Ndërlidhjet

logo-print

Zonat e Lira Ekonomike: Efektet pozitive dhe negative


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Qyteti i Mitrovicës, Gjakovës dhe ai i Prizrenit tashmë janë shpallur zona të lira ekonomike nga Qeveria e Kosovës. Një zonë e tillë është propozuar të themelohet edhe në qytetin e Gjilanit.

Zonë e Lirë është një territor që ka një status të veçantë ekonomik. “Ligji për zonat ekonomike në Kosovë parasheh katër lloje të zonave të lira ekonomike: zonat ekonomike apo parqet industriale, parqet teknologjike si dhe qendrat inovative.

Krijimi i zonave ekonomike ka për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë, duke iu ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste, thotë Lulëzim Demolli, këshilltar politik për media i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj.

“Rëndësia e zonave të lira ekonomike është shumë e madhe, sidomos për faktin se dy komunat ku janë themeluar deri më tani kanë qenë komuna me papunësi shumë të madhe dhe më një varfëri të theksuar. Besojmë se me themelimin e këtyre dy zonave të lira ekonomike do të kemi investitorë të huaj të cilët do të vendosen në këto zona dhe do të hapin biznesin e tyre që do të zbusin papunësinë dhe varfërinë”, thekson Demolli.

Për veç kësaj, Demolli pohon se themelimi i zonave ekonomike nxit investimet private në veprimtarinë prodhuese, krijimin e kushteve për biznese për qasje më të lehtë në transport, furnizim me energji, ujë dhe shërbime në mbështetje të biznesit.

Në anën tjetër, ekspertët për çështje ekonomike, konsiderojnë se funksionimi i zonave të lira ekonomike ka efekte pozitive dhe negative.

Lekë Musa, ish kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se me krijimin e këtyre zonave, qeveria në një mënyrë po ndërhyn në rregullimin e tregut të lirë.

“Pse një komunë duhet të ketë një zonë të lirë ekonomike, kurse një qytet tjetër mos të ketë? Pra duhet lënë mundësitë që biznesi apo industria vetë të përcaktohet se ku duhet të shkojë dhe ku e ka më të leverdishme. Nëse ka politika të favorshme, të cilat mund të afrohen përmes zonave të lira, atëherë ato politika duhet të afrohen në tërë territorin e vendit”, shprehet Musa.

Ai thekson se nëse në këto sipërfaqe krijohen kushte më të favorshme ekonomike për të bërë biznes, atëherë ai dyshon se bizneset nga qytetet e tyre mund të largohen dhe të vendosen në këto zona ekonomike.

“Shtrohet pyetja se çfarë do të ndodh me ato komuna nëse bizneset vendosin që të largohen nga komunat e tyre dhe të shkojnë në zonat e lira ekonomike”, thekson Musa.

Sidoqoftë, Lulëzim Demolli, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se zonat ekonomike ndikojnë në përmirësimin e ambientit për të gjithë investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Në dy komunat, Mitrovicë dhe Gjakovë, udhëzimi administrativ parasheh që mallrat që shërbejnë si impute për bizneset që veprojnë në këto zona ekonomike, nuk do të paguajnë pagesën e detyrimeve të importit, do t'i shtyhet pagesa e taksave doganore deri atëherë kur ata plasojnë prodhimin e tyre në qarkullim. Mallrat që dalin nga zonat ekonomike që eksportohen apo ri-eksportohen, nuk paguajnë ndonjë detyrim doganor”, bën të ditur Demolli.

Ndryshe, sipas Ligjit për zonat ekonomike, në këto hapësira mund të zhvillohet çdo veprimtari afariste e cila nuk cenon rendin publik, mbrojtjen e shëndetit, mjedisin, florën dhe faunën dhe pasuritë kombëtare të Kosovës.

Të hënën, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë zyrtarisht ka dorëzuar aplikacionin për krijimin e Parkut Industrial, që është në kuadër të Zonës se Lirë Ekonomike.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG