Ndërlidhjet

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, në procedurë pas dy javësh


Kuvendi i Kosovës mund të nis procedurën e shpërndarjes pas dy javësh, veprim ky që do të çonte vendin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Këto nisma konfirmohen nga deputetë të subjekteve parlamentare.

Kurse, si opsion rezervë, nëse ai i shpërndarjes së Kuvendit nuk mbështetet nga partitë e koalicionit, konsiderohet ngritja e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë aktuale.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi thotë se vendi është futur në një bllokadë të funksionimit të institucioneve dhe e vetmja mënyrë e tejkalimit është përmes caktimit të zgjedhjeve të parakohshme.

“Janë dy metoda. Metoda e parë që do të përdoret dhe preferohet më shumë është ajo e shpërndarjes së Kuvendit e cila duhet të ndodhë me dy të tretat e gjithë deputetëve dhe kjo do të përgatitet besoj brenda dy javësh që të jetë e gatshme për procedim në Kuvend. E nëse PDK-ja nuk ka vullnet të shkohet në këtë drejtim, atëherë ne do të shkojmë me mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe do të shpërndahet Kuvendi”, ka thënë Gashi.

Një mocion mosbesimi ndaj qeverisë është iniciuar kaherë nga subjekti i tretë opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Mirëpo ky mocion nuk është përkrahur nga dy partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje.

Deputeti i AAK-së, Ardian Gjini thotë se nuk ka vullnet tek opozita por këtë opsion dhe më shumë po mbështet ai i shpërndarjes së Kuvendit.

“Nuk po shohim vullnet te dy partitë tjera në opozitë që të procedohet me shkarkim të qeverisë dhe më tepër ka vullnet që të shpërbëhet Kuvendi”, ka deklaruar Gjini.

Po në funksion të arritjes së një marrëveshje përfundimtare për opsionin që do të çonte Kosovën në zgjedhje, ka më gjatë se një javë që ishte paralajmëruar mbajtja e një takimi ndërmjet liderëve të partive politike, e ku do të ishin të pranishëm edhe disa nga ambasadorët e vendeve perëndimore në Prishtinë.

Takimi nuk është mbajtur dhe se sipas njoftimeve, agjenda e zgjedhjeve në Kosovë mbetet e ndërlidhur me vendimin e Kuvendit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Deputeti Arben Gashi beson që kjo legjislaturë do të mund të vendosë shumë shpejt në lidhje me këto dy çështje dhe më pas, sipas tij, nuk ka ndonjë çështje të rëndësishme që do të pengonte shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve.

“Janë dy probleme të cilat duhet të zgjidhen. Është ai i EULEX-it dhe Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Por, këto dy probleme besoj që zgjidhen shumë shpejt, votohen në Kuvend dhe pastaj Kuvendi mund të shpërndahet”, ka thënë Gashi.

Në bazë të një marrëveshje të mëhershme të liderëve të PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, Kosova pritet të shkojë në zgjedhje diku gjatë muajit qershor.

Megjithatë, Thaçi e Mustafa më pas nuk kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për të zbatuar këtë marrëveshje.

Madje, pjesa tjetër e opozitës kishte akuzuar Thaçin se me këtë marrëveshje ai kishte blerë kohë për zhvillimin e një fushate parazgjedhore ende pa u shpallur ajo zyrtarisht.
XS
SM
MD
LG