Ndërlidhjet

logo-print

Anti-korrupsion: Pak hetime, më pak kallëzime penale


Ilustrim

Ilustrim

Rastet e raportuara për dyshime të korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, gjatë vitit 2013, kanë shënuar rritje, thanë drejtues të agjencisë, gjatë publikimit të raportit vjetor të punës.

Drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, tha se “asnjë nga institucionet, si ato të nivelit qendror, po ashtu edhe atë të nivelit lokal, nuk kanë mbetur pa u prekur nga dukuria e korrupsionit”.

Sipas tij, nga veprimet e tilla të dyshuar për korrupsion, humbjet nga buxheti i Kosovës janë milionëshe.

Preteni theksoi se kallëzimet penale, të cilat janë dërguar në Prokurori, kanë të bëjnë edhe me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës të dyshuar se janë të përfshirë në afera të korrupsionit.

“Rastet e zyrtarëve janë të niveleve të ndryshme. Rrallë mund të mbetet ndonjë institucion që nuk kemi pasur ndonjë informacion për veprime të mundshme korruptive. Ka të niveleve të larta edhe në Qeveri, ka edhe në ndërmarrje publike, ka edhe shumë kryetarë komunash. Unë them se ligjërisht, kallëzimet tona penale, emrat e këtyre zyrtarëve janë të njohur për prokuroritë dhe deri më tani 238 i kemi dërguar”, tha Preteni.

Preteni sërish shprehu zhgënjimin e tij me punën e prokurorive të vendit për trajtimin e kallëzimeve që përcillen nga Agjencia Kundër Korrupsion në adresë të tyre.

“Prokuroritë pak hetojnë, vërtet pak ngrisin aktakuza, kurse gjykatat në anën tjetër, vazhdimisht publikojnë se nuk kanë raste. Kështu që korrupsioni në Kosovë, vazhdon të flitet shumë, të hetohet shumë, të ngrihen aktakuza pak dhe të mos gjykohet fare”, deklaroi Preteni

Drejtori i AKK-së tregoi se gjatë vitit 2013, agjencia ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 319 raste, prej të cilave 72 prej tyre janë bartur nga vitet paraprake, kurse gjatë vitit 2013 janë pranuar edhe 247 raste. Prej këtyre, 128 janë përcjellë në Prokurori dhe Polici për procedim të mëtutjeshme.

“Fusha më e ndjeshme që më së shumti po gjeneron korrupsion, është fusha e prokurimit publik dhe shumica e rasteve të trajtuara në agjenci kanë të bëjnë me këtë fushë. Me të vërtetë ka probleme të shumta në këtë fushë dhe problemet janë qysh nga faza e fillimit të një tenderi, në fushën prokurimit prej përcaktimit të kritereve deri të mbikëqyrja. Në çdo fazë ka probleme të shumta”, bëri të ditur Preteni.

Në raportin e publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, thuhet se nga kontrolli i formularëve të deklarimit të pasurisë, janë identifikuar zyrtarë të lartë që ushtrojnë dy e më shumë funksione.

Madje, një nga zyrtarët e lartë që emri i tij nuk u bë i ditur, ka 7 vende pune. Kjo dukuri, sipas AKK-së, mund të paraqesë rrezik për burim të konfliktit të interesit.

Ndryshe, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, raportin e AKK-së e kanë parë të ngjashëm si edhe raportet e tjera që i ka publikuar kjo agjenci. Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në Institutin Demokratik të Kosovës, tha se përmbajtja e këtij raporti ka qenë e pritur.

“Agjencia Kundër Korrupsionit ka nevojë të tregohet më e zëshme, të tregoj më shumë rezultate gjatë identifikimit të rasteve të pasurisë, e cila deklarohet në mënyrë të rrejshme”, tha Mustafa.

Në raportin për periudhën kohore janar - dhjetor 2013 janë dhënë edhe disa rekomandime si: forcimi i bashkëpunimi me prokuroritë, ngritja e kapaciteteve për rastet që lidhen me prokurimin publik e të tjera.

Organizata “Transparency International” që bën matjen e indeksit të perceptimit të korrupsionit në 177 shtete në raportin e saj të fundit, për vitin 2013, Kosovën e ka renditur në vendin e 111 sa i takon shkallës së lartë të korrupsionit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG