Ndërlidhjet

Normalizohet hapësira e lartë ajrore e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim
Hapja e hapësirës së lartë ajrore e Republikës së Kosovës vlerësohet si një e arritur tjetër e vendit nga Autoritetet e Aviacionit Civil.

Ata bëjnë të ditur se me këtë po normalizohet hapësira e lartë ajrore e Kosovës, e cila që nga viti 1999 ka qenë e mbyllur për mbikalime.

Me hapjen e hapësirës së lartë ajrore, bëhet e ditur se do të hapet rruga për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më tani, hapësira e lartë ajrore e Kosovës ka qenë një zonë gri në hartën ndërkombëtare të aviacionit civil, ku të gjithë aeroplanët dhe kompanitë ajrore është dashur të evitojnë këtë hapësirë për të arritur destinacionin e tyre.

Por, që menjëherë pas hapjes së kësaj hapësire të lartë ajrore për mbikalime, thotë Gjonbalaj, dhjetëra avion kanë shfrytëzuar këtë hapësirë.

“Pra përfitimet janë shumë dimenzionale, mbi të gjitha normalizohet hapësira e lartë ajrore e Kosovës, ajo është e hapur, nuk është më zonë gri, është e disponueshme për të gjithë shfrytëzuesit”, bën të ditur Gjonbalaj.

Ofruesi i shërbimeve të navigacionit Hungaro Control nga Hungaria, do të ofrojë shërbime në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës.

Ky përcaktim ishte bërë nga këshilli i NATO-s në qershor të vitit 2012.

Kjo kompani, sipas Gjonbalaj do të ofrojë shërbime për një periudhë pesëvjeçare dhe se kjo kompani nuk do të ketë përftime materiale për shërbimet që i ofron.

“Tarifat e shërbimeve për navigacionin ajror, sipas ligjit ndërkombëtar nuk i paguhen shtetit vetëm se për shkak se avionët e shfrytëzojnë hapësirën ajrore të atij shteti, mirëpo paguhen për të mbuluar koston e shpenzimeve të ofruesit të shërbimit të navigacionit ajrorë. Në rastin tonë, për një periudhë kalimtare pesëvjeçare, shërbimet do të ofrohen nga Hungao Control prej qendrës së tyre në Budapest".

"Kështu që tarifat e shërbimeve do t’i paguajë Hungaro Control. Sipas marrëveshjes që Hungaro Control ka me NATO-n, Hungaro Control nuk do të ketë përftime materiale nga ofrimi i këtyre shërbimeve, por tarifat do të jenë të mjaftueshme për ta mbuluar koston operative të këtyre shërbimeve”, sqaron Gjonblaj.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të aviacionit kanë mirëpritur lajmin për hapjen e hapësirës së lartë ajrore.

Albion Idrizi, instruktor i aviacionit dhe turizmit në Universitetin Amerikan të Kosovës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë konsideron se normalizimi i hapësirës së lartë ajrore e fut Kosovën në strukturat ndërkombëtare që ndërlidhen me aviacionin civil.

“Kosova që 15 vjet, në aspektin e hapësirës ajrore ka qenë një vrimë e zezë, ku asnjë aeroplan nuk është lejuar të tejkalojë, kurse sot hapësira ajrore e Kosovës është sikurse çdo hapësirë tjetër në të cilat vlen Konventa Ndërkombëtare dhe këtu më së shumti përfiton aviacioni duke rritur efiqencën duke fluturuar më direkt dhe duke kursyer në ndotjen e ambientit me ekspozim të karbon dyoksidit”, thotë Idrizi

Me hapjen e hapësirës së lartë ajrore hapet rruga për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore thotë drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj.

Sipas tij, normalizimi i plotë i hapësirës së ulët ajrore do të vije në një të ardhme jo të largët e që, siç thekson Gjonbalaj, nuk do të ishte i mundur pa normalizimin e hapësirës së lartë ajrore për mbi kalime.

“Përftimet nga normalizimi i ulët i hapësirës së ulët ajrore mbi të gjitha do të jetë në hapjen e korridoreve të reja me Shqipërinë, me Malin e Zi, ndoshta edhe me Serbinë të cilat do ta shkurtojnë kohën e fluturimit për kompanitë ajrore ne aeroportin e Prishtinës prej 15 deri në 20 minuta".

"Shkurtimi i kohës së fluturimit e zvogëlon edhe koston e operimit për kompanitë ajrore për fluturimet për në Prishtinë dhe nga Prishtina dhe rrjedhimisht kjo do të duhej të reflektohet edhe në bileta më të lira”, shprehet Gjonbalaj.

Ndryshe, normalizimi i hapësirës ajrore të Ballkanit, me theks të veçantë në hapjen e lartë të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës për mbikalime, ishte trajtuar që nga vitit 2003 në forumin e ashtuquajtur “BAN”, të udhëhequr nga NATO.

Qëllimi i këtij forumi kishte qenë që të gjendet një zgjidhje e përkohshme që do të jetë teknikisht, praktikisht dhe politikisht e pranueshme për shtetet anëtare të NATO-s dhe për autoritetet e Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG