Ndërlidhjet

Ukrainë: Protestë kategorike kundër vizitës së Medvedevit


Një djalosh duke shitur gazeta në qytetin Simferopol
Një djalosh duke shitur gazeta në qytetin Simferopol
Ukraina e ka dënuar vizitën e kryeministrit rus, Dmitry Medvedev, në Krime, duke e përshkruar si “shkelje të rëndë të rregullave të sjelljes ndërkombëtare”.

Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Ukrainës, Evhen Perebiynis, u tha sot gazetarëve në kryeqytetin Kiev, se Ukraina i ka dërguar një notë Federatës Ruse duke shprehur “protestë kategorike” lidhur me këtë vizitë.

Gjatë vizitës së tij në qytetin Simferopol, në krye të një delegacioni të zyrtarëve më të lartë qeveritarë rusë, Medvedev tha se qëllim i Rusisë është që Krimesë “t’i mundësohet krijimi i të ardhurave të mjaftueshme për zhvillimin e vet”.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të nivelit më të lartë të Rusisë në Krime, prej se Moska e okupoi këtë territor nga Ukraina.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia nuk është njohur ndërkombëtarisht dhe konsiderohet ilegal dhe i paligjshëm nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
XS
SM
MD
LG