Ndërlidhjet

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kohën kur Serbia sapo ka dalë nga procesi zgjedhor, kurse Kosova pritet të futet në një proces të tillë, mund të përcillet me vështirësi dhe një dinamikë më të ulët, parashohin analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, në këtë fazë, nuk mund të priten vendime e marrëveshje të mëdha në Bruksel dhe se më tepër palët do të merren me analizën e të arriturave të deritashme të dialogut.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon se vazhdimi i negociatave në këtë fazë krijon pabarazi mes palëve, ngaqë Serbia ka në tavolinën e dialogut përfaqësues të legjitimuar së fundi në zgjedhje, kurse Kosova përfaqësohet nga një kryeministër i cili është në fund të mandatit.

Sipas tij, çdo marrëveshje e re eventuale në këtë dialog me firmën e kryeministrit aktual Hashim Thaçi mund të ketë ndikim si në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë ashtu edhe në modelin e ri të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Unë besoj që është e udhës që kryeministri Thaçi ta ketë këtë takim të fundit dhe të mos bëj asnjë hap tutje në dialogun me Serbinë përpara se zgjedhjet parlamentare të përfundojnë dhe të shohim se kush do të jetë lideri i ardhshëm i Kosovës. Vetëm një qeveri me kredibilitet dhe legjitimitet të plotë qeverisës dhe pas një konsultimi të gjerë brenda koalicionit të ardhshëm qeverisës do të mund të vendos se mbi bazën e cilave parime mund të vazhdoj dialogu me Serbinë”, ka thënë Dren Doli për Radion Evropa e Lirë.

Nisur nga fakti që Kosova ndodhet para zgjedhjeve, Doli konsideron se kryeministri Thaçi nuk ka pse të ngutet për arritjen e marrëveshjeve të reja me Serbinë, ngase ato, sipas tij, më pas mund të jenë një barrë për qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Ndërkohë, këshilltari i parë i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku ka thënë për Radion Evropa e Lirë se procesi i bisedimeve të Brukselit ka karakterin ndërkombëtar.

Andaj, Marrëveshja e 19 prillit e arritur në këtë dialog, ka nënvizuar ai, do të jetë e obligueshme për palët, pavarësisht rezultateve që mund të prodhojnë zgjedhjet në Serbi apo në Kosovë.

“Obligimet që janë marrë nga të dyja palët sa i përket zbatimit të marrëveshjes janë të detyrueshme për t’u zbatuar në praktikë”, ka thënë Çollaku.

Serbia aktualisht ndodhet në procesin e formimit të qeverisë së re e cila pritet të drejtohet nga lideri i Partisë Përparimtare, Aleksandar Vuçiq. Kurse Kosova, ndodhet në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Në anën tjetër, Brukseli pret që të shoh përparime konkrete në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit para takimit të ardhshëm me qeverinë e re në Beograd.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika thotë se ka pak gjasa të pritet që deri në qershor të formohet Asociacioni i Komunave Serbe.

Por, të paktën ai pret që palët të merren vesh për funksionimin e gjykatave në veri.

“Dy çështjet më delikate sa i përket implementimit janë ajo e gjykatës në veri, për të cilën marrëveshja do të duhej të arrihej deri në qershor para konferencës së radhës së ministrave të BE-së me Serbinë dhe çështja e Asociacionit të Komunave Serbe. Këto janë dy çështje në të cilat Vuçiqi do të tregoj ambicien e tij dhe do të tregojë se çfarë pozicioni do të mbajë karshi implementimit dhe karshi dialogut”, ka thënë Naim Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Takimet në nivelin politik dhe teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i ndërmjetëson Bashkimi Evropian. Ato kanë sjellë si rezultat arritjen e disa marrëveshjeve në nivelin teknik.

Kurse, më e rëndësishmja mbetet ajo e arritur në nivelin politik më 19 prill të vitit 2013, si marrëveshja e parë në procesin e gjatë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Normalizimi ndërmjet dyja vendeve nga Brukseli është vënë si një parakusht për procesin e integrimin e tyre në kuadër të BE-së.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG