Ndërlidhjet

Pakënaqësitë e artistëve me zhvillimet në TKK


Shfaqje e baletit në Teatrin Kombëtar të Kosovës...

Shfaqje e baletit në Teatrin Kombëtar të Kosovës...

Zvarritjet që nga fundi i vitit të kaluar për përzgjedhjen e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, janë parashenjë që tregon se situata në këtë teatër nuk është për t'u lakmuar dhe se aty i ka futur duart politika, vlerësojnë pjesëtarët e komunitetit të artistëve të teatrit në vend.

Dramaturgu Jeton Neziraj, ish-drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, e ka quajtur të panevojshme zvarritjen e procesit për zgjedhjen e drejtorit të këtij teatri.

Siç thotë ai, kjo zvarritje edhe mund të trajtohet si zvarritje burokratike, por sipas tij, bazuar në përvojën e deritashme, në mjaft raste përzgjedhja është bërë sipas kriterit politik, dhe një gjë e tillë pret të ndodhë përsëri.

Si një sinjal tjetër që sipas tij dramaturgut Neziraj, shkon në këtë drejtim, është edhe fakti se për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë konkurruar 6 persona dhe vetëm një prej tyre është nga fusha e artit.

Artistët nuk kanë konkurruar, sepse pozita e drejtorit të Teatrit Kombëtar është devalvuar, për shkakun se gjithmonë ka pasur interferime politike. Kështu që artistët hezitojnë të konkurrojnë sepse e dinë që, tek e fundit, në fund të këtij procesi do të ketë një zgjedhje politike, së paku nga përvojat e mëhershme".

"Kështu që edhe në këtë rast, shumica e artistëve, që ndoshta do të kishin qenë kandidat potencial, kanë hezituar të konkurrojnë. Unë them që barra e përgjegjësisë, në çdo rrethanë, i takon Bordit të Teatrit Kombëtar dhe i takon Ministrisë (së Kulturës, Rinisë dhe Sportit)
”, shprehet Neziraj.

Ngjashëm e sheh situatën edhe regjisori i dramës Agim Selimi.

Sipas tij, zvarritja e procesit të përzgjedhjes së drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka ndikuar keq në këtë teatër.

Megjithatë, ai shprehet mjaft pesimist edhe për të ardhmen e këtij teatri, për shkak se, sipas tij, aty i kanë shtrirë ndikimet, siç i quan ai, klanet politike.

Regjisori Selimi, shpreh bindjen se kjo ka ndikuar që në konkurs të mos dominojnë njerëzit nga fusha e artit.

“Konkursi është hapur dhe kanë konkurruar vetëm 2 vetë. Konkursi është dashur të mbyllet, prandaj janë gjetur edhe 4 vetë dhe është bërë numri i duhur. Nesër pritet të zgjidhet dikush. Të gjithë ata që kanë konkurruar nuk kanë prapa vetes asnjë vepër artistike".

"Po e themi shkurt e shqip, ‘pazari ka rënë aq poshtë’, sa që njerëzit me vlera nuk e kanë parë të mundur që të kandidojnë dhe të zgjidhen për drejtor në Teatrin Kombëtar”
, thekson Selimi.

Të dy këta artistë të tetarit, vlerësojnë se Teatri Kombëtar i Kosovës ka kohë që e ka marrë, si thonë ata tatëpjetën.

Dramaturgu Neziraj, thotë se nuk është vetëm zvarritja e procesit të zgjedhjes së drejtorit që e ka dëmtuar teatrin.

“Teatri Kombëtar e ka pasur një renome dikur. Tash është bërë një prej institucioneve më të parëndësishme në vend, në jetën teatrore. Është bërë institucion prej të cilit më nuk ke produksione kualitative, nuk ke ndonjë interes prej publiku që ta vizitojnë".

"Do të thotë, ka mbetur vetëm si një godinë e shkretë, prej të cilës vetëm prodhohet burokraci, prodhohen polemika të panevojshme, nepotizëm. Me fjalë tjera, aty, drejtori i ardhshëm do të ketë shumë punë dhe në rrethana të sotme, ky tetar kombëtar është teatri më i dobët, ndoshta, nuk po them në Evropë, por së paku në regjion”, shprehet Neziraj.

Agim Selimi thotë se e gjithë kjo rrëmujë ka ndikuar mjaft keq në punën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që sipas tij, ka nevojë që në krye ta ketë një njeri me autoritet në komunitetin artistik.

“Teatri duhet të ketë (në krye) një artist të denjë. Qoftë edhe ekonomist, por le të jetë një emër, një personalitet, i cili me të vërtetë meriton të jetë në ballë të Teatrit Kombëtar, autoritet artistik. Me këto rrjedha, aspak nuk jemi të kënaqur dhe kjo, natyrisht, që reflektohet në punën e teatrit, në atmosferën që krijohet në teatër. Mbi të gjitha, unë mendoj që është teatër nacional, ku përfaqësimi duhet të jetë prej krijuesve më të mirë të shoqërisë së Kosovës”, bën të ditur ai.

Ndryshe, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës pritet të zgjidhet ditën e martë, me 1 prill.

Përfaqësuesit e komunitetit të artistëve të teatrit vlerësojnë se kushdo qoftë që zgjidhet në këtë post, do të duhej seriozisht t’i rrekej reformimit të këtij teatri.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG