Ndërlidhjet

Fëmijët kosovarë me autizëm, ballafaqohen me probleme të ndryshme, duke filluar nga procesi i diagnostikimit, e deri te rehabilitimi i tyre, thonë përfaqësues të shoqatave që merren me këtë çështje.

Sipas organizatave joqeveritare, numri i fëmijëve kosovarë me autizmëm, llogaritet të jetë afër 500, edhe pse statistikat zyrtare mungojnë.

Ndërsa, statistikat në botë tregojnë se ndër 110 fëmijë të lindur, një nga ta është i prekur me këtë sindromë, që shkakton çrregullime në zhvillimin e fëmijës.

Karakteristikë e fëmijëve të prekur nga autizmi janë problemet me komunikimin verbal dhe joverbal, si dhe sjelljet e tyre ndaj rrethit.

Në Ditën Botërore të Autizmit, flasin prindërit e fëmijëve që janë të prekur me këtë sindromë.

Sipas tyre, edhe përkundër vështirësive që ballafaqohen , ata thonë se fëmijët me autizëm janë shumë të veçantë, por që sipas tyre, njerëzit nuk kanë informata lidhur me këtë sindromë.

Këtë e thotë nëna e Eronisit, Selvije Berisha.

"Më së shumti ballafaqohemi me njerëz, me rrethin, sepse nuk kanë njohuri për autizmin. Unë i kisha fajësuar mediat pse nuk informojnë dhe kanë pak hapësirë për fëmijët me autizëm. Sa i përket djalit, unë e kam në qendër të autizmit dhe i falënderoj shumë, sepse ka një përparim shumë të madh. Djali sot e ka ditëlindjen dhe e i bën shtatë vjet", thotë Berisha.

Ndërkaq, Jeta Deva udhëheqëse e Asociacionit Nacional të Autizmit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sfidat për fëmijët me autizëm janë të mëdha, duke filluar nga diagnostikimi e deri te shkollimi i tyre.

"Kushtet janë tepër të pakta, derisa nevojat janë të mëdha. Në vendet e zhvilluara mësimet mbahen deri në 6 orë në ditë derisa në Kosovë vetëm 2 orë, pasi kemi vetëm 2 qendra dhe një klasë të bashkangjitur"
.

"Fëmijët me autizëm nuk bën të viktimizohen, pasi që ka alternativa shumë të përshtatshme për përparim të fëmijëve me autizëm. Ka fëmijë që përparojnë shumë, vetëm duhet të punohet me ta, dhe pavarësimi është i pashmangshëm. Te ne njerëzit nuk dinë shumë për autizëm, krahasuar me vendet e botës", thekson Deva.

Edhe Mimoza Gashi, nga Asociacioni Nacional i Autizmit, ka bërë të ditur se në Ditën Botërore të Autizmit janë duke bërë kampanjë, duke vendosur mbishkrime të ndryshme në sheshet e kryeqytetit për vetëdijesimin e popullatës sa i përket autizmit.

"Sot kemi bërë një kampanjë mbi vetëdijesimin mbi autizimin. Asnjë qytetar nuk më ka pyetur sot se a është sot Dita Ndërkombëtare e Autizmit, sepse asnjë kalimtar i rastit nuk e ka ditur, por të gjithë po më pyesin se për cilën parti politike bëhet fjalë, dhe çfarë kampanje politike jeni duke bërë".

"Ende duhet shumë punë tek ne sa i përket çështjes së vetëdijesimit, pasi që informatat janë të mangëta, sa i përket autizimit. Ne sot po vendosim poqa të kaltër nëpër sheshet e vendit, me moton, ndriçoni shtëpitë tuaja në të kaltër sot"
, shprehet Gashi.

Sidoqoftë, Dita Botërore e Autizmit në Kosovë është shënuar me aktivitete të ndryshme dhe do të përmbyllet me një mbrëmje humanitare, më këngëtar kosovarë, ku mjetet e mbledhura do t'u dedikohen fëmijëve përmes asociacionit nacional të autizmit.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG