Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Mendime të ndryshme rreth çështjes së emrit


Maqedoni...

Maqedoni...

Kandidatët për president shteti, e në veçanti dy pretendentët kryesor për këtë post, kanë qasje thuajse të kundërt sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.

Presidenti aktual, Gjorgje Ivanov i rikandiduar edhe për një mandat nga VMRO DPMNE-ja thotë se nuk do të pranojë për asnjë moment ndryshimin e çështjes së emrit dhe rrezikimin e identitetit kombëtar maqedonas.

“Unë kam qëndrim të qartë për të cilin besoj se kam mbështetje nga ju qytetar të Maqedonisë. Nuk kam pranuar dhe nuk do të pranoj ndryshimin e kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues. Nuk do të pranoj ide apo propozime që do të rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, veçoritë e kombit maqedonas dhe gjuhën maqedonase, por edhe modelin maqedonas të bashkëjetesës“, ka deklaruar Ivanov.

Ai theksoi se për çështjen e emrit duhet dhe do të vendosin vetëm se qytetarët e Maqedonisë dhe askush tjetër.

Por, ndryshe nga ai, vlerëson kandidati i opozitës maqedonase për president, Stevo Pendarovski i cili në vazhdimësi bën thirrje fillimisht për arritjen e një konesusi të brendshme e më pas edhe nisjen e negociatave direkte me Greqinë.

“Problemin me emrin propozoj që të fillojnë ta zgjidhin me konsensus shtetëror, diçka që nuk e kemi pasur me vite të tëra. Pra, neve na duhet konsensus shtetëror e jo qeveritar, jo entik, jo familjar, jo personal“, ka thënë Pendarovski.

A i në të gjitha tubimet me elektoratin rithekson nevojën për zgjidhjen sa më të shpejt të këtij kontesti me qëllim zhbllokimin e procesit euro-integrues.

Duke komentuar fjalimet e tilla të kandidatëve për presidenti, Ismet Ramadani nga këshilli euroatlantik, thotë se kandidati i VMRO DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, konfirmon pozicionet e deritanishme se ai nuk do të ndryshojë qëndrimin ndaj këtij kontesti, qëndrim ky që nuk dallon aspak nga ai i kryeministrit Nikolla Gruevsit, partia e të cilit edhe e ka rikandiduar edhe për një mandat në krye të shtetit.

“Me Ivanovin president çështja e zgjidhjes së kontestit rreth emrit do të prolongohet edhe më tej pasi qëndrimi dhe paraqitje e tij nuk guxon të dalloj nga ajo e kryeministrit andaj edhe për këtë çështje ai flet në shumës“, thotë Ramadani.

Ai e vlerëson si pozitiv dhe me një qasje më realiste qëndrimin e kandidatit tjetër të LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili në vazhdimësi bën thirrje për arritjen e një konsensusi të gjerë për mbylljen e problemit shumëvjeçar me Greqinë.

“Favoriti tjetër, kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski si duket me qasjen e vet dëshiron të merr pozicion me inkluziv rreth çështjes së emrit, sikur edhe arritjes së një konesusi të brendshëm por ai dëshiron të ketë edhe një qasje inkluzive me Greqinë që të bisedohet për ndonjë kompromis eventual. Kjo len përshtypjen se qasja e tij është me serioze, me realiste“, thotë Ramadani.

Kandidatët tjerë, Iljaz Halimi i PDSH-së opozitare dhe Zoran Popovski i Opsionit qytetar maqedonas më pak kanë trajtuar këtë çështje, pasi i pari më tepër është i përqendruar në çështjet shqiptare ndërsa kandidati tjetër në aspektet tjera brenda vendit.

Fushata e kandidatëve për president vazhdoj edhe për 10 ditë ndërsa zgjedhjet mbahen më 13 prill.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën e votave të nevojshme, në rrethin e dytë që mbahet pas dy javësh kalojnë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota.
XS
SM
MD
LG