Ndërlidhjet

Rexhepi: Investimi i parave të Trustit në Fond, rrezik i madh


Ibrahim Rexhepi

Ibrahim Rexhepi

“Është e pamundur dhe e pakuptueshme nëse llogaritet që krejt Fondi zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim, do të krijohet me mjetet e Trustit të Kursimeve Pensionale. Ky do të ishte një gabim shumë i madh, pasi që do të futeshin në rrezik paratë apo kursimet e pensionistëve”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, udhëheqësi i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, Ibrahim Rexhepi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, janë mbi një miliard euro mjete financiare të Fondit të Privatizimit dhe Trustit pensional të Kosovës, të cilat mbahen ose të ngrira ose të investuara në tregjet ndërkombëtare. Tani kemi deklarata të krerëve institucionalë për kthimin e këtij fondi dhe me këto para themelimin e një fondi zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim. Cili është vlerësimi juaj për kthimin e këtyre mjeteve?

IBRAHIM REXHEPI
Ideja, si kjo, për themelimin e një Fondi është ide që duhet përkrahur, është një ide që së paku edhe pse me vonesë, është e mirëseardhur për momentin, në të cilin ndodhet ekonomia e Kosovës. Është edhe e vërteta tjetër që ka shumë mjete, shumë fonde të destinimeve apo të vijave të ndryshme, të cilat dalin prej Kosovës, mirëpo në fund ato përsëri mbesin para të kosovarëve, por që aktualisht nuk janë në shfrytëzim të tyre.

Dhe, krejt kjo e bën të arsyeshëm formimin e Fondit, jo vetëm me qëllim të thithjes, apo kthimit apo riatdhesimit, siç thotë kryeministri, të këtyre parave, por edhe që të krijohet një alternativë e financimit të zhvillimit ekonomik, meqenëse financimi i deritashëm vetëm përmes bankave komerciale ka qenë jo aq efektiv, ka qenë shumë i shtrenjtë dhe realisht bizneset, posaçërisht ato prodhuese, nuk kanë qenë aq të gatshëm t’i shfrytëzojnë kreditë prej bankave komerciale.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se duhet bërë një ndarje të qartë në mes të investimeve të mjeteve të Trustit Pensional dhe atyre të privatizimit?

IBRAHIM REXHEPI
Po gjithsesi, se tekefundit, prej ngado që të financohet fondi qeveritar apo si do të quhet, përsëri mjetet nuk guxojnë të humben, qëllimet nuk guxojnë të humben, pronarin, qëllimin e fundit apo destinimin që e kanë. Kështu që, edhe nëse shfrytëzohen mjetet e trustit, apo ato nga privatizimi, ato janë vetëm huazime të përkohshme, huazime në intervale kohore në kushte të caktuara dhe në momentin e fundit, do t’i kthehen shfrytëzuesit, qoftë individual.

Te Trusti i Kursimeve Pensionale së paku e kemi edhe pronarin individual të atyre mjeteve, ndërkaq te privatizimi është një proces paksa më i ndërlikuar, por për mua është më i pranueshëm Fondi i privatizimit sesa Fondi i Trustit të Kursimeve Pensionale.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka mundësi ligjore që ky fond të kthehet dhe të investohet në Kosovë?

IBRAHIM REXHEPI
Aktualisht nuk ka bazë ligjore - nuk ka bazë ligjore as për themelimin e fondit, nuk ka bazë ligjore për mënyrën e tërheqjes së këtyre mjeteve, meqenëse tekefundit, investimet apo mjetet që kanë shkuar jashtë, janë bërë mbi bazën ligjore aktuale. Ato nuk i ka marrë askush dhunshëm, apo nuk i ka grabitur dikush dhe t’i investojë në tregjet e jashtme.

Posaçërisht kur është fjala te kursimet pensionale, meqenëse aty ka politika të caktuara ku mund të investohen, në cilin nivel mund të investohen dhe me qëllim të diversifikimit të rrezikut, të shpërndarjes së rrezikut atëherë edhe politikat e trustit janë që mjetet pak e ngapak të investohen në instrumentet e ndryshme. Kështu që, është e pamundshme po edhe e pakuptueshme nëse llogaritet, ta zëmë se krejt fondi do të krijohet me mjetet e trustit. Ky do të ishte një gabim shumë i madh dhe do të futeshin në rrezik paratë apo kursimet e pensionistëve.

Rreziku vërehet jo, ta zëmë, për instrumentin e sigurisë apo garancitë që ofron Qeveria e Kosovës, për mënyrën e investimit, për kthimin e investimeve, mirëpo nuk duhet që qind për qind mjetet e kursimtarëve që kursejnë për pensionin e tyre, të jenë të përqendruara vetëm në një investim - çka do të thotë që edhe rreziku të jetë qind për qind në këtë investim, në këtë rast e kemi fondin e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, te Fondi i Mirëbesimit apo fondi i krijuar prej privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, problemi këtu është më i thjeshtë. Problemi këtu përsëri është aspekti ligjor.

Mirëpo, në krahasim me paratë e Trustit, te Fondi i Mirëbesimit ekziston mundësia ligjore meqenëse te Ligji për privatizim, apo ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimin thuhet që ‘mjetet, të cilat mbesin nga likuidimi i ish- ndërmarrjeve shoqërore, derdhen në buxhetin e Kosovës’.

Çka do të thotë se ajo është një mbetje, e cila mund të shkojë drejt në buxhet, dhe buxheti nuk ka obligim për kthimin e tyre. E kjo do të ishte një formë më e lehtë, nuk do të krijonte barrë për fondin, mirëpo do të ishte një lehtësi për shfrytëzuesit e fundit, ta zëmë bizneset apo ekonomia, në përgjithësi.

E, kjo kërkon tash që vetëm të përshpejtohet procedura për likuidimin e ish-ndërmarrjeve shoqërore në përgjithësi. Meqenëse në Fondin e Mirëbesimit janë grumbulluar diku 700 milionë euro vetëm për shkak të mospunës së odës së veçantë dhe në momentin kur paguhet 20 përqindëshi për punëtorët, paguhen kreditorët realë, të cilët kanë qenë dhe mbetjet janë para të buxhetit.

Unë do të kisha propozuar që këto para fare të mos shkojnë në buxhet, por drejtpërdrejt të paguhen në fond. Dhe, mbi këto mjete, fondi të nisë financimet, të nisë investimin apo të krijojë një bazë edhe për tërheqjen e donacioneve apo ndihmave tjera që mund të paguhen aty.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse eventualisht kthehet, cilat do të duhej të ishin fushat ku do të investohej?

IBRAHIM REXHEPI
Sektorët, problemin e interesit, problemin e fitimit mbi bazën e interesit, kamatës, këtë çështje duhet lënë bankave komerciale. Fondi duhet të jetë alternativa më e mirë, më e lehtë më e pranueshëm për financimin e sektorëve kyç apo edhe sektorëve strategjikë, për të cilët vlerëson Qeveria se janë në bazë të prioriteteve të saj.

E mira e gjithë kësaj do të ishte që investimi të jetë në projekte të sigurta , në projekte që garantojnë kthim - një kthim me një interes jo çfarë është interesi aktual në bankat komerciale, por së paku të ruhet një vlerë reale në nivelin e inflacionit, plus shpenzimet operative që do mund t’i ketë vënë fondi apo një formë tjetër e distribuimit të këtyre mjeteve.

Çka, ta zëmë, nëse hyjmë te struktura e kredive që tash japin bankat komerciale?! Do ta vërejmë se aty më së keqi kalon bujqësia, sektori i ushqimit, sektori i prodhimit. Do të thotë që aty duhet të investohet. Edhe për faktin se fondi do të kishte mundësi që investimi të jetë më afatgjatë dhe që mundësia apo kthimi i kredisë të fillojë në momentin kur ai investim nis të japë frytin e vet, do të thotë në bujqësi jo të investohet sot, e nesër të bëhet kthimi, mirëpo kthimi të nisë pas një viti a dy, kur fillon të japin rendimente, apo të jepet produkti prej një projekti të financuar.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG