Ndërlidhjet

logo-print

Miratohet në parim projektligji për zgjedhjet e përgjithshme


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme. Gjatë debatit u tha se më këtë ligj nuk miratohen as për së afërmi reformat e proklamuara për më gjatë se tri vjet, por u vlerësua se ligji i ri është pak më i përparuar sesa ai paraprak.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami ka thënë se PDK e mbështet këtë ligj, pavarësisht se me të nuk bëhet reforma zgjedhore.

Sipas tij, mosrealizimi i reformave vjen si rezultat i mungesës së vullnetit nga të gjitha partitë parlamentare.

“Ky ligj nuk promovon një reformë substanciale zgjedhore çfarë Kosova ka pasur nevojë. Ndryshimet që përmban ky ligj më tepër merren me administrimin e procesit zgjedhor sesa me sistemin zgjedhor".

"Shtyllat kryesore të sistemit zgjedhor mbeten të pandryshueshme. Kosova do të vazhdoj të mbetet njësi e vetme zgjedhore, sistemi zgjedhor do të jetë proporcional, me lista të hapura dhe këto shtylla po mbeten të pandryshuara”
, ka thënë Bajrami.

Diskutimet, janë përshkruar edhe me debate e polemika në lidhje me nene të caktuara të ligjit.

Debate të tilla janë zhvilluar ndërmjet deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu dhe atij të LDK-së, Arben Gashi.

Sipas deputetes Haxhiu, ligji ka nene të kontrabanduara të cilat nuk janë diskutuar fare në Komisionin për Legjislacion.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje shprehi shqetësimin për futjen e dispozitave në mënyrë tinëzare. Dispozita për të cilat nuk ka vendim Komisioni për Legjislacion pasi që as nuk janë diskutuar fare në mbledhjet e Komisionit".

"Fjala është për nenin 108b, për formulën e ndarjes së ulëseve në Kuvend dhe ky është kontrabandim, Ky është tentim për degradim të Kuvendit dhe procedurave të parapara me rregulloren e punës vetëm e vetëm për t’i akomoduar apetitet e PDK-së dhe LDK-së”, ka thënë Haxhiu.

Ndaj deputetes Haxhiu ka reaguar ai i LDK-së dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi.

Sipas tij, ishte deputetja Haxhiu ajo që kishte bllokuar procedimin e këtij ligji në kuvend për tri javë të tëra.

“Kjo është e pavërtetë çka po deklarohet këtu dhe është një paturpësi e një deklarimi të tillë. Dhe së dyti, zonja Haxhiu është fajtore dhe partia që i takon se përse ligji është vonuar qe tri javë ditë sepse Komisioni ka humbur kuorumin dhe sot jemi tri javë me vonesë dhe rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje pa reformë. Personalisht je fajtore dhe ja pafsh hajrin fajit që e ke bërë”, i është drejtuar deputetes së Vetëvendosjes, Arben Gashi i LDK-së.

Në debat janë përfshi edhe disa deputetë nga radhët e komuniteteve pakicë të cilët kanë kritikuar mungesën e një neni për vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për një mandat.

Sidoqoftë, kërkesa e tyre shkonte përtej këtij ligji, pasi që bëhej fjalë për ndryshime kushtetuese çka nuk ishte në rend të ditës së kësaj seance.

Në fund, me 44 vota për, 2 kundër dhe 18 abstenime Kuvendi votoi ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme.

Me ligjin e ri, Kosova nuk ndryshon asgjë nga sistemi zgjedhor dhe kryesisht rregullon vetëm disa çështje teknike që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve.

Kurse risia më e madhe e tij është përcaktimi që fushata zgjedhore të shkurtohet nga një muaj në 15 ditë.

Pas miratimit në parim, pritet që ligji t’i nënshtrohet edhe njëherë procedimit nëpër komisionet adekuate dhe më pas do të kthehet në Kuvend për miratimin përfundimtar të tij.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG