Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, ka miratuar në parim projektligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, por mbetet e paqartë nëse ai do të mund të aplikohet për zgjedhjet e parakohshme të paralajmëruara se do të mbahen nga fundi i majit apo fillimi i qershorit.

Njohësit e proceseve zgjedhore konsiderojnë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk do të mund të përgatitet dhe të hartojë rregullore për zbatimin e ligjit të ri. Andaj, nuk e përjashtojnë mundësinë që të aplikohen rregulloret e vjetra.

Leon Malazogu, nga Instituti Demokraci për Zhvillim, thotë se nëse ndodh ajo që të aplikohen rregulloret e vjetra për ligjin e ri do të ketë shkelje ligjore.

“Mund të kemi ndoshta situatë kur ligji ndryshon, por KQZ-ja zbaton ligjin me rregullore të vjetra dhe mund të jetë në shkelje të ligjit. Në përgjithësi kjo është disk që sanksionohet nga normat ndërkombëtare të cila kërkojnë që ligji të mos ndryshojë gjatë muajit para zgjedhjeve. Pra mendoj se do të kemi një shpërputhje këtu”, tha Malazogu.

Edhe disa nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se pavarësisht ndryshimeve që janë bërë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nëse zgjedhjet mbahen në një afat të shkurtër kohor, mund të ketë sfida.

Megjithatë, ata thotë se kurdo që presidentja e vendit shpall datën për zgjedhje, KQZ-ja është e obliguar që t’i organizojë ato.

Betim Gjoshi, anëtar i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë fillimi i zbatimit të çdo ligji, po ashtu edhe i këtij për zgjedhje, mund të jetë sfidues.

“Çdo ligj çdo ndryshim në legjislacion ka sfida, praqet edhe probleme gjatë implementimit të tij. Po edhe me ligjin e vjetër nëse shkohet në zgjedhje, duke pas parasysh afatin e shkurtër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që parasheh ai ligj, po edhe i riu është sfidues. Për 30 deri në 45 ditë që të përgatiten zgjedhjet, nuk është punë e lehtë”, tha Gjoshi

Gjoshi theksoi se KQZ-ja, nuk mund të përcaktojë se me cilin ligj do të shkohet në zgjedhje. Siç tha ai i takon Kuvendi të Kosovës që të miratojë ose jo ligjin e ri.

“Ne do të jemi shumë serioz karshi ligjit të ri, e po ashtu edhe të vjetrit, dhe do të mundohemi që zgjedhjet t’i përgatisim sa më mirë”, u shpreh Gjoshi.

Anëtari tjetër i KQZ-së, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi konsideron se pavarësisht ndryshimeve sipërfaqësore që i janë bërë Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duhet të ketë përgatitje të duhura në mënyrë që manipulimet të mos përsëritën.

Rrustemi shpreh dyshimi e tij se afati i shkurtër kohor për të organizuar zgjedhje mund të cenojë administrimin e tyre.

“Konsideroj që disa ndryshime që kanë pësuar, sidomos për mënyrën edhe vendin e numërimit te fletëvotimit, por edhe funksionimit të KKZ dhe KKV-ve, kërkohen përgatitje të veçanta dhe akte nënligjore po ashtu të veçanta, të cilat KQZ-së i marrin kohë në përgatitje"
.

"Në të kundërtën mospërgatitja e mirë për këto aspekte të cilat janë të reja edhe për KQZ-në mund të krijojnë mundësi për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për të devijuar ose deformuar vullnetin e votuesve”, tha Rrustemi

Pas miratimit në parim, pritet që ligji për zgjedhje t’i nënshtrohet edhe njëherë procedimit nëpër komisionet adekuate dhe më pas do të kthehet në Kuvend për miratimin përfundimtar të tij.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG