Ndërlidhjet

Pa marrëveshje përfundimtare për drejtësinë

  • RFE /RL

Foto arkivi

Foto arkivi

Ka përfunduar në Bruksel rrethi i 23-të i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pa marrëveshje përfundimtare për sistemin e drejtësisë, ndonëse të dyja palët, ashtu si edhe ndërmjetësuesja e bisedimeve, baronesha Catherine Ashton, kanë thënë se është arritur pajtim parimor dhe përparim i madh dhe se kanë mbetur vetëm disa çështje formale për t’u diskutuar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në dialog është folur vetëm për çështjen e sistemit të drejtësisë.

“Kemi arritur përparim të theksuar, substanical dhe pothuajse është çështje e mbyllur arritja e marrëveshjes. Shpresojmë që në takimin e ardhshëm do të finalizohet marrëveshja”, ka thënë Thaçi për të shtuar se “kanë mbetur vetëm edhe disa çështje teknike për t’u sqaruar”.

Edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka konfirmuar se nuk është arritur pajtimi i plotë, porse janë marrë vesh për pjesën më të madhe të marrëveshjes për drejtësinë.

Sipas Daçiqit, kjo marrëveshje do të finalizohet në takimin e radhës, pas formimit të qeverisë së re në Serbi.

Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të jetë kryeministër në të ardhmen, ka thënë se qeveria e re e Serbisë pritet të formohet më 27 prill dhe se pas kësaj date delegacionet do të mblidhen sërish në Bruksel dhe do të arrihet marrëveshja.

Daçiq po ashtu ka thënë se fjala është për një marrëveshje kompromisi, që, sipas tij, do të thotë se Serbia i ka arritur qëllimet që shumica e gjykatësve dhe punonjësve në gjykata të jenë me kombësi serbe.

Burime të Bashkimit Evropian pohojnë se, përkundër faktit se edhe në BE do të ketë zgjedhje, e edhe në Kosovë, palët do të jenë të përkushtuara për të vazhduar dialogun.

Kjo pritet të ndodhë pa marrë parasysh se kush do të jetë në pushtet në Kosovë apo në Serbi, sepse të dyja palët kanë qëllim avancimin në procesin e integrimit evropian.
XS
SM
MD
LG