Ndërlidhjet

Kosova bëhet gati për ndeshjet me Turqinë dhe Senegalin


Tifozët kosovarë gjatë ndeshjes Kosovë - Haiti

Tifozët kosovarë gjatë ndeshjes Kosovë - Haiti

Federata e Futbollit të Kosovës dhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll, janë duke bërë të gjitha përgatitjet për dy takimet e ardhshme miqësore ndërkombëtare, me përfaqësuesen e Turqisë dhe Senegalit, që priten të zhvillohen në javën e katërt të muajit maj.

Me 21 maj, përfaqësuesja e Kosovës do të jetë nikoqire për përfaqësuesen e Turqisë, ndërkohë që takimi me përfaqësuesen e Senegalit, me 25 maj, pritet të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës.

Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen me Turqinë dhe për krijimin e mundësive që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, të martën, me 1 prill, kanë zhvilluar takim të përbashkët me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në takim janë shqyrtuar mundësitë e rregullimit të stadiumit të Prishtinës dhe mundësitë që ai të bëhet gati deri më 21 maj.

“I ka hije çdo shteti që të luajë ndeshjet në kryeqytet dhe dihet se çfarë efekti do të ketë edhe për kryeqytetin. Plus, infrastruktura përcjellëse, parkingjet dhe të tjerat janë të favorshme. Mund të them lirisht se pjesa më e ndritshme ishte ajo që takimi ka qenë i hapur".

"Ministri Memli Krasniqi, dërgoi këshilltarin e tij Shasivar Haxhijaj, i cili tha menjëherë ‘ja, i keni 500 mijë euro, në tavolinë. Urdhëroni, bëjeni projektin dhe ne jemi të gatshëm të investojmë në stadiumin e Prishtinës’. Ndërsa, kryetari Shpend Ahmeti tha se ‘sigurisht që edhe komuna do marrë pjesë, varësisht nga nevojat që do të jenë’ për një intervenim të shpejtë”, thotë Salihu.

Salihu shton se, megjithatë, në rast se nuk arrihet që stadiumi i qytetit të Prishtinës të jetë gati deri me 21 maj, atëherë ndeshja me përfaqësuesen e Turqisë do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, aty ku edhe u zhvillua, me lejen e Federatës Botërore të Futbollit - FIFA, takimi i parë ndërkombëtar miqësor, me përfaqësuesen e Haitit, me 5 mars.

Në anën tjetër, ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se përfaqësuesja e Kosovës, është duke i bërë përgatitjet për dy ndeshjet e paralajmëruara, me përfaqësuesen e Turqisë dhe atë të Senegalit.

Sipas tij, përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki po i vëzhgon për së afërmi futbollistët, për të cilët mendohet se mund të jenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, por që luajnë në ekipet e ndryshme evropiane, në mënyrë që të krijohet një pasqyrë të drejtë për secilin prej tyre.

Sahiti vlerëson se takimet me përfaqësueset e Turqisë dhe Senegalit, përfaqësuesja e Kosovës do t’i ketë më të vështira se sa takimin që ka zhvilluar me Haitin.

“Po shpresoj që do të bëjmë paraqitje të mirë edhe pse tash, nëse bazohemi në kualitetin e Turqisë dhe Senegalit, duhet ta kuptojmë që niveli i tyre është më i lartë se sa i Haitit. Prandaj, në këtë rast, edhe ne duhet ta ngrehim nivelin e përfaqësueses, për të pasur një paraqitje të mirë".

"Sidoqoftë, ne nuk brengosemi shumë për rezultatin e ndeshjeve se sa brengosemi për atë vazhdimësinë e ndeshjeve që do ta kemi në të ardhmen. Do të thotë, këto ndeshje miqësore do të na shërbejnë për më vonë, që të kemi një pasqyrë shumë më reale se në cilët lojtarë duhet të bazohet Kosova në të ardhmen”, thekson Sahiti.

Pas takimit me Haitin, drejtuesit e përfaqësueses së Kosovës, janë ballafaquar me kritika, qoftë nga njohësit e futbollit qoftë nga dashamirët e futbolli, përmes rrjeteve sociale, pse në përfaqësuesen e Kosovës nuk ka pasur edhe një numër të futbollistëve nga Super-liga e futbollit të Kosovës.

Përveç një futbollisti të kësaj lige, në përfaqësuesen e Kosovës ishin përfshirë futbollistë me prejardhje nga Kosova, që luajnë në ligat e ndryshme evropiane.

Ndihmës trajneri Sahiti thekson se në përfaqësuesen e Kosovës janë dyert e hapura, por, sipas tij, të gjithë duhet ta meritojnë me punën e tyre.

Varet , pikërisht, nga puna dhe forma e secilit futbollist. Pse t’ mos kemi edhe futbollist nga Kosova (që luajnë në Kosovë)? Por, duhet ta kuptojnë të gjithë që përfaqësuesja do nivel tjetër nga kampionati i Kosovës. Sidoqoftë, unë po them se secilit ka për t’i ardhur mundësia që ta veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës".

"Por, t’i plotësojë, fillimisht, ato kritere që janë për përfaqësuesen e Kosovës e sidomos aspektin fizik, që është kriteri numër një, ngase tashmë e dimë se çfarë niveli i kemi edhe përfaqësuesen e Turqisë, por edhe atë të Senegalit”
, thotë Sahiti.

Ndryshe, Eroll Salihu ka theksuar se javën e ardhshme, përfundimisht do të caktohet stadiumi se ku do të zhvillohet ndeshja me Turqinë.

Ndërkaq, sipas tij, qysh tash, Federata e Futbollit të Kosovës është duke shqyrtuar afatet e FIFA-s, për të siguruar edhe takime të tjera miqësore gjatë këtij viti.

Siç ka theksuar ai, ekzistojnë mundësitë reale që në muajt shtator, tetor dhe nëntor, përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë edhe tri ndeshje të tjera miqësore ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG