raste që ata të vijnë me dëshirë, nuk kemi asnjë, dhe nuk kishim pritshmëri që burrat shqiptarë të vinin me dëshirë. Kemi pasur një rast që erdhi, pyeti, por nuk erdhi përsëri për shërbimin. Rastet e tjera vijnë nga Gjykata, pasi ligji e parashikon që në rastet e dhunë në familje, gjykatësi mund ta dërgojë dhunuesin në shërbim rehabilitimi.

Qendra është hapur në janar të vitit 2013, dhe rastet e para i kemi pasur nga Gjykata. Rasti i parë ishte shumë i vështirë, tre herë ngriti dorën për të goditur këshilluesin.
Unë mendoj që ne vazhdojmë të jemi shoqëri e dhunshme. Edhe shifrat e INSTAT-it tregojnë se një në tri gra dhunohet.

Dhunë ka në të gjithë botën, meshkuj agresivë ka në të gjithë botën, më të rrezikshëm janë ata të veshur me kostum që janë të edukuar shumë më tepër se ata që e tregojnë në publik që janë njerëz të dhunshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ka dhunë intelektuale?

IRIS LUARASI
Jo vetëm dhunë intelektuale, por ka dhunë fizike që ndodh në këto familje intelektuale. Shqipëria nuk është se bën ndonjë dallim nga pikëpamja e dhunës. Me statistika, një në katër gra dhunohet në Angli, një në tri gra dhunohet në Zvicër, pra shifra e dhunës ndaj grave në Shqipëri nuk është e ndryshme nga situata në vende të tjera.

Ajo që bën diferencë është se njerëzit në Shqipëri për dallim nga vendet e tjera të zhvilluara të Evropës apo Shteteve të Bashkuara, janë sigurisht më pak të informuar për të drejta e tyre dhe padiskutim hendikepi që ofron Shqipëria, është pjesa e zbatimit të ligjit.
XS
SM
MD
LG