Ndërlidhjet


Lajmet ndërkombëtare nga disa të rinj përcillen me shumë interesim. Por, ka edhe të tillë që nuk iu interesojnë edhe shumë ato.

Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, kemi marrë mendimet e disa qytetarëve rreth asaj se sa u interesojnë dhe sa i ndjekin ata lajmet ndërkombëtare.

Dukagjin Lipa, këngëtar thotë se është i interesuar për lajme ndërkombëtare dhe i ndjek ato:

“Sa kam rast, po. Rasti i fundit është për shembull humbja e aeroplanit malajzian, gjithashtu edhe për Krimenë, edhe pse po sillet si lajm ndërkombëtar dhe po presim përfundimisht se çka po bëhet”.

Po, Labinot Morina, student në Fakultetin Ekonomik duket të mos jetë shumë i interesuar për lajmet ndërkombëtare.

“Nuk i dëgjoj edhe shumë. Por, kur kam rast ndonjëherë po, por kryesisht jo”, shprehet Labinoti.

Aida Hyseni, studente në Fakultetin Ekonomik thotë se lajmet ndërkombëtare i ndjek, sa herë që ka mundësi.

“Jo shumë por i dëgjoj, për shembull avioni që u zhduk na ka interesuar. Unë më shumë në Facebook i shoh, edhe më tërheqin, si shou-biz apo diçka interesante.. Por, në televizor apo radio, jo edhe aq”,
thotë Aida.

Por, Mimoza, të cilën e takuam në kryeqytet së bashku me një shoqe të saj, thotë se nuk i interesojnë fare lajmet, as ato vendore, e as ndërkombëtare:

“Nuk dëgjoj edhe shumë lajme. Nuk na interesojnë shumë lajmet. Jam e informuar për ngjarje, por më shumë nga shokët”.


Ndryshe, mediumet ndërkombëtare në gjuhën shqipe, që veprojnë në Kosovë, janë Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës dhe Deutsche Welle.

Seksioni në gjuhën shqipe është vetëm një nga 28 seksionet në gjuhë të ndryshme botërore të Radios Evropa e Lirë, e cila transmeton në 21 vende. Ajo është themeluar nga Kongresi Amerikan dhe ka filluar të transmetojë që nga viti 1951.

Por, ka të rinj që për shkak të studimeve, u duhet të jenë në rrjedha dhe të kenë informata të përgjithshme. Ajo është Majlinda Vitia, studente e Fakultetit të Gazetarisë.

“Më interesojnë, sepse e studioj Gazetarinë. I përcjell për të parë edhe atë se si i japin lajmet dhe si i transmetojnë atje. Ngjarjen për avionin e kam ndjek në BBC”, tregon Majinda.

Edhe Donat Ahmeti jep mendimin e tij:

“I dëgjoj, por jo që i ndjek vazhdimisht. Për aeroplanin e zhdukur e kam ndjek, edhe pse ende nuk e di se çka ka ndodhur”.


Sidoqoftë, për 15 vjet të punës së redaksisë në gjuhën shqipe, Radio Evropa e Lirë ka arritur të gëzojë respektin dhe besueshmërinë e opinionit. Përveç radios, një angazhim i shtuar i është kushtuar edhe informimit përmes faqes së saj në internet, ku përfshihen edhe lajmet ndërkombëtare, e cila vazhdon të jetë e lexuar dhe e shumë cituar nga të gjitha mediat, pa përjashtim.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG