Ndërlidhjet

Fotografitë që lidhin trupat e Yanukovychit me masakrën e Maidanit

  • RFE /RL

Nga përleshjet në Kiev, 20 shkurt 2014

Nga përleshjet në Kiev, 20 shkurt 2014

Një gazetar amerikan thotë se fotografi të postuara së bashku me një raport të tijin hulumtues në uebfaqen e gazetës “The Daily Beast”, duket se zbulojnë të vërtetën për atë se kush ka qëlluar për vdekje 53 protestues antiqeveritarë në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, më 20 shkurt.

Jamie Dettmer thotë se fotografitë sugjerojnë se vrasësit kanë qenë forca të sigurisë të presidentit të përmbysur Viktor Yanukovych dhe jo fraksion i opozitës, i mbështetur nga të huajt, apo elemente nacionaliste, ashtu siç kanë thënë regjimi i Yanukovychit dhe Kremlini.

Fotografitë janë bërë në oborrin e selisë së Shërbimit Shtetëror të Sigurisë në Ukrainë, pak para se snajperistët kanë nisur të qëllojnë në drejtim të demonstruesve vetëm tre blloqe më larg.

Disa trupa të fotografuara brenda Shërbimit Shtetëror të Sigurisë janë të veshura me uniforma të errëta dhe në duar mbajnë pushkë dhe kallashnikovë.

Dettmer, i cili ka folur për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë, thotë se fotografitë tregojnë njësinë e Forcave Speciale të Ukrainës, të njohur si Ekipi Alfa.

“Ne nuk jemi duke thënë se mund të vërtetojmë se njerëzit në këto fotografi kanë tërhequr shkrehëzen. Ajo çfarë është e qartë është se ka pasur njerëz të trajnuar antiterroristë, disa prej të cilëve kanë qenë të trajnuar si snajperistë, që kanë mbushur armët para se kanë nisur të shtënat në Majdan, më 20 shkurt”, thotë Dettmer.

Në një tjetër dëshmi, Shërbimi Ukrainas i Radios Evropa e Lirë, më 20 shkurt, ka incizuar një video të trupave të maskuar me uniforma të njëjta dhe duke qëlluar me armë të njëjta ndaj protestuesve të Maidanit.

Masakra e Maidanit është tani pjesë e luftës propagandistike. Kremlini thotë se vetë udhëheqësit e protestave ose spiunët amerikanë kanë projektuar vrasjet.

Mediat ruse, të kontrolluara nga shteti, dhe ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, kanë thënë se ambasada e SHBA-së në Kiev është e përfshirë.

Oleksandr Yakyamenko, i cili ka shërbyer si shef i Shërbimit Shtetëror të Sigurisë, nën Yanukovychin, ka thënë se snajperistët kanë qenë protestues.

Dettmer thotë se këto pretendime nuk kanë bazë.

“Ata po japin dëshmi, por për momentin, ata vetëm hapin gojën pa ofruar ndonjë dokument si dëshmi, pa ofruar ndonjë fotografi. Ne e dimë se një ose dy protestues kanë pasur pushkë atë ditë. Por, ata nuk janë përgjegjës për vrasjen e së paku 53 protestuesve".

"Ne kemi sasi të madhe të dëshmive nga ekspertët britanikë të mjekësisë ligjore, të cilët kanë kontrolluar lokacionet dhe kanë gjetur pozicionet nga ku është qëlluar më së shumti. Ato kanë qenë brenda ndërtesave që kanë qenë nën kontrollin e qeverisë. Jo protestuesit”
, thotë Dettmer.

Ekspertët britanikë kanë thënë se shumë nga viktimat e Maidanit janë vrarë nga të shtënat në kokë ose në qafë. Qeveria e Ukrainës do të lëshojë një raport paraprak për hetimet e saj, në këtë javë.
XS
SM
MD
LG