Ndërlidhjet

Serbët “kërcënojnë” me bojkot të zgjedhjeve


Gracanicë
Gracanicë
Politikanët serbë të Kosovës qendrore kanë paralajmëruar se miratimi eventual nga Kuvendi i Kosovës i Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, pa ndryshimet që ata i kërkojnë, do ta vë komunitetin serb në pozitë që t’i bojkotojë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së përbashkët serbe, Rada Trajkoviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vënia e këtij projektligji në rend dite për diskutim në Kuvendin e Kosovës, ka qenë arsye e braktisjes së seancës së ditës së premte nga ana e deputetëve serbë.

Diskutimi për këtë, projektligj është shtyrë për një seancë tjetër në mungesë të kuorumit.

Deputetja Trajkoviq thotë se shumica e deputetëve serbë kanë mendim të përbashkët që për komunitetet pakicë, duhet të mbeten vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës edhe për dy mandate, gjë që është paraparë në projektligjin në fjalë.

“Mendojmë dhe jemi gati se të gjithë të bashkuar në atë që vendet e rezervuara duhet të mbeten të tilla. Unë mendoj se e kemi pasur planin e Ahtisarit, të cilin shteti i Serbisë e ka refuzuar. Por, me marrëveshjen e Brukselit, shteti serb sikur e ka pranuar një lloj modifikimi të Ahtisarit”.

“Në këtë kuptim, unë mendoj se vetëm tash, në zgjedhjet e ardhshme, duhet të fillohet me vendet e rezervuara dhe që ato të mbeten për dy mandate. Kjo për faktin se tashmë është pranuar në gjithë territorin e Kosovës, sepse deri më tash nuk ka qene i pranuar nga shteti i Serbisë dhe nuk kemi pasur integrim të veriut”,
ka vlerësuar Trajkoviq.

Ajo ka shtuar se për integrimin e veriut janë shumë të rëndësishme vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, sipas saj, vendet e rezervua janë të nevojshme deri në përfundimin e, siç e ka quajtur ajo, procesit të kthimit të serbëve të zhvendosur.

Lideri i Iniciativës Qytetare Serbe, Vladeta Kostiq, më herët u ka bërë thirrje deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës që ta braktisin seancën, duke theksuar se Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nënkupton spastrim administrativ të serbëve nga Kosova.

Sipas tij, janë tri pika, siç i quan ai, neuralgjike në këtë projektligj, me të cilat serbët nuk pajtohen.

“Pika e parë është për vendet e rezervuara. Pika e dytë neuralgjike dhe e cila është diskriminuese për të gjitha bashkësitë pakicë në Kosovë, ka të bëjë me të drejtën e votës së personave të zhvendosur. Ata gjenden në listat zgjedhore dhe vetë heqja e tyre nga këto lista do të paraqiste një spastrim etnik administrativ”.
Sipas projektligjit të ri për zgjedhjet, bashkësitë pakicë nuk do ta kenë asnjë komisionar ose anëtar të Këshillit zgjedhor në vendvotime...

“Pika e tretë neuralgjike është kontrolli i procesit zgjedhor. Sipas projektligjit të ri për zgjedhjet, bashkësitë pakicë nuk do ta kenë asnjë komisionar ose anëtar të Këshillit zgjedhor në vendvotime, sepse është paraparë që anëtarët këshillave zgjedhorë t’i delegojnë 4 subjektet më të fuqishme parlamentare”, është shprehur Kostiq.

Në anën tjetër , në bazë të Kushtetutës, vendet e rezervuara pushojnë nga mandati i ardhshëm. Pas zgjedhjeve të ardhshme fillon mandati i 20 vendeve të garantuara, të cilat do të ndaheshin 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera.

Zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës edhe më parë kanë theksuar se çështja e ulëseve të rezervuara ka përfunduar dhe se Kushtetuta nuk mund të preket vetëm për një mandat.

Por, sipas liderëve serbë, duhet kërkuar një zgjidhje ose modalitet, që nuk do t’i cenonte vendet e rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës dhe që do të ishte i pranueshëm për të gjitha palët. Deputetja Trajkoviq, shpreh bindjen se nëse kjo nuk ndodh, serbët do të jenë të detyruar të zgjedhin bojkotimin e zgjedhjeve.

“Unë mendoj se tash është më së miri që çështja e ligjit të shtyhet, nëse sidoqoftë është e mundur. Kjo sepse, që ditën që u mbajt seanca, komunat me shumicë serbe janë solidarizuar me ndërprerje të punës për 15 minuta. Ky është paralajmërim se mendojmë seriozisht dhe dëshirojmë seriozisht ta zgjidhim problemin”.

“Unë gjithmonë jam për gjetjen e një zgjidhje të mirë, sepse neve na duhet ajo. Nuk dua asnjëherë që t’i motivoj njerëzit për bojkot, por bojkoti është mjeti i vetëm nëse nuk do të mund të arrijmë deri te vendet e rezervuara”
, është shprehur Trajkoviq.

Ndryshe, Kostiq ka vlerësuar se vazhdimi i mandatit të vendeve të rezervuara, nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës.

“Mendimi ynë është se nuk e shkel Kushtetutën, për shkak se sipas planit të propozuar të Ahtisarit, është dashur që të jenë dy mandate të plota. Këtu nuk i kemi dy mandate të plota për vendet e rezervuara. Me një ligj të tillë që mëtohet, absolutisht asnjë bashkësi pakicë nuk ka çfarë të kërkojë në zgjedhjet në Kosovë. Ne mendojmë se është edhe e pështirë që të marrim pjesë në zgjedhje, nën kushte të tilla”, ka theksuar Kostiq.

Politikanët serbë, gjithashtu kanë shprehur mendimin se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, është një çështje shumë serioze dhe ai duhet të sillet në Kuvendin e Kosovës me përbërjen e ardhshme, si dhe pas një kohe më të gjatë dhe pasi që projektligji t’i kaloj diskutimet publike nga të gjitha bashkësitë në Kosovë.

Ndryshe, pritet që ditën e hënë, Kryesia e Kuvendit të vendosë për ditën se kur mund të diskutohet për këtë projektligj.
XS
SM
MD
LG